Kosova

Serbia dhe Kosova duhet të këmbejnë territoret

Ish ambasadori britanik në ish Jugosllavi Ivor Roberts ka deklaruar se Serbia dhe Kosova duhet të këmbejnë territoret, pasi sipas tij kjo është mënyra e vetme për të arritur paqe të përhershme dhe stabilizim të marrëdhënieve në mes tyre. Robertsi i cili ishte ambasador i Britanisë së Madhe në Jugosllavi prej vitit 1994 gjer në vitin 1997, të martën në shkollën ekonomike të Londrës ka bërë promovimin e librit të tij”Bisedat me Millosheviqin”, në të cilin ka marr pjesë edhe ambasadori i Serbisë në Londër. Robertsi në fjalimin e tij të rastit përveç tjerash ka thënë se shtetet multietnike janë ideale, por do të duhej në praktikë të këmbehet Lugina e Preshevës me Veriun e Kosovës, i cili do të ishte mënyra e vetme për stabilizimin e marrëdhënieve dhe të sigurohet se Serbia të pranojë pavarësinë e Kosovës.

Ai ka shpreh shpresën se kufijtë në Ballkan, si kudo tjetër, do të bëhen më shumë”simbol i ndryshimeve”, e jo i ndarjeve, por ceku se kjo do të ndodh vetëm atëherë kur bashkësitë nacionale të ndryshme do të ndihen të sigurtë dhe stabil në kuadër të entitetit të vet. Në pyetjen se çfarë do të thotë këmbimi etnik i territoreve për pjesën tjetër të rajonit, posaçërisht për Maqedoninë dhe Bosnjën e Hercegovinës, Robertsi ka thënë se recesioni i entitetit serb në Bosnjë, Republika Sërpska vështirë do të realizohej pasi do të ishte kundërshtimi ashpër tek boshnjakët e Bosnjës. I pyetur se mbështetja e Perëndimit pavarësisë së Kosovës e ka shtyrë Serbinë drejt Rusisë. Robertsi u përgjigj se ndikimi i rritur i Rusisë në Ballkan është pasoja e”zgjimit të Rusisë”, e cila ka ndodh pa marr parasysh nga situata e ndodhur në Kosovë. Robertsi ka thënë se në kohën sa ishte duke shërbyer si diplomat në Ballkan Rusia ishte fuqi e “margjinalizuar” në Ballkan, por tani kjo ka ndryshuar , dhe se tani Rusia po demonstron ndikim vendimtar në luftën e Sirisë. Ai ka folur, se si ambasador britanik në Beograd në fund të viteve 90-ta është përpjekur kot për të bindur liderin serb Millosheviq që të ndalojë politikën e represionit të dhunshëm në Kosovë. Robertsi megjithatë ka cek se shkaqet e krizës së Kosovës rrjedhin shumë kohë më parë, nga Konferenca e ambasadorëve në Londër, me të cilin janë vendosur kufijtë e rinjë në Ballkan pas Luftërave ballkanike 1912-1913, me ç’rast gjysma e popullatës shqiptare është lënë jashtë Shqipërisë. Para ca kohësh edhe kongresmeni republikan amerikan Dana Rohrabacher ka deklaruar për mediat shqiptare se duhet ridefinuar kufijtë në Ballkan, duke thënë se:Shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë duhet të jenë pjesë e Kosovës, ndërsa pjesa e mbetur e Maqedonisë pjesë e Bullgarisë apo ndonjë vendi tjetër me të cilin konsideron se e kanë të afërt”.

Burimi: Al Jazeera