Xhamia e Haxhi Kasëmit( Toskës)
E ka ngritur haxhi Kasëmi me gjasë para vitit 1520, pas ndërtimit të xhamisë së Suzi Qelebiut në vitin 1513.
Në Kronikën e Mehmet Tahir efendiut për xhamin e Haxhi Kasëmit thotë se e ka ndërtuar rrobaqepësi i Mehmet Kukli beut , e që e quanin me emër haxhi Kasëmi[i].
Në Vakëfnamen e Kukli beut të vitit 1538 përmendet se ka ekzistuar kjo xhami por viti i saktë i ndërtimit nuk dihet pasi që nuk është ruajtur mbishkrimi i ndërtimit të parë. Në Vakëfnamen e Kukli beut për xhamin e haxhi Kasëmit shkruan:” Dy ashere le t’i lexojë imami dhe myezini i mesxhidit i lagjes haxhi Kasim. Imamit të mesxhidit të theksuar ia ka caktuar nga dy akça e gjysmë për çdo ditë, kurse myezinit të saj së bashku me punën e kajimit(mirëmbajtësit) i ka caktuar nga një akça e gjysmë në ditë, kështu me gjysmë akça për leximin e asheres në xhami t’i ketë dy akça në ditë, e imami i saj me gjysmë akça për leximin e asheres, t’i ketë tri akça në ditë. Mualimit i ka caktuar nga dy akça në ditë, e zëvendësit të tij një akça në ditë”[ii].
Këtë xhami e ka rindërtuar Mahmut Pashë Rotlla i Prizrenit në vitin 1831 për shpirt të nënës së tij të vdekur Hatman Hanmit. Mbishkrimi ekzistues i xhamisë është i vitit 1831 ku përshkruan emrin e rindërtuesit Mahmut Pasha[iii].
Pas luftës së fundit në Kosovë, pas vitit 1999 xhamia është rinovuar tërësisht, tani është në gjendje të mirë funksionale. Në popull përndryshe njihet me emrin xhamia e Toskës.
[i] Nehat Krasniqi:”Kronika(Menakib) e Tahir efendiut, burim i rëndësishëm për historinë e kulturës në Prizren gjatë periudhës turko-osmane”, Edukata Islame, nr.57, Prishtinë, 1995, fq.82
[ii] Hasan Kaleshi-Ismail Rexhepi:”Kukli begu dhe vakëfnimet e tij”, Edukata Islame, nr.83, Prishtinë, 2007, fq.219-220
[iii] Vırmiça, Raif:’’Prizren Camileri’, Prizren, 1996, fq.100