Nojkiq në Bruksel: Pres këto tensione të bien
Takimi i zhvilluar në Bruksel më 24 janar, ndërmjet përfaqësuesve të nivelit të lartë politik të Kosovës dhe Serbisë, me lehtësimin e Zyrës së përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, ka synuar uljen e tensioneve ndërmjet dy vendeve, që u shpërfaqën javëve të fundit nëpërmjet një retorike të ashpër nga autoritetet e të dyja vendeve.
Por, pavarësisht takimit të së martës në Bruksel, retorika e ashpër nga të dyja palët ka vazhduar edhe më tej, duke ngritur pikëpyetje nëse dialogu i rinisur me nivel të lartë të përfaqësimit politik, do të mund t’i ulë tensionet, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në vend, shqiptarë dhe serbë.
“Realisht, duhet të konstatohet një gjendje, e cila ka të bëjë me qëllimin e kundërt karshi objektivave që janë parashtruar drejt normalizimit të raporteve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Pa e bërë një analizë të mirëfilltë se çfarë janë të arriturat dhe dështimi, nuk mund të ecim në drejtimin e duhur, pavarësisht se kush do të jetë në përfaqësimin eventual të ri, pavarësisht se çfarë platforme do të shtrohet eventualisht në vazhdimin e dialogut”, thekson Beqaj.
“Pres që këto tensione të bien, para së gjithash për shkak se në mënyrë shumë të qartë u është bërë me dije Beogradit dhe Prishtinës, se duhet t’i vazhdojnë bisedimet dhe t’i zgjidhin problemet përmes bisedimeve, si dhe që duhet të dërgojnë porosi të tilla që nuk i ngritin tensionet. Unë jam gati se i bindur se e gjithë kjo do të zgjidhet, por se sa kjo do të bëhet shpejt, kjo është çështje e veçantë. Por, mendoj që në qoftë se janë afatizuar zgjidhjet e disa problemeve, atëherë ato probleme duhet të zgjidhen brenda afateve”, thotë Nojkiq.
Në anën tjetër, pas vazhdimit të retorikës së ashpër edhe pas takimit të fundit në Bruksel, zyra e Mogherinit ka reaguar duke kritikuar pjesëmarrësit e takimit se kanë dhënë deklarata publike për zhvillimet në takim, pavarësisht pajtimit që të mos e bëjnë këtë.