Rama: Ëndrra jonë për bashkimin kombëtar do të ndodhë në Bashkimin Evropian”
Ky synim është thënë në takimin e tretë të mbajtur mes dy qeverive në Prishtinë, raporton KTV.
Nën masa të rrepta të sigurisë, dhe me bllokim të qasjes së medieve, dy qeveritë kanë nënshkruar 7 marrëveshje, thuajse të gjitha në fushën e ekonomisë.
Në konferencën për shtyp, në të cilën më shumë folën kryeministrat dhe shumë pak i lanë hapësirë medieve për të parashtruar pyetje, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka deklaruar se të dyja vendet kanë arritur shumë me nënshkrimin e marrëveshjeve si në takimin e sotëm, ashtu edhe në dy mbledhjet e kaluara.
Kryeministri Mustafa ka folur edhe për marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi, duke insistuar se” shteti nuk po humb asnjë metër tokë.”
E Rama theksoi se “Ëndrra jonë për bashkimin kombëtar do të ndodhë në Bashkimin Evropian”.
Pavarësisht fjalëve të mëdha, asnjëri nga kryeministrat nuk u morën me problemet që bizneset po i kanë, në shkëmbimet tregtare, pos që kryeministri shqiptar, Edi Rama përmendi se burokracia është i vetmi kundërshtar në rrugën e të dyja shteteve drejt anëtarësimit në BE.