Ramazani kaloi, rezultati mungoi
Sapo kaloi Ramazani i sivjetshëm i cili sivjet u karakterizua me agjërimin gjatë ditëve më të gjata të vitit, por besa kaloi edhe në ditët e nxehta verore që në të vërtet ishte një sprovë për agjëruesit mysliman. Por besimtarët mysliman me nijetin që kanë bërë për të agjëruar muajin e shenjtë të Ramazanit, këtë sprovë e kanë përballuar me sukses dhe se Krijuesi fuqiplotë do t’i shpërblejë ata me shpërblimet e t’ia të shumëfishta të gjithë agjëruesit e muajit të Ramazanit.
Në këtë analizë për Ramazanin e sivjetshëm do të ndalem së vështruari në qytetin në të cilin gravitojë dhe jetojë, si ka kaluar dhe si është mirëpritur Ramazani nga besimtarët mysliman në qytetin e Prizrenit. Duke marrë parasysh se agjërimi i muajit të Ramazanit është njëra nga pesë shtyllat e fesë islame të cilin çdo besimtar mysliman duhet të kryejë, krahas shehadetit (dëshmisë së përkatësisë islame), namazit si dhe dy shtyllave tjera, zeqatit dhe haxhit, që i nënshtrohem vetëm ata besimtarë mysliman që kanë mundësi materiale dhe financiare për t’i përmbushur ato, do të përqendrohem kryesisht në dy shtylla kryesore esenciale dhe thelbësore për besimtarët mysliman, e që janë namazi dhe agjërimi i muajit të Ramazanit. Duke ditur se namazi është shtylla kryesore e Islamit, krahas agjërimit të Ramazanit, dhe se në ditën e gjykimit kur do të japim llogari para Krijuesit fuqiplotë, Allahut të madhëruar, është me renditje primare duke ditur rëndësinë dhe efektin e tij për një besimtar mysliman. Edhe pse Kosova sipas regjistrimit të fundit të popullsisë ka pas rreth 1.800.000 milion banor, prej të cilëve 96% me përkatësi fetare myslimane, ndërsa Prizreni si qytet me rreth 180.000 banor dhe me përkatësi absolute myslimane 98%, këto paraqesin vetëm shifra statistikore, ndërsa realiteti në praktikë është krejtësisht tjetër dhe për fat të keq aspak shpresë lënës për momentin aktual në të cilin jetojmë dhe veprojmë. Edhe pse duke ditur se gjatë muajit të Ramazanit, përveç agjërimit, i jepet rëndësi edhe sforcimit të ibadeteve tjera, sikurse janë namazet ditore, javore, mujore e vjetore, krahas tij edhe dhënia e vitrave, sadakasë, zeqatit, dhe ndihmave tjera familjeve të varfëra dhe vobekta, i tërë aktiviteti i Ramazanit të sivjetshëm kryesisht u përqëndrua vetëm në shtruarjen e iftareve të shumta nga individët, shoqatat, institucionet e ndryshme çoftë vendore apo ndërkombëtare.
Duke marrë parasysh se shtruarja e iftareve gjatë muajit të Ramazanit është e pëlqyeshme por jo e domosdoshme, dhe se kjo u reflektua me të madhe, sidomos pas përfundimit të luftës në Kosovë në vitin 1999, kjo edhe pse në fillim ishte diç e re dhe aktuale, tani me kalimin e viteve u bë e tejkaluar, pasi që shumë më mirë do të ishte që të gjitha to shuma parash që janë shpenzuar për shtruarjen e iftareve, me dhjetëra mijëra apo ndoshta edhe qindra mijëra euro, do të ishte e udhës që ato të dedikohen për të ndihmuar familjet e varfëra dhe të vobekta në Prizren, jo duke organizuar iftare për ata, por duke i ndihmuar me një shumë të konsiderueshme parash me të cilët do të mund të kalonin disa javë apo muaj pa brenga për të menduar për të ushqyer veten dhe familjen e tyre. Poashtu sasi tjera parash që janë shpenzuar për shtruarjen e iftareve do të ishte më e pëlqyeshme që të investoheshin në ngritjen e arsimimit dhe edukimit fetar të nxënësve dhe të rinjve, duke pajisur me inventar shkollor klasat ekzistuese pranë xhamive, apo aty ku nuk ka në ndërtimin e klasave për mësimi besim, në të cilët do të mund të ndjekin mësim besimin gjatë tërë vitit shkollor, gjatë ditëve të vikendit, apo edhe gjatë pushimeve verore në të cilët do të mësonin shartet e besimit dhe shkronjat e Kur’anit. Konkludimi i përgjithshëm është se i tërë aktiviteti i ibadeteve të Ramazanit të sivjetshëm ishte përqendruar kryesisht vetëm në organizimin e iftareve të shumta dhe megalomane jo vetëm në Prizren por edhe gjithandej Kosovës.
Edhe pse ibadeti kryesor i Ramazanit është agjërimi , vështirë është të përcaktojmë numrin e agjëruesve në Prizren, pasi që nuk janë kryer sondazhe të tilla jo vetëm në Prizren por edhe në Kosovë, nga të cilët do të kuptonin më saktësisht përafërsisht se sa është numri i agjëruesve, por mund të konkludojë se në Prizren nga numri i gjithëmbarshëm i banorëve të Prizrenit, 180.000 banor, numri i atyre që kanë agjëruar nuk kalon sipas perceptimit tim, 20%, do të thotë diku rreth 35.000- 40.000 që kanë agjëruar muajin e Ramazanit në Prizren. Në zonat rurale të Prizrenit ky numër është edhe më i vogël i atyre që kanë agjëruar Ramazanin. Sa i përket namazit të teravive që falen për nder të muajit të Ramazanit, numri i atyre që kanë falur në 36 xhamitë ekzistuese të qytetit të Prizrenit, sivjet ka shënuar një ulje rapide, ashtu që numri i tërësishëm i atyre që kanë falur namazin e teravive( të gjithë atyre besimtarëve mysliman që kanë fal pjesërisht vetëm 8 reqate, apo tërësisht 20 reqate) nuk kalon 3600 vetë, që është vetëm 2% i nga numri i tërësishëm i banorëve të Prizrenit. Poashtu edhe më brengosëse është edhe numri i atyre besimtarëve mysliman që i falin pesë kohët e namazeve në xhami, ashtu që gjatë Ramazanit numri i atyre që kanë falur pesë vaktet e namazeve në 36 xhami ekzistuese të Prizrenit, nuk ka kaluar 1800 vetë, që do të thotë 1% nga numri i tërësishëm i banorëve të Prizrenit.
Sa për ilustrim do të ceki tri xhamit kryesore të qytetit të Prizrenit, xhaminë e Mehmet Pashës (Bajraklisë), Sinan Pashës dhe Emin Pashës, në të cilët mesatarisht për dallim nga periudhat e mëparshme kur për teravitë të dy xhamit e para ishin përplot, xhamia e Mehmet Pashës dhe Sinan Pashës, ndërsa sivjet numri i tyre sillej mesatarisht rreth 100 vetë që falnin namazin e teravisë. Ndërsa në xhaminë e Emin Pashës, për dallim nga koha e mëparshme, kur jo vetëm xhamia por edhe oborri i saj ishte përplot me xhematlinjët që falnin namazin e teravisë, sivjet gjatë këtij Ramazani ata që faleshin ishin mesatarisht rreth 50-60 veta, gjë që u dëshmua edhe gjatë emisionit”Kosmo” të xhiruar nga KTV-ja për Ramazanin në Prizren, në të cilin shihet se gjatë namazit të teravisë nuk ishte e mbushur as gjysma e xhamisë së Emin Pashës. Poashtu edhe gjatë namazit të xhumave gjatë Ramazanit, numri i tërësishëm i atyre që kanë fal namazin e xhumasë në 36 xhamitë e Prizrenit, ishte diku rreth 9000 xhematlinjë, që paraqet vetëm 5% nga numri i gjithëmbarshëm të banorëve të Prizrenit. Sivjet për dallim nga namazi i Bajrameve tjerë, edhe aty kemi pas një numër më të vogël të besimtarëve që kanë fal namazin e Fitër Bajramit, për shkak se sivjet qëlloi koha për t’u falur shumë herët, në ora 5.4o minuta, dhe se numri i gjithëmbarshëm i atyre që kanë fal namazin e Fitër Bajramit nuk ka kaluar 15.000 vetë, që është 8% nga numri i gjithëmbarshëm i banorëve të Prizrenit.
Pas këtyre shifrave alarmante në qytetin e Prizrenit gjatë këtij muaji të Ramazanit, do të duhej të ndizeshin drita e kuqe jo vetëm për Këshillin e Bashkësisë Islame të Prizrenit dhe kryetarin e tij, por edhe për Bashkësinë Islame të Kosovës dhe myftiun e saj në përgjithësi. Urgjentisht do të duhet analizuar të gjitha faktorët objektiv dhe subjektiv që kanë ndikuar që të mungojë rezultati gjatë këtij Ramazani me prezencën e zvogëluar tej mase të besimtarëve mysliman në 36 xhamitë e qytetit të Prizrenit. E si shembull do të cek , që për Ramazan sivjet, erdhi Elvis Naqi nga Tirana, si produkt i realizmit socialist në Shqipëri e mban emrin e ish rokerit të shquar amerikan Elvis Presley, një ish futbollist i klubit Albanet, që nuk ka të kryer fakultetin teologjik islamik, i cili me ligjëratat e t’ia që mbajti bëri bujë dhe u bë hit si në Prizren e Prishtinë, Llap e Drenicë, Shkup e Preshevë, etj., prej të cilit do të duhet të merr yrnek Bashkësia Islame e Kosovës për organizim të mirëfilltë të aktiviteteve të saja predikuese që do të tërheqin një masë më të madhe të besimtarëve mysliman nëpër xhamitë e Kosovës.
Në fund të kësaj analize do të konkludoja se slogani apo thënia e njohur nga koha e romantizimit shqiptar e cila ishte aktuale dhe e përhapur edhe gjatë periudhës komuniste:”Mos këqyrni kishë e xhamia se feja e shqiptarit është shqiptaria”, do ta zëvendësoja me sloganin apo thënien e tanishme që për mendimin tim është aktuale për periudhën e tanishme të demokracisë: ” Mos këqyrni kishë e xhamia se feja e shqiptarit është Evropa e Amerika”.