Xhamia e Emin Mehmedit
Kjo xhami ishte ndërtuar në gjysmën e dytë të shek. XVI-të, pas vitit 1550 aty diku kah vitet 60-ta të shekullit XVI-të. Ajo gjendet e shënuar në defterin e sanxhakut të Prizrenit në vitin 1571. Ndërtuesi i saj ka qenë Emin Mehmedi, i cili në vitet 30-ta të shekullit XVI-të ishte drejtor apo menaxher i minierës së atëhershme aktive në Korishë të Prizrenit. Xhamia ka qenë në mahallën e Jazixhi(Çatib) Sinanit, në anën e djathtë të saj, diku kah tregu i bulmetit të dikurshëm apo në parkun e vogël të tanishëm ekzistues . Në ndërkohë shtëpitë që kanë qenë afër saj, në atë kohë kanë qenë të njohura edhe si mahalla e Emin Mehmetit. Në defterin(regjistrin) e sanxhakut të Prizrenit të vitit 1571, ceket se për mirëmbajtjen e mesxhidit të vet, Emin Mehmeti ka lënë vakëf shumën prej 70.000 akçash[1].
Sikurse xhamia e Levishës ashtu edhe xhamia e Emin Mehmedit janë dy xhami dikur ekzistuese në Prizren, që për herë të parë hasim shënime për ekzistimin e tyre në Prizren, që gjer tani nuk kanë qenë të njohura si për hulumtuesit dhe studiuesit e ndryshëm që janë marrë me trashëgiminë kulturore të Prizrenit, e njashtu edhe për opinionin e gjerë shqiptar. Edhe kjo xhami ka pësuar fatin e xhamisë së Levishës, është rrënuar me rastin e pushtimit të përkohshëm të Prizrenit nga ana e austriakëve në krye me gjeneralin Pikolomini në vitin 1689, dhe më pas nuk është rindërtuar, me siguri për shkak të asaj se ka qenë në afërsi të xhamisë së Jazixhi(Çatib) Sinanit, dhe nuk ka pas nevojë për shkak të distancës së afërt me xhaminë ekzistuese të tanishme.
[1] Т, Катић, Опширни попис Призренског санџака из 1571. године, Београд: Историјски институт, 2010. fq.553