Mogherin: Demarkacioni me Malin e Zi mbetet kusht i pandryshuar për liberalizimin e vizave për Kosovën
Njohësit e zhvillimeve politike në Prishtinë, konsiderojnë se përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini, pas vizitës në Kosovës, ishte e qartë në mesazhet dhe kërkesa e saj për udhëheqësit e institucioneve.
Analisti Imer Mushkolaj thotë për Radion Evropa e Lirë, se zyrtarja e BE-së pas vizitës në Kosovë, ishte e qartë se nëse votohet demarkacioni, BE-ja do të lëvizë shumë shpejt në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.
"Porosia e Brukselit ishte e qartë. Liderëve kosovarë iu mbetet të gjejnë konsensus, në mënyrë që të zhbllokojnë procesin. Çdo zvarritje do ta dëmtojë vendin dhe qytetarët", vlerëson Mushkolaj.
Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini, ripërsëriti mesazhin e Brukselit se demarkacioni me Malin e Zi mbetet kusht i pandryshuar për liberalizimin e vizave për Kosovën.
“Është koha e fundit ta ratifikoni Marrëveshjen me Malin e Zi dhe kjo do ta zhbllokojë liberalizimin e vizave. Ky vendim është në duart e Kuvendit të Kosovës”, deklaroi Mogherini.