Pajtimi i Serbisë me Kosovën është i mundur, deklaroi Thaqi
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot rreth 30 të rinj të Nismës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR), nga Kosova dhe Serbia me të cilët ka biseduar rreth marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Ai ka thënë se pajtimi midis Kosovës e Serbisë është i mundur.
“Shpresoj që të kemi një fuqizim të dialogut, me prioritete më të larta politike në të ardhmen e afërt mes Kosovës dhe Serbisë, që do të rezultonte edhe me një traktat apo marrëveshje të paqes, fqinjësisë, miqësisë dhe pajtimit”, ka shprehur presidenti Thaçi.
Gjithashtu Presidenti Thaçi ka theksuar se dialogut po i kontribuojnë edhe të rinjtë në Kosovë e Serbi dhe se një forum i tillë është shpresëdhënës se dy shtetet dhe popujt do ta tejkalojnë konfliktin qindra vjeçar.
“E kaluara jonë 100 vjeçare mes Kosovës dhe Serbisë ka qenë me probleme, konflikte, armiqësi dhe me urrejtje. Dhimbja është e njëjtë për atë që i është vrarë burri, pa dallim etnie. Ekziston domosdoshmëria për ta zgjidhur njëherë e përgjithmonë çështjen e të pagjeturve, që është edhe çështje humanitare. Në takimin që kam zhvilluar me dy organizatat që përfaqësojnë familjet e të pagjeturve, me organizatën shqiptare dhe atë të serbëve të zhdukur, kam kërkuar që kjo çështje urgjentisht të shtrohet për zgjidhje në Bruksel”, ka thënë presidenti Thaçi.