Kosova

Manifestohet Nata e Zjarreve në Prekas dëshmi e martirizimit dhe fitores së Kosovës

Me Natën e Zjarreve” në Prekaz, është përmbyllur manifestimi tradicional “Epopeja e UÇK-së”, që i kushtohet sakrificës dhe veprës sublime të komandantit legjendar të UÇK, Adem Jashari dhe të familjes Jashari, për lirinë e vendit, për shtetin sovran dhe të pavarur të Kosovës, në 19-vjetorin e rënies së ikonës së luftës së UÇK, të 20 anëtarëve të familjes së tij dhe të 36 jasharëve të tjerë, në luftën e lavdishme të 5,6 dhe 7 marsit të vitit 1998.

Gjatë tri ditë të manifestimit, mijëra qytetarë nga anë të ndryshme të Kosovës, si dhe qytetarët nga të gjitha trojet etnike dhe nga Diaspora, kanë nderuar figurën emblematike të lirisë së Kosovës, komandantin legjendar Adem Jashari, familjen Jashari dhe gjithë dëshmorët dhe të rënët për liri.. Kanë nderuar në Prekaz edhe krerë të institucioneve të shtetit, liderë të subjekteve politike, ish-luftëtarë dhe delegacione të komunave të Kosovës, të cilët sakrificën e Jasharëve dhe të ikonës së luftës së UÇK-së e kanë vlerësuar si rast të pashembullt të dashurisë dhe vetëmohimit për atdheun.

Komandanti legjendar dhe familja e madhe Jashari, janë cilësuar si pjesë përbërëse e identitetit tonë kombëtar, simbol i bashkimit të të gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë, ata që bënë kthesën në historinë e popullit shqiptar të Kosovës, shkruan.

Në momentin që janë ndezur 56 flakadanët përreth kompleksit të varrezave të dëshmorëve të Jasharëve, ka shpërthyer zjarri nga kulla e improvizuar, që për simbolikë kishte ndezjen e zjarri të luftës dhe shpërndarjen në të gjitha pjesët e vendit

Pjesa artistike e manifestimit qendror “Nata e Zjarreve“është mbajtur në sheshin “Adem Jashari” në Skenderaj dhe ka zgjatur deri vonë.