Kosova

Xhamia e Ajas Beut (Sejdi beut)

Është ndërtuar menjëherë pas xhamisë së Jakub beut, në gjysmën e dytë të shekullit XV-të, llogaritet si xhamia e dytë e ndërtuar në Prizren. Ajas beu ishte i biri i Abdullahut, i cili në vitin 1470 e ka ndërruar Isa bej Isaogllun, komandantin e atëhershëm të krahinës së Shkup- Bosnjës, në pozitën e sanxhakbeut të Bosnjës. Në periudhën prej vitit 1470-1484 dy herë ka qenë në pozitën e sanxhakbeut të Hercegovinës, Bosnjës dhe një herë të Çustendilit. Para vitit 1470 cilin pozitë e ka pas nuk është saktësisht e njohur, por supozohet se për shkak të lidhjeve me Shkupin që kishte, që në atë kohë ishte sanxhakbeu i Prizrenit dhe gjatë asaj kohe ka ndërtuar edhe mesxhidin e tij në Prizren, i cili gjendet në anën e majtë të lumit Lumbardhë (Bistricë), në vendin në të cilin tani ndodhet  xhamia e Sejdi beut, e cila në të vërtetë është xhamia e Ajas beut[i].

Për mesxhidin e vet të ndërtuar Ajas beu ka lënë vakëf për mirëmbajtjen e mesxhidit të tij në mahallën e Ajas beut, 5 dyqane, 1 mulli të ujit me 4 gurë, 1 vrreshtë dhe 1 mulli të ujit të braktisur[ii].

Për Ajas beu gjer tani nuk kemi pas njohuri, e as për xhaminë e tij që e ka ndërtuar në kohën kur ishte sanxhakbeu i sanxhakut të Prizrenit. Ajo gjer tani ishte e njohur si xhamia e Sejdi beut, në burime dhe dokumente të shkruara të njohura gjer tani, dhe pikërisht në saje të materialeve arkivore të Stambollit tani e kemi të njohur ndërtuesin e vërtetë të xhamisë së Sejdi beut, e i cili në të vërtetë ishte Ajas beu, sanxhakbeu i Prizrenit në gjysmën e dytë të shek. XV-të.

Në kronikën e myftiut të Prizrenit  me titull”Menakib”, shkruar në gjysmën e dytë të shek. XIX-të, Mehmet Tahir efendiu për xhaminë e Sejdi beut shkruan:” I dyti prej tyre Sejdi beu ka ndërtuar një xhami tek ne, aty falen përherë të gjitha kohët e namazit”[iii].

Por tani mund të shohim se këtë të dhënë Mehmet Tahir efendiu e ka gabim, porse është e vërtetë se Sejdi beu e ka rinovuar xhaminë gjatë kohës së tij, ndoshta e ka ndërtuar edhe minaren e saj, dhe pastaj mesxhidi i Ajas beut e ka marrë emrin e tij, të Sejdi beut, dhe se mahalla e Ajas beut nuk ishte e njohur më, por tani e tutje njihej si mahalla e Sejdi beut. Pasi që mbishkrimi origjinal i xhamisë së Ajas beut nuk ekziston, por ekzistojnë mbishkrimet e mëvonshme  gjatë restaurimeve të mëvonshme të xhamisë, edhe studiuesit tjerë janë bazuar në këto burime ekzistuese të njohura gjer atëherë.

Hulumtuesi Raif Vërmiqa duke u bazuar në shkrimin e Kemal Ozerginit, Hasan Kaleshit dhe Ismail Erenit me titull: ”Mibishkrimet e Prizrenit” cek se aty kah mesi i shekullit XVII, Sejdi beu e ka ndërtuar xhaminë rreth vitit 1650, e që tani del se ai atë e ka rindërtuar dhe ndoshta edhe minaren e ka ndërtuar, dhe për nder të tij e ka marr emrin e tij si rindërtues apo restaurues i mesxhidit të Ajas beut. Sejdi beu ishte vëllau i valiut(guvernatorit)  të Egjiptit Maksut Pashës nga viti 1642 gjer në vitin 1644 kur edhe ndërroi jetë, pas së cilit edhe Sejdi beu e ka rinovuar xhaminë e Ajas beut dhe njihet tani me emrin e tij, si xhamia e Sejdi beut[iv].

Dy mbishkrimet e ruajtura të xhamisë së Ajas beut(Sejdi beut) datojnë nga shekulli XIX, me rastin e renovimeve të kryera, njëra është nga viti 1811 e tjetra e vitit 1873. Në mbishkrimin e xhamisë nga viti 1811 shkruan se atë e ka rinovuar Abdurahman aga, ndërsa në mbishkrimin e vitit 1873 e ka rinovuar haxhi Haliti[v]. 

 

 

 


[i] Катић, Татјана. “Oсманизовање српског средњовековног града: Призрен у XV и XVI веку“. У Живот на рекама југоисточне Европе: историјски аспекти планирања насеља и комуникација. Уредник Љубодраг П. Ристић. Београд: Балканолошки институт САНУ,  Историјски институт, (у штампи)

2 Т, Катић, Опширни попис Призренског санџака из 1571. године, Београд: Историјски институт, 2010., fq.552

[iii] Nehat Krasniqi:”Kronika(Menakib) e Tahir efendiut, burim i rëndësishëm për historinë e kulturës  në  Prizren gjatë periudhës turko-osmane”, Edukata Islame, nr.57, Prishtinë, 1995, fq.90

 [iv] Vırmiça, Raif:’’Prizren Camileri’, Prizren, 1996, fq.94

[v] Po aty, fq.98