Serbia do ta njohë Kosovën ka deklaruar Tahiri
“Kosova do të jetë anëtare e OKB-së, ndërsa Serbia e izoluar nga Perëndimi”. Kështu ka deklaruar ministrja kosovare për Dialog, Edita Tahiri, duke reaguar ndaj deklaratës së ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiç, se Serbia do të pengojë anëtarësimin e Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare.
Tahiri theksoi se përderisa Kosova dhe të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor kanë zgjedhur qartë drejtimin properëndimor dhe integrimet euroatlantike, Serbia ka mbetur në udhëkryq mes Perëndimit dhe Rusisë. Këto dilema diplomatike të Serbisë, siç u shpreh ajo, do ta lënë Serbinë të izoluar nga Perëndimi. “Kosova, edhe pse një shtet i ri, ka orientimet e saj, si i gjithë kombi shqiptar, që janë tradicionalisht properëndimore.
Serbia e di që do ta njohë pavarësinë e Kosovës para anëtarësimit në BE, sepse “Kapitulli 35 kërkon qartë nga Serbia normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore me Kosovën, respektimin e marrëveshjeve të Brukselit, zhbërjen e strukturave paralele të saj në Kosovë dhe në fund të këtij procesi Serbia, për të dëshmuar fqinjësinë e mirë do ta njohë pavarësinë e Kosovës, nëse vërtet aspiron anëtarësimin e vet në BE”, përfundoi Tahiri fjalën e saj.