15 fëmijë të vrarë nga snajperët e Daesh (ISIS-it) në Mosul
Të paktën 15 fëmijë janë vrarë nga snajperët e Daesh-it gjatë dy ditëve të fundit në qytetin verior të Mosulit, sipas një oficeri të ushtrisë irakiane.
"Snajperët e Daesh-it kanë në shënjeshtër fëmijët ndërsa ata përpiqen të largohen me familjet e tyre nga Mosuli nën kontrollin e ushtrisë", tha të enjten për Agjencinë Anadolu, oficieri ushtarak, Nazhan al-Kassem.
"Brenda dy ditëve të fundit, të paktën 15 fëmijë janë vrarë në këtë mënyrë", tha ai.
Nazhan Al-Kassem vazhdoi të pohojë se grupi terrorist ka në shënjestër fëmijët, si një mjet për të frenuar panikun që ka goditur banorët lokalë të cilët përpiqen të largohen nga pjesët e qytetit që janë ende nën kontrollin e ISIS-it.
Në një zhvillim lidhur me këtë, Ijad Rafed, një zyrtar irakian i Gjysmëhënës së Kuqe, tha për Agjencinë Anadolu se gjatë dy ditëve të fundit rreth 2,150 refugjatë – duke përfshirë shumë gra dhe fëmijë – janë larguar nga pjesët e lindore dhe veriore të Mosul-it që janë çliruar kohët e fundit nga ushtria.
Sipas Ijad Rafed, civilët po largohen nga zona e "çliruar" për shkak të kushteve të këqija humanitare - duke përfshirë mungesën e ushqimit dhe granatimet e vazhdueshme nga militantët e Daesh-it (ISIS-it).
Të martën, zyrtarët e qeverisë irakiane thanë se numri i përgjithshëm i banorëve të Mosulit që kanë ikur nga lufta në qytet në javët e fundit janë rreth 80,000.
Daesh (ISIS) ka pushtuar Mosulin, së bashku me sipërfaqe të mëdha të Irakut verior dhe perëndimor, në mes të vitit 2014.
Për 45 ditët e fundit, ushtria e Irakut – e mbështetur nga avionët e koalicionit të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në terren kanë luftuar për të rimarrë Mosulin, që dikur konsiderohej qyteti i dytë më i populluar i Irakut.
Burimi: Anadolu News Agency