Serbia

Serbia mohon që ka zhdukur dëshmit e krimeve në Kosovë

Ministria e Mbrojtjes e Serbisë, në një përgjigje thotë se “Ministria  asnjëherë nuk ka fshehur dokumentacionin për krimet e pretenduara të kryera gjatë periudhës së konfliktit në territorin e Kosovës dhe Metohisë në vitin 1999, dhe as gjatë zhvillimeve të tjera të luftës në hapësirat e ish-RSFJ-së”.

Radio Evropa e Lirë shkruan se para një muaji i është drejtuar Ministrisë me pyetje, pasi Fondi për të Drejtën Humanitare me 31 janar ka publikuar dosjen “Zhdukja e dëshmive të krimeve gjatë luftës në Kosovë: Operacioni i fshehjes së trupave”.

Në dokument thuhet se ‘fshehjen e trupave të viktimave të krimeve të luftës e ka organizuar dhe kryer atëbotë kreu shtetëror, policor dhe ushtarak, punëtorët e ndërmarrjeve shtetërore dhe publike, por edhe gjykatësit dhe prokurorët’.

Pohohet se Slobodan Milosheviqi ‘i ka dhënë urdhër ministrit të atëhershëm të policisë Vlajko Stojilkoviq që të sanojë terrenin, me qëllim të shmangies së përgjegjësisë penale për krimet’.