Raporti i Departamentit Amerikan i Shtetit, nuk mbetet i kënaqur me Kosovën për punën kundër terrorizmit
Kosova po i zhvillon kapacitetet e nevojshme për luftimin e ekstremizmit dhe terrorizmit, thonë përfaqësues të institucioneve vendore.
Reagimet e tyre pasojnë raportin e fundit të Departamentit amerikan të Shtetit, ku thuhet se rreth 250 nga 300 luftëtarë të huaj terroristë nga Kosova, kanë udhëtuar në Siri dhe Irak për të luftuar për organizatat e shpallura terroriste, IS-in apo Frontin al-Nusra, nga të cilët rreth 50 janë vrarë.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka vlerësuar se ekstremizmi dhe radikalizmi fetar po shfaqen edhe në specifika lokale, duke u përpjekur të kërcënohet një nga shtyllat kryesore të identitetit të shqiptarëve si shumicë që ka të bëjë me tolerancën fetare.
“Kjo është një e keqe kërcënuese për të gjithë ne”, ka thënë Mustafa gjatë takimit të përbashkët të qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë, të mbajtur të premten në Prishtinë.
Në kuadër të angazhimeve konkrete për luftimin e ekstremizmit dhe terrorizmit më 12 mars të vitit 2015, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar Ligjin që ndalon pjesëmarrjen në konfliktet e huaja, i cili hyri në fuqi më 18 prill.
Megjithatë, raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit vë në pah se autoritetet përgjegjëse në Kosovë kanë qenë pa përvojë në trajtimin e rasteve të terrorizmit, komunikimit, si dhe shkëmbimit të informacioneve mes agjencive të ndryshme mbeti një sfidë.
Në kapacitetet e organeve kompetente për t’u përballur me sfidat e radikalizmit të dhunshëm, ekstremizmit apo edhe terrorizmit, besojnë edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës.
Sidoqoftë, në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit përmendet edhe përmirësimi i aftësisë së Kosovës për të ushtruar autoritetin e saj në veri të vendit, që nga nënshkrimi i marrëveshjes së Brukselit në vitin 2013, për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, ndonëse kjo marrëveshje ende nuk po zbatohet plotësisht nga të dy vendet.