Dita e nevruzit – dita e pranverës
Pranvera është stina e parë e vitit, është më e pëlqyeshmja, është stina që na largon monotoninë e dimrit dhe na sjell lumturi e bukuri natyrore, si çelja e luleve, lulëzimi i pemëve, gjelbërimi i fushave...
Fillimi i Pranverës, 21-22 marsi, përkon me fillimin e Nevruzit. Dita Ndërkombëtare e Nevruzit është regjistruar në Listën UNESCO-s si Trashëgimi Kulturore e Njerëzimit më 23 shkurt, 2010.
Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në vitin 2010 e ka njohur 21 Marsin si Dita Ndërkombëtare e Nevruzit, duke e përshkruar atë si një festival pranvere me prejardhje persiane e cila është festuar për më shumë se 3000 vjet dhe duke u bërë thirrje vendeve të botës për të nxjerrë në dukje historinë e pasur për të promovuar paqen dhe vullnetin e mirë.
Fjala Nevruz rrjedh nga
persishtja, madje nga persishtja e vjetër, nga fjalët: Nava = e re dhe ruzanh =
ditë, pra, që do të thotë: Ditë e Re.
Kjo festë, Ditë e Re, pra, Nevruzi është një festë e lashtë pagane, me
prejardhje persiane, që kremtohet tash e 3000 vjet.
Kremtohet edhe sot e kësaj dite në Iran, por si fillim i Vitit të Ri, kremtohet
edhe në Irak, Afganistan, Uzbekistan Azerbajxhan, Turkmenistan, Kazakistan,
Taxhikistan, Kurdistan dhe në disa vende të tjera…
Festa e Nevruzit në Iran është faktor i afrimit të kulturave dhe kombeve të ndryshme kështu është shprehur Ingrid Shindelbek, profesoreshë dhe sociologe në Gjermani.
Festa e Nevruzit është një prej traditave të bukura dhe historike të iranianëve, organizimi madhështor i së cilës afron kombet dhe kulturat e vendeve të ndryshme të botës, shkruan profesoresha Ingrid Shindelbek. Ajo vuri në dukje se kjo festë afron akoma më shumë marrëdhëniet mes popullit gjerman dhe iranian. Ajo ndër të tjera vuri në dukje se traditat dhe ceremonitë që organizojnë gjermanët me rastin e nisjes së pranverës janë shumë afër me traditën dhe zakonet e festës së Nevruzit të Iranit.
Kjo festë, Nevruzi, përputhet me fillimin e pranverës, ringjalljen e natyrës, mbas dimrit të ftohtë, të gjatë, të vështirë. Në këtë ditë është ekuinoksi, barazohet dita e nata dhe duke filluar prej kësaj dite ka më shumë ditë, ka më shumë dritë.
Të gjithë kemi nevojë për më shumë dritë, dritë të mendjes, dritë të shpirtit, dritë të zemrës. Ashtu qoftë! Amin! O Zot!