Kosova

Makolli: Policia e Kosovës ka dëshmuar veten shumë mirë kundër terrorizmit

Fatos Makolli, drejtori i Departamentit Kundër Terrorizmit në Policinë e Kosovës, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se Kosova konsiderohet vend me kapacitete të nevojshme për ta trajtuar terrorizmin. Por, sipas tij, në vazhdimësi duhet fuqizuar këto kapacitete.

“Kapacitet e mjaftueshme janë çështje relative, pasi që ato në vazhdimësi duhet fuqizuar, bazuar në rrethanat që paraqiten dhe të adaptohen dhe zhvillohen më tutje, me qëllim që t'i përgjigjemi situatave në terren”.

“Por, bazuar në gjendjen e deritanishme, është dëshmuar se ka kapacitete të nevojshme për ta trajtuar këtë fenomen. Qasja dhe puna e suksesshme ndaj këtij fenomeni ka bërë që shumë institucione kredibile ndërkombëtare ta konsiderojnë trajtimin e këtij fenomeni nga Kosova, si lider në Ballkan e më gjerë. Mund të them se Policia e Kosovës ka përfituar njohuri brenda dhe jashtë vendit. Edhe sa u përket kapaciteteve njerëzore dhe logjistike qëndron mirë”, ka thënë Makolli.

Tutje, Makolli ka shtuar se tashmë janë formuar edhe njësi të caktuara brenda Policisë së Kosovës për luftimin dhe parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm.

“Përveç këtyre, së fundmi është bërë edhe njësi e caktuar, si ajo për hetime online dhe njësia për parandalimin e ekstremizmit. Ajo merret me vetëdijesimin e qytetarëve për parandalimin e ekstremizmave të çfarëdo lloji. Çështja e kapaciteteve është proces i vazhdueshëm dhe Policia e Kosovës do të vazhdojë edhe më tutje me avancime”, ka thënë Makolli.

Komentet për terrorizmin nga deputetja Musliu.

Deputetja Ganimete Musliu, anëtare e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike tha për Radion Evropa e Lirë se Kosova tashmë është e gatshme të përballet me këto sfida, pasi që, sipas saj, është punuar shumë në këtë drejtim.

“Ne si Kuvend kemi marrë hapa të nevojshëm për të parandaluar çfarëdo lloji të rrezikut të mundshëm dhe vetë fakti që njëzëri kemi miratuar të gjitha ligjet që parandalojnë dhe dënojnë ata që marrin iniciativa të tilla apo u bashkohen luftërave të huaja, tregon që Kosova është e gatshme të përballet me çdo sfidë të mundshme dhe të jetë vend që garanton siguri për qytetarët e saj”, është shprehur Musliu.

“Ju e dini që terrorizmi është problem global dhe Kosova konsideroj se po i zhvillon kapacitetet e saj që të jetë vend i sigurt”, ka thënë ajo.