Xhamia e Budak hoxhës ( Troshanit)
Xhamia e Budak hoxhës ( Troshanit)
Është ndërtuar në gjysmën e dytë të shek. XVI-të, aty në mes viteve 1550-1570 nga Budak hoxha. Për mesxhidin e tij të ndërtuar Budak hoxha ka lënë vakëf shumën prej 40.000 akça për mirëmbajtjen e saj, shkruan në defterin e sanxhakut të Prizrenit të vitit 1571[1].
Mehmet Tahir efendiu në Kronikën e tij të shkruar gjatë shek. XIX e përmend edhe xhamin e Budak hoxhës për të cilin thotë:”Dhe prej tyre është hoxhë Budaku që ka ndërtuar një xhami të pajisur në skajin më të largët të Rumelisë, në Prizrenin tonë...”[2].
Në vitin 1869 Mehmed Tahir efendiu e ka ndërtuar mimberin e xhamisë, dhe pas kësaj janë falur edhe namazet e xhumasë dhe bajrameve, ndërsa ka shërbyer si imam djali i tij Rizau. Në vitin 1911 është rinovuar tërësisht dhe ka pasur një pamje të bukur, para xhamisë ka pasur edhe çeshmen(krojin) e vet. Për nder të restaurimit të xhamisë haxhi Ymer Lutfi Paçarizi ia ka kushtuar edhe një vjershë me titull”Për nder të renovimit të xhamisë së Budak hoxhës”[3]
Në popull ishte e njohur me emrin xhamia e Troshanit sipas mahallës së quajtur Troshan. Por kjo xhami nuk arriti të mbijetojë si pasojë e vendimeve të zyrtarëve lokal komunist të cilët në vitin 1955 e rrënuan xhaminë dhe në vend të saj ndërtuan kompleksin e përbërë prej stacionit policor, burgut, gjykatës, njësisë së zjarrfikësve, të cilët objekte edhe në ditën e sotme gjenden aty.
[1] Т, Катић, Опширни
попис Призренског санџака из 1571. године, Београд: Историјски институт,
2010 , fq.553