Xhamia e Namazgjasë (Kërëk)
Edhe pse gjer tani është menduar se me 21 maj 1455 gjatë depërtimit të ushtrisë osmane në krye me sulltan Fatih Mehmetin e II-të është çliruar Prizreni, tani lirisht mund të thuhet, pas gjetjes së materialeve të reja arkivore në Arkivin e Kryeministrisë(Başbakanlık arşivi) në Stamboll të Turqisë, doli se Prizreni edhe më herët ka ra nën sundimin osman. Por, në shkencën e historisë, akoma gjer tani nuk është zgjidhur dilema se në cilin vit saktësisht Prizreni u çlirua nga pushteti serb mesjetar dhe në cilin vit Prizreni u bë qendër e sanxhakut të Prizrenit, dhe kjo dilemë mbetet të zgjidhet në të ardhmen nga studiuesit dhe hulumtuesit e mëtutjeshëm në fushën e osmanologjisë së shkencës së historisë.
Mendimi i përgjithshëm se kjo ka ndodhur me 21 qershor të vitit 1455, të cilin e kanë pranuar disa studiuesit dhe hulumtues gjatë kohës, është bazuar në një shënim të kronikës serbe. Por pasi që kronikat origjinale serbe nuk janë ruajtur, por është bërë përshkrimi i tyre në shek. XVII-të dhe se gjatë përshkrimit të tyre janë përvjedhur edhe gabime. Me rastin e pushtimit të Novobërdës në vitin 1455, është pushtuar edhe një kala e afërt e Novobërdës e cila ka shërbyer për mbrojtjen e minierës, e cila e ka pas emrin identik me qytetin e Prizrenit, ajo është quajtur Prizrenas. Kronistët e atëhershëm osman të cilët e kanë përshkruar marshimin e sulltan Fatihut drejt Novobërdës kanë cekur me emër të plotë pushtimin e kalasë së Novobërdës, por askund nuk ceket se është pushtuar edhe Prizreni.[i]
Se Prizreni ka qenë para vitit 1455 në duart e pushtetarëve osmanëve konfirmojnë disa burime të reja arkivore të gjetura, dhe atë në regjistrimin e vilajeteve nën administrimin e Isa bej Is’hakogllusë nga viti 1452/53 me ç’rast kalaja e Prizrenit përmendet në posedimin osman, gjatë regjistrimit të armatimit dhe ushqimit në kalanë Sobra në Tetovë, përfshinte edhe këtë të dhënë arkivore të shkruar se” 47 copë mbajtëse për harqe të ardhura nga Prizreni”.[ii]
Prizreni ka ra nën sundimin osman përkohësisht pas rrënjës së vasalit serb Gjuragj Brankoviqit në vitin 1439, por pas 5 vjetëve osmanët prapë e rikthejnë Prizrenin vasalit mesjetar serb Brankoviqit, ndërsa në vitin 1451, me sa duket përafërsisht Prizreni ka ra plotësisht nën sundimin e Perandorisë Osmane. Prizreni menjëherë pas konstituimit të pushtetit osman bëhet, sipas të gjitha gjasave, edhe seli e sanxhakut të Prizrenit. Në këtë përfundim bazohemi në bazë të defterit të gjetur osman në Stamboll në vitin 2012 të një vojnuku (ushtar jo i rregullt krishterë) i përpiluar në fillim të marsit të vitit 1455, tre muaj para çlirimit të supozuar të gjertanishëm të Prizrenit me 21 qershor 1455. Dokumenti i gjetur i defterit të vojnukut titullohet :”Përshkrimi i defterit të vojnukut të sanxhakut të Alagjahisarit, të vilajeteve Zveqan, Jelleq, Ras, Sjenicë, Hodided dhe vilajetit të Vëllkut, i cili është bashkangjitur sanxhaqeve të Vuçitërnës dhe Prizrenit”.[iii]
Pas pushtimit të Novobërdës, pas kësaj me 21 qershor 1455 në Prizren, hyri ushtria osmane në krye me sulltan Fatihun. Ushtarët osman ndërtuan në shpejtësi Namazgjanë për të falur namazin e përbashkët, dhe nga ky vit ajo llogaritet si faltore e parë islame e trashëgimisë kulturore materiale osmane- islame në Prizren. Namazgjahu përfshinte një hapësirë të hapur, me mimber, mihrab dhe minare në miniaturë , në të cilin falej namazi i përbashkët me xhemat gjatë ditëve festive të bajrameve. Ky ishte një mesxhid nën qiell të hapur, i cili shërbeu gjatë gjithë periudhës osmane gjersa kazerma ushtarake osmane gjendej në Atmejdan, afër Namazgjasë, por kur kazerma ushtarake osmane u transferua gjatë shek. XIX në lokacioni e ri, mbi Bazhdarhane , në lokacionin e tanishëm të kazermës së ushtrisë së ish armatës jugosllave, tani seli e ushtrisë së KFOR-it gjerman në Kosovë, xhamia e Namazgjasë filloi të humbas funksionin e saj, ajo ishte braktis dhe se një pjesë e saj ishte e rrënuar shihet edhe nga një foto e vitit 1912 me rastin e pushtimit të Prizrenit nga ushtria serbe.[iv]
Pas plot 547 vjet, me iniciativën dhe vullnetin e pamohueshëm të ish drejtorit të Entit Komunal për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturore në Prizren, zotëri Muhamed Shukriun e ndjerë, në bashkëpunim me Kuvendin e Prizrenit dhe Entin Komunal për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturore, si dhe KFOR-it turk, u rindërtua ky monument me vlerë të rëndësishme fetare, kulturore dhe historike për Prizrenin, dhe me 5 prill 2002 u bë hapja solemne e xhamisë së Namazgjahut. Dëshira e zjarrtë e Muhamed Shukriut të ndjerë u realizua, pasi që në bashkëbisedime të shumta që kam pas me të, më ka thënë që ky rast
“është momenti më i volitshëm, që radhë mund të përsëritet, për të rindërtuar mesxhidin e Namazgjahut, pasi kjo është faltore e parë islame dhe provë e duhur materiale të ekzistimit të trashëgimisë së pasur kulturore osmane-islame të qytetit të Prizrenit që nga viti 1455”.
[i] Katič, Tatjana ” The sancak of Prizren in th XVth and XVI th Century”, Osmanlı Tarıhı Araştırma ve Uygulama Merkezi Dergisi (OTAM). Sayı 33, Yıl : 2013 (2014) 113-138.
[ii] Po aty
[iii] Катић, Татјана. “Oсманизовање српског средњовековног града: Призрен у XV и XVI веку“. У Живот на рекама југоисточне Европе: историјски аспекти планирања насеља и комуникација. Уредник Љубодраг П. Ристић. Београд: Балканолошки институт САНУ, Историјски институт, (у штампи)
[iv] Shukriu, Muhamed”Prizreni i lashtë...”Prizren, 2001, fq.341