Kosova

Opozita e parlamentit të Kosovës, nuk kthehen në Kuvend

Tri subjektet opozitare, Lëvizja “Vetëvendosje”, AAK-ja e “Nisma për Kosovën”, përfundimisht kanë vendosur që të mos kthehen në Kuvend gjatë këtij mandati, me përjashtim të rasteve, siç thonë ata, kur trajtohen çështje të veçanta.

Opozitarët vazhdojnë ta konsiderojnë bojkotimin e punës së Kuvendit si formë të duhur për ta kundërshtuar Qeverinë “Mustafa”, të cilën ata e konsiderojnë shkelëse të Kushtetutës.

Kështu përfaqësuesit e opozitës bëjnë të ditur se do të kthehen në Kuvend vetëm në kohën kur në rend dite do të jetë ratifikimi i Marrëveshjes për Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi, në mënyrë që ta bllokojnë atë marrëveshje të cilën e konsiderojnë të dëmshme për Kosovën.