Kosova

Kisha ortodokse të rrënohet apo të bëhet muze – dilemë e papërfunduar

Kisha e papërfunduar ortodokse në kampusin e Universitetit të Prishtinës dhe fati i këtij objekti zgjojnë interesim të madh në shoqërinë kosovare. Pothuaj secili e ka një version të veten se si duhet vepruar me kishën, të gjitha këto propozime me karakter të intervenimit fizik, nga rrënimi e deri te shndërrimi i saj në hapësirë muzeale. Qëllimi i këtij shkrimi është të argumentojë qasjen e mosndërhyrjes fizike në objektin e kishës dhe shkon përtej argumenteve pronësore e të dokumentacionit ligjor (leja e ndërtimit), për ç’gjë ekziston një kontest gjyqësor në zhvillim e sipër.

Cili është identiteti urban i Prishtinës?

Diskutimi mbi këtë kishë si rast i izoluar paraqet vazhdimësi të qasjes parciale ndaj hapësirës publike të Prishtinës. Në gjithë këto vite të pasluftës, debati publik – ndonëse rëndom i kufizuar – ka qenë i orientuar në trajtimin veç e veç të rasteve mbi ndërtesat publike, sheshet, infrastrukturën, memorialet dhe elementet tjera përbërëse të hapësirës publike. Ndër rastet më të ndjeshme të kësaj periudhe kanë qenë katedralja katolike, xhamia e re, sheshet qendrore të qytetit, hotel “Unioni”, qendra historike dhe të ngjashme.

Asnjëherë deri më tani banorët e Prishtinës nuk e kanë zhvilluar diskutimin mbi Prishtinën që ata e dëshirojnë. Pyetjet si “Çfarë identiteti duhet të ketë qyteti?”, “Si ndikon hapësira publike në formësimin e identiteteve partikulare?”, “Cili duhet të jetë balanca mes sekulares dhe fetares në hapësirën publike?” vazhdojnë të mbeten pa përgjigje të qartë.

Prandaj, paralelisht me diskutimet për rastet e veçanta, shoqëria ka nevojë për një diskutim demokratik mbi identitetin e Prishtinës. Dhe, pa një vizion më të gjerë mbi hapësirën publike të qytetit si burim identitetesh, çdo zgjidhje e prodhuar për rastet e veçanta, si ai për kishën në kampusin e UP-së, rrezikon të prodhojë pasoja degraduese.

Ndërtimi i një objekti kishtar në hapësirën e Universitetit të Prishtinës ishte manifestim i politikës së dominimit dhe aparteidit. Ky akt përbënte sulm të drejtpërdrejtë në vetë qenien dhe rrugën e emancipimit të një shoqërie, pra në sistemin e arsimit, që veç tjerash kishte edhe funksion të rezistencës politike ndaj regjimit shtypës të Millosheviqit. Ndërtimi i kishës ishte projekt i përbashkët i shtetit serb dhe Kishës Ortodokse Serbe që synonte të ndërhyjë edhe fizikisht në sistemit arsimor të Kosovës.

Kujtesa dhe harresa kolektive

Pikërisht për arsyet që u përmendën më lart, ne duhet ta ruajmë kujtesën për këtë kishë dhe ta përcjellim tutje gjithë narracionin politik rreth saj. Ky objekt paraqet dëshminë më të qartë fizike të një prej periudhave më të vështira të shoqërisë sonë. Edhe ashtu, ne i kemi zhdukur pothuaj të gjitha dëshmitë dhe gjurmët fizike të rezistencës paqësore dhe luftës së fundit. Rreziku më i madh i harresës kolektive është mundësia për të mos nxjerrë mësime nga e kaluara shkatërruese, që shpesh rezulton me përsëritje të së keqes. Kisha le të mbetet aty ku është dhe ashtu si është dhe le të na shërbejë si një përkujtues i bukur dhe i shëmtuar në të njëjtën kohë se nëpër çka kemi kaluar si shoqëri. Si përkujtues i asaj që na kanë bërë dhe që ne nuk duhet t’ia bëjmë të tjerëve.