Xhamia e Kukli Mehmed beut (Saraçhanes)
Gjendet në lagjen e Saraçhanes, atë e ka ndërtuar në vitin 1534 Kukli Mehmet beu i cili ishte donator i njohur me prejardhje nga Anadolli, ishte djali i Hëzër Kukës dhe nipi i Ilijas Kukës. Është e njohur dhe e ruajtur Vakëfnameja e Kukli Mehmed beut nga viti 1538.
Në Vakëfnamen e Mehmet Kukli beut të vitit 1538 për xhaminë e Kuklibeut shkruan:” Ka përcaktuar që hatibit të xhamisë së tij të ndershme në Prizren t’i jepen katër akça në ditë, mualimit dy akça, zëvendësit të tij një akça në ditë, dy myezinëve nga dy akça në ditë dhe secilit kajim (mirëmbajtës) nga gjysmë akça në ditë”[i].
Në regjistrin e vakëfeve të defterit të sanxhakut të Prizrenit të vitit 1571 është e regjistruar xhamia e Kukli Mehmet beut, në atë kohë i ndjerë pasi ka ndërruar jetë. Vakëfi i xhamisë së tij ka qenë në shumën prej 73.000 akça, dhe përbëhej nga të ardhurat që vinin nga 113 dyqane, mullirit me 5 gurë dhe dy kopshte. Poashtu ka ekzistuar edhe vakëfi i zonjës Hyrije, bashkëshortes së Mehmet Kukli beut të ndjerë i cili ishte në shumën prej 3.300 akça, të ardhurat që vinin nga 15 dyqane, e të cilët ishin të dedikuara për rregullimin e çeshmeve (krojeve) në qytetin e Prizrenit[ii].
Edhe në Kronikën e Mehmet Tahir Efendiut kemi të dhëna të shkruara për xhamin dhe ndërtuesin e saj Mehmet Kukli beu, për të cilin thotë: ” Quhet Mehmet beg me ofiqin Kukli, ka ndërtuar xhaminë më të këndshme në qytetit tonë. E ka gjallëruar atë me plot vakëfe të pasura, që zgjerojnë e furnizimet e nëpunësve tek ne”[iii].
Në vitin 1538 e ka zyrtarizuar Vakëfnamen e tij, e cila njihet si Vakëfnameja e dytë në Prizren, pas Vakëfnames së Suzi Qelebiut, në të cilin përshkruan tërë pasurinë e tij që ka lënë vakëfe se kujt i është dedikuar dhe si do të duhet të menaxhohet.
Me të vërtet Mehmet Kukli beu ka qenë donator më i madh që njihet jo vetëm për vakëfet e lëna në Prizren, por gjithandej Perandorisë Osmane në atë kohë gjatë së cilës ka jetuar dhe vepruar.
Mehmet Kukli beu ka ndërtuar edhe në Opojë, gjegjësisht në fshatin Zinovë (Brodosan), aty ka ndërtuar një saraj, një xhami, një teqe, një tyrbe dhe një çeshme. Mehmet Kukli beu ka ndërruar jetë në vitin 963 hixhri/ 1555/56 gregorian[iv].
Xhamia viteve nëntëdhjeta është rinovuar tërësisht dhe është në gjendje të mirë funksionale Në popull njihet me emrin xhamia e Saraçhanes sipas lagjes në të cilin graviton, gjendet përball hamamit të Gazi Mehmed Pashës, mbrapa Postës kryesore të Prizrenit.
[i] Hasan Kaleshi-Ismail Rexhepi:”Kukli begu dhe vakëfnimet e tij”, Edukata Islame, nr.83, Prishtinë, 2007, fq.219
[ii] Т, Катић, Опширни попис Призренског санџака из 1571. године, Београд: Историјски институт, 2010, fq.551-552
[iii] Nehat Krasniqi:”Kronika(Menakib) e Tahir efendiut, burim i rëndësishëm
për historinë e kulturës në Prizren gjatë periudhës turko-osmane”,
Edukata Islame, nr.57, Prishtinë, 1995, fq.80
[iv] Vırmiça, Raif:’’Prizren Camileri’, Prizren, 1996, fq.60