Amerike

Rusia: takimi i Kerry-t me opozitën ukrahinase është një “cirk”

Rusia ka kritikuar takimin e planifikuar të Sekretarit Amerikan të Shtetit John Kerry me udhëheqësin e opozitës ukrainase

Zëvendës kryeministri i Rusisë Dimitry Rogozin e quajti “cirk”takimin e planifikuar të Kerry-t me figurat kryesore të opozitës.

“Gjithashtu, është e nëvojshme përfshirja e Verka Serdyuchka në bisedime”, ka shkruar të premten në twitter, duke iu referuar një karakteri ukrainas prej mbretëreshe.

“Opinioni i saj/i tij duhet të dëgjohet nga Shtëpia e Bardhë dhe të merret ne konsideratë”, tha ai me sarkazëm.

Kritika e hapur e Moskës erdhi pasi një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit konfirmoi se Kerry do të ketë mundësinë të takohet për herë të parë më figurat kryesore të opozitës gjatë një konference mbi sigurinë, e cila do të mbahet në Mynih të Gjermanisë ditën e shtunë.

“Nuk është çështja nëse ata mund të formojnë një qeveri të bashkimit kombëtar. Ata po vijnë në Mynih, në mes të këtij procesi negociatash,  për të parë çfarë impakti do të ketë ky proces politik nesë vazhdojnë kështu”, tha  zyrtari amerikan të enjten, njoftoi AFP.

Në mesin e atyre që planifikohet të takohen me diplomatët më të lartë amerikanë janë lideri i Aleancës Demokratike për Reforma (UDAR), kampioni i botës në boks Vitali Klitschko dhe lideri i partisë Atdheu Arseniy Yatsenyuk.

Gjithashtu, në bisedimet që do të mbahen në Mynih pritet të marrin pjesë edhe përfaqësues të qeverisë, perfshirë ministrin e jashtëm Leonid Kozhara.

Ndërkohë, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës (PACE) ka shprehur shqetësime lidhur me përshkallëzimin e dhunës në kryeqytetin Kiev, duke paralajmëruar se do të ndërpresë mbështetjen e saj për Ukrahinën nëse autoritetet vazhdojnë të godasin demostruesit.

Në fillim të kesaj jave, Presidenti rus Vladimir Putin kritikoi Perëndimin për ndërhyrje në punët e brendshme të Ukrahinës.

Duke kritikuar udhëtimet e zyrtarëve evropianë dhe amerikanë në Ukrahinë për të mbështetur protestat kundër qeverisë, ai tha se, “unë mund ta imagjinoj se si do të reagonin partnerët tanë evropianë nëse ministri ynë i jashtëm do të thërriste një takim anti-BE në Greqi apo Qipro në kulmin e krizës atje”.

Presidenti rus theksoi se vizita do ta përkeqësojë krizën në vend.

Ukrahina është goditura nga një valë protestash anti-qeveritare që kur presidenti ukrainas Viktor Janukoviç nuk pranoi të nënshkruajë Marrëveshjën e Asociimit me Bashkimin Europian në Samitin e tretë të Partneritetit Lindor në kryeqytetin e Lituanisë Vilnius më 29 nëntor 2013.

Kievi nuk pranoi të nënshkruajë marrëveshjen pasi kreret e BE-së i bënë thirrje Ukrahinës që të lejojë udhëheqësen e opozitës Yulia Timoshenko të udhëtojë jashtë shtetit për trajtim mjekësor.