Xhamia e Sejdi beut(Kurillës)
Është ndërtuar në shekullin XVII-të nga ana e Sejdi beut i cili ishte vëllau i Maksut Pashës. Këtë xhami gjatë kohës së vet gjatë së cilës ka jetuar e ka rinovuar Dervish beu dhe ia ka caktuar hatibin e xhamisë.
Mehmet Tahir efendiu për xhaminë e Sejdi beut në kronikën e tij ka shkruar përveç tjerash:”I dyti prej tyre Sejdi beu ka ndërtuar një xhami tek ne, aty falen përherë të gjitha kohët e namazit. Sejdi beu ka ndërtuar po ashtu një faltore në Kurillë, Dervish beu e ka rinovuar dhe ka vënë hatibin”[1].
Këtu duhet të bëjmë një sqarim, se xhamia e gjertanishme në Shadërvan, prapa ish shtëpisë së mallrave, e cila gjer tani ka qenë e njohur si xhamia e Sejdi beut, në të vërtet nga shënimet e reja që i analizuam më parë, del se ajo ka qenë xhamia e Ajas beut, dhe se Sejdi beu atë e ka rinovuar apo edhe e ka rindërtuar, pasi që gjatë kohës xhamia e Ajas beut ka pësuar dëmtime për shkak të materialit të dobët të ndërtimit. Ndërsa në mahallën e Kurillës e ka ndërtuar mesxhidin më parë, e pastaj Dervish beu e ka rinovuar dhe e ka shndërruar në xhami, pasi ia ka ndërtuar edhe mimberin për t’u falur edhe namazi i xhumasë, nga kjo mund të konkludojmë se Sejdi beu ka ndërtuar një xhami të re, atë në mëhallën e Kurillës, dhe një xhami ka rinovuar apo rindërtuar, atë të Ajas beut.
Në popull kjo xhami përndryshe njihet me emrin xhamia e Kurillës, pasi që gjendet në mahallën e quajtur Kurillë. Në oborrin e saj gjatë viteve nëntëdhjeta është nisur ndërtimi i xhamisë së re e cila u përfundua tek pas luftës në Kosovë, në vitin 2000 me ç’rast u bë edhe hapja solemne. Është xhami e bukur, funksionale dhe në një pozitë qendrore të lagjes së Kurrillës në të cilin graviton, ndërsa xhamia e vjetër së bashku me minaren e saj të ultë, ndërtuar nga Sejdi beu akoma qëndron pranë xhamisë së re të ndërtuar me minare të lartë.
[1] Nehat Krasniqi:”Kronika(Menakib) e Tahir efendiut, burim i rëndësishëm për historinë e kulturës në Prizren gjatë periudhës turko-osmane”, Edukata Islame, nr.57, Prishtinë, 1995, fq.90