Mediat serbe akuza të rënda për Nikoliq: “Sa kushton fytyra”
Fushata zgjedhore presidenciale në Serbi po hyn në pjesën më të ashpër të saj. Mediat e kontrolluara nga Kryeministri aktual në Serbi, Aleksandar Vuçiq po bëjnë akuza nga më të rëndat për Nikoliq-in.
Një akuzë e tillë do të paraqitet sot para qytetarëve të Serbisë në gazetën beogradase Blic, që njëkohësisht ka edhe portalin e vet, i ranguar si portali numër një në Serbi për nga vizitat.
Kjo gazetë në ballinë e ka titullin “Sa kushton fytyra” duke dhënë edhe detaje që rusët i kanë dhënë Nikoliq-it 20 milionë euro për fushatën zgjedhore presidenciale.
Sipas informatave të pakonfirmuara, Presidenti aktual, Tomisllav Nikoliq, pasi që deshtoi të marrë aprovimin e partisë së tij për kandidaturën për mandatin e dytë presidencial, i ka shkruar një letër partisë ku ka kërkuar një lloj tregtie, duke hequr dorë nga kandidatura presidenciale në shkëmbim të pozitës së Kryeministrit të Serbisë dhe udhëheqësit të partisë më të madhe në Serbi – SNS.
Një zyrtar i partisë SNS ka thënë për media se oferta e Nikoliq-it është refuzuar, pa specifikuar detajet.