Prejardhja e Ditës së Nevruzit
Me 22 mars është Dita e Nevruzit ose Dita e Sulltan Nevruzit. Që nga viti 1996, Dita e Nevruzit është festë zyrtare në Shqipëri.
Nevruzi është një festë e lashtë
pagane, me prejardhje persiane. Sot, kjo ditë në Iran, është dita e Vitit të
Ri, kurse në Shqipëri është festë fetare-zyrtare për Komunitetin Bektashi…!
Dita e Nevruzit – festë
zyrtare në Shqipëri
Si ka ndodhur kjo?
Në muajin shkurt, 1996, Kryetari i
Shqipërisë, dr. Sali Berisha
(emri duhet të shkruhet Salih), i propozoi Kuvendit Popullor që ta shpallë
Ditën e Nevruzit festë zyrtare në Shqipëri.
Kuvendi Popullor, propozimin e
kryetarit, Dr. S.Berisha, e miratoi dhe 22 marsi u shpallë festë zyrtare fetare
në Shqipëri. Kjo festë zyrtare fetare, siç thuhet, u shpallë për hir të
Komunitetit Bektashian të Shqipërisë, me këto arsyetime:
1. E kaluara atdhetare e disa
personaliteteve shqiptare që kanë qenë bektashinj, që nga Lidhja e Prizrenit e
këndej…
2. Anti-komunizmi i disa të tjerëve
gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe në kohën e diktaturës komuniste, dhe së
fundi, sepse:
3. Në Tiranë ndodhet Kryegjyshata
Botërore Bektashiane…!
Nevruzi si festë fetare gjithshqiptare!
Për herë të parë, me 22 mars 1996,
Dita e Nevruzit u festue zyrtarisht në Shqipëri. Ceremonia kryesore u zhvillue
në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane në Tiranë.
Atë ditë, fjalën e rastit e mbajti
z.Tomorr Aliko, sekretar i Kryegjyshatës. Fjalën kryesore e mbajti Haxhi Dede
Reshad Bardhi, Kryegjyshi i bektashinjve dhe më në fund fjalën përshëndetëse e
tha Kryetari i Kuvendit Popullor të Shqipërisë, z.Pjetër Arbnori, i cili ndër
të tjera tha:
“Nevruzi nuk është festë vetëm e
sektit bektashi, por edhe e të gjithë shqiptarëve…!”
Dje, Shqipëria komuniste krenohej se
ishte shteti i parë ateist në botë! Sot, Shqipëria demokratike, mburret me
tolerancën fetare, aq sa
të shpallë edhe për “sekte” festa zyrtare “fetare”..!
Pasojat e ateizmit shqiptarët i
përjetuan dhe po i përjetojnë, kurse pasojat e “sekteve” veç kanë filluar të na
helmojnë…!
Ç’është Bektashizmi?
Bektashizmi nuk është sekt, por
është një tarikat, apo udhë mistike shpirtërore,
si shumë të tjera, që ka për themel Librin Hyjnor, Kur’anin dhe Traditën apo
Sunnetin e Muhammedit (a.s.)
Pra, Bektashizmi është një udhë
mistike islame, kurse bektashinjtë janë muslimanë, por që janë edhe pjestarë të
këtij tarikati. Fjala tarikat është fjalë arabe, e cila rrjedh nga fjala
tarikah (shumësi: tara’ik) që do të thotë rrugë ose drejtim.
Rruga, udha, tarikati, apo drejtimi,
me disa metoda të veçanta, duke iu përmbajtur Sheri’atit, nën drejtimin e një
udhërrëfyesi, me anën e pastrimit shpirtërorë të largon prej egos, vetes, por
të afron drejt Krijuesit, të Vërtetës…
Bektashizmi, si shumica e tarikate
tjera në fenë Islame, e ka marrë emrin prej pasuesve, ndjekësve, nga
themeluesi, Haxhi Bektash Veliu.
Kush ishte Haxhi Bektash Veliu?
Haxhi Bektash Veliu ishte i biri i
Ibrahimit, të birit të Sejjid Musait, që ishte i biri i Sejjid Hasanit.
Sejjid Hasani ishte i biri i Sejjid
Ibrahimit, kurse ky ishte i biri Sejjid Mehdiut, i cili ishte i biri i Sejjid
Muhammedit, i biri i Sejjid Hasanit.
Sejjid Hasani ishte i biri i Ibrahim
Mukerrem Muxhabit, që ishte djali i Imam Musa Qazimit, i cili rrjedh nga
Familja e Bekuar e Muhammedit (a.s.)
Haxhi Bektash Veliu (1248-1341) ishte
një burrë i edukuar, ishte i arsimuar, një personalitet i shquar, njeri i
ditur, shpirtërisht shumë i ngritur, i udhëzuar, veprat e e tij janë më e mira
dëshmi…
Një natë, Haxhi Bektash Veliu e
kishte parë në ëndërr Pejgamberin (a.s.), i cili i kishte thënë:
“O djalë! Mbaje të pastër rrobën
tënde, që t’i përfitosh të mirat”.
Haxhi Bektashi tha se e pyeta
Pejgamberin (a.s.):
“O Pejgamber i Zotit! Po , cila
është rroba ime?”
Pejgamberi (a.s.) ishte
përgjigjur:
“Zoti ty të ka mbuluar me pesë
lloje rrobash, të cilat janë:
Rrobet e Islamit, të Imanit, të Njëshmërisë, të Njohurisë dhe të Dashurisë.
Këto janë rrobet që duhet t’i mbash pastër, nga ana e jashtme, dhe nga brenda.”
Kur e pyetën një ditë Haxhi
Bektashin se kush janë besimtarët e vërtetë? Ai kishte thënë:
“Besimtarë të vërtetë janë ata të
cilët i zbatojnë detyrimet e Sheri’atit.”
Gjatë shekujve, besimtarët muslimanë
të tarikatit bektashian vërtet ishin të mbuluar me këto pesë lloje të rrobave:
Islamin dhe Imanin e mbanin pastër, Njëshmërinë (Teuhidin) e kishin në zemër,
kishin Njohuri të lartë, kurse Dashurinë të zjarrtë…
Por, në këtë rast po kufizohem vetëm
tek Nevruzi, ç’është, nga erdhi?
Prejardhja e festës së Nevruzit
Prejardhja e festës së Nevruzit
është nga Persia. Nga Persia rrjedh edhe vet fjala Nevruz. Fjala Nevruz rrjedh
nga persishtja, madje nga persishtja e vjetër, nga fjalët: Nava = e re dhe ruzanh
= ditë, pra, që do të thotë: Ditë e Re.
Kjo festë, Ditë e Re, pra, Nevruzi
është një festë e lashtë pagane, me prejardhje persiane, që kremtohet tash e 3 000
vjetë…
Kremtohet edhe sot e kësaj dite në
Iran, por si fillim i Vitit të Ri, kremtohet edhe në Irak, Afganistan,
Uzbekistan Azerbajxhan, Turkmenistan, Kazakistan, Taxhikistan, Kurdistan dhe në
disa vende të tjera…
Kjo festë, Nevruzi, përputhet me
fillimin e pranverës, ringjalljen e natyrës, mbas dimrit të ftohtë, të gjatë,
të vështirë. Në këtë ditë është ekuinoksi, barazohet dita e nata dhe duke
filluar prej kësaj dite ka më shumë ditë, ka më shumë dritë…
Persianët e lashtë, si edhe shumë
popuj tjerë të Lindjes, besonin në bestytni: besonin se kishte ditë që sillnin
fat, sikur që besonin se kishte ditë që sillnin fatkeqësi. Por, Nevruzi i
takonte një prej atyre ditëve që sillte vetëm fatmirësi dhe e kremtonin me
madhështi…!
Historianë, hulumtues, gjurmues të
ndryshëm të lashtësisë e përcaktojnë Nevruzin si një nga festat pagane më
popullore në të gjitha kulturat e lashta në Mesopotamin e Vjetër…
Nevruzi kremtohej shumë shekuj para
se të vinte në këtë jetë Zaratustra, mësues i urtësisë, themelues i fesë së
vjetër (dualiste) persiane, rreth tetë shekuj para Krishtit ose Hazreti Isait
(a.s.)…
Kur persianët filluan të përqafojnë
fenë Islame pas vitit 650, në fillim, për dy shekuj, u ndalue kremtimi i
Nevruzit, por më vonë u lejue, për arsye tregtare-ekonomike, sepse
shkëmbeheshin dhurata, bëheshin shpenzime dhe kështu nxitej, stimulohej
ekonomia…!
Gjatë pushtimit mongol (1219-1500)
të atyre viseve, kjo festë, Nevruzi, u ndalue sërish.
Në periudhën e sundimit të dinastisë
së mbretërve Safavidë, pas vitit 1500, Nevruzi dalngadal fillojë të kremtohej,
por gjithnjë si kremte e fillimit të Vitit të Ri, si fillim i pranverës, si një
Ditë e Re…
Me ngadhnjimin e Revolucionit
Islamik në Iran (1979), prijësi i Revolucionit Islamik, Imam Humeini e dënoj
këtë kremte si një festë pagane, jo islame, por me kalim kohe, meqë nuk
rrezikohej Republika Islamike e Iranit, në heshtje u lejue për t’u kremtue…!
Nevruzi, përveç Iranit, kremtohet në
Afganistan, Hindi, Armeni, Azerbejxhan, Gjeorgji, Irak, Pakistan,, Kazakistan,
Kirgistan, Rusi, Siri, Taxhikistan, Turqi, Liban, Turkmenistan, Kurdistan,
Uzbekistan etj. Nëpër disa vende nëpër botë, Nevruzi kremtohet edhe nga grupet
fetare si Baha’itë, Babitë, Alevitë dhe Ismailitë. Ismailitë, një degë e madhe
nga Islami Shi’it, e festojnë Nevruzin në frymën e falënderimeve për All-llahun
(xh.sh.), për dhuntitë e mirësitë e Tij.
Nevruzin e përkujtojnë, e kremtojnë
edhe në trojet shqiptare disa nga tarikatet, por jo të gjitha…E kremtojnë, ndër
të tjerë, kaderitë, rifa’itë, sa’aditë, halvetitë, nakshibenditë, bektashinjt, por
jo si fillim i Vitit të i Ri, por si ditëlindja e Imamit Ali!
Dita Ndërkombëtare e Nevruzit është regjistruar në Listën UNESCO-s si Trashëgimi Kulturore e Njerëzimit më 23 shkurt, 2010. Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në vitin 2010 e ka njohur 21 Marsin si Dita Ndërkombëtare e Nevruzit, duke e përshkruar atë si një festival pranvere me prejardhje persiane e cila është festuar për më shumë se 3000 vjet dhe duke u bërë thirrje vendeve të botës për të nxjerrë në dukje historinë e pasur për të promovuar paqen dhe vullnetin e mirë.