Edi Rama nënshkruan për autostradën Nish Durrës, ndërsa Thaqi nuk është në njohuri
Presidenti i Republikës së Kosovës , Hashim Thaçi, deklaroi në intervistë në mediat e Tiranës se qëndrimet e kryeministrit Edi Rama gjatë vizitës në Beograd, i ka ndjekur dhe sipas tij, kanë qenë parimore.
I pyetur për nënshkrimin e një marrëveshje bilaterale nga ana e qeverisë shqiptare dhe asaj serbe për autostradën Durrës Nish pa qeverinë e Kosovës, Thaçi deklaroi se një marrëveshje e tillë nuk ekziston në dijeninë e tij.“ Nuk e kam lexuar ndonjë projekt të tillë për autostradën Nish-Durrës”, tha Thaçi.
Sipas tij, në takimin e parë në Bruksel kur ai ishte kryeministër e ku ishte edhe Ivica Daçiq, në atë kohë kryeministër i Serbisë, me vullnetin e dyanshëm, është nënshkruar projekti i autostradës Prishtinë-Durrës. “ Nuk është përmendur asnjë vend tjetër”.
“Shqipëria duhet ta përfundojë autostradën nga Miloti në Durrës dhe është më mirë sesa të mendojë për vendet e tjera”. Ndërkohë, ai tha se mohimi i kontributit të Shqipërisë për pavarësinë e Kosovës, është injorancë komplete. Sipas Thaçit, në kuptimin e bashkëpunimit Tiranë-Beograd, nuk kanë çfarë të pajtohen sepse ata të pajtuar kanë qenë.