Tre shqiptar kosovar të vrarë në sulm në Munih
Ministria e punëve të jashtme të Kosovës ka kumtuar se tre shqiptar me prejardhje nga Kosova janë vrarë gjatë sulmit në Munih. Edhe një person me prejardhje nga Kosova është plagosur rëndë. Bashkësia e shqiptarëve në Gjermani ka bërë publike identitetin e viktimave. Fjala është për dy vajza shqiptare të reja të moshës 14 vjeçare dhe një të riu të moshës 21 vjeçare, ndërsa është plagosur rëndë tinejxheri i moshës 14 vjeçare.
Ministritë e punëve të jashtme të vendeve tjera të rajonit kanë informuar se prej shtetasëve të tyre askush nuk ka humbur jetën. Më vonë është publikuar se në sulm të përgjakshëm që ndodhi në Munih të Gjermanisë janë vrarë edhe tre persona me prejardhje turke dhe një person me prejardhje greke.
Ministri i jashtëm turk Mevlut Çavushogllu ka konfirmuar se janë identifikuar tre viktima me prejardhje turke, e që ishin dy tinejxher dhe një grua.
Kancelarja gjermane Angela Merkel është paraqitur para opinionit publik lidhur me sulmin vrasës në Munih dhe ka deklaruar se shteti është në pikëllim të thellë.
“Bashkë ndiejmë me ata të cilët kurrë më nuk do të kthehen familjeve të tyre dhe shprehim pikëllimin tonë të thellë”, ka porositur Angela Merkel.
Sulmuesi ishte tinejxheri gjerman 18 vjeçar me prejardhje iraniane i cili u lind dhe u rrit në Munih të Gjermanisë. Ka vijuar shkollën e mesme. Shefi i policisë gjermane bavareze ka deklaruar se sulmi nuk ka pas kurrfarë lidhje me refugjatë, dhe as që sulmuesi ishte i lidhur me grupin terrorist të ISIS-it. Nuk ka pasur dosje kriminale, e as që ishte i njohur policisë për ndonjë vepër të kryer kriminale.
Gjithsejtë në sulm janë vrarë 10 persona, duke përfshirë edhe sulmuesin, ndërsa 27 të tjerë janë plagosur. Në mesin e viktimave ishin shtatë tinejxher. Sulmuesi ishte identifikuar si gjerman 18 vjeçar me prejardhje iraniane. Është gjetur i vrarë në afërsi të qendrës tregtare, dhe supozohet se ka kryer vetëvrasje.