Shqipëri

Obama u entuziazmua lidhur me idenë e Ramës për futjen e mësimit fetarë në shkollat e Shqipërisë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama, vlerësoi dje Shqipërinë si një aleat të jashtëzakonshëm, gjatë pritjes që i bëri në Shtëpinë e Bardhë, kryeministrit shqiptar, Edi Rama.

“Shqipëria është një aleat i jashtëzakonshëm. Unë dua t’ju falënderoj për çfarë ju keni bërë. Nën lidershipin tuaj, Shqipëria është tani një pikë referimi në Ballkan dhe një nga aktorët më të përgjegjshëm në rajon. Ne vlerësojmë rolin tuaj dhe ju mbështesim plotësisht”, – u shpreh Obama,

Kryeministri Rama falënderoi presidentin amerikan Obama për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara për Shqipërinë dhe rajonin, duke e konsideruar Ballkanin e sotëm një histori suksesi të politikës së jashtme amerikane. “Shqipëria është një vend pro amerikan, është një partner serioz në NATO dhe ajo që ne sot po bëjmë në Ballkan, duke çelur një faqe të re në historinë e bashkëpunimit në rajon, është edhe falë asaj çka SHBA-të kanë bërë për rajonin. Ballkani sot është një histori suksesi e politikës së jashtme të SHBA-ve”, – nënvizoi Rama.

Vetë kryeministri Rama, në një intervistë për VOA, pas takimit tha se “biseda kaloi në një atmosferë tejet miqësore, ku dëgjuam fjalë të shkëlqyera për Shqipërinë, përpjekjet tona dhe sigurisht ndamë së bashku bindjen se ky është një partneritet që duhet të forcohet dhe se Shqipëria ka një rol të rëndësishëm për të luajtura në rajon, gjë për të cilën morëm përgëzime dhe inkurajim shumë të madh”.

Sipas Ramës, “presidenti u interesua me shumë dëshirë dhe entuziazëm lidhur me idenë e futjes në shkolla të mundësisë për të njohur fenë dhe për t’u dhënë të rinjve instrumentin e domosdoshëm që të mos bien pre e propagandës ekstremiste e çfarëdo lloji qoftë”, – deklaroi Rama pas takimit me Obamën