Gjeopolitika amerikane në raport me shqiptarët
Hyrje
Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA-të) në fillim të shekullit XX fuqishëm u paraqitën në skenën politike ndërkombëtare si një fuqi gjeopolitike e cila tani e tutje do të ketë një rol kryesor dhe cila haptas do të përfshihet në krijimin e rendit të ri botëror. Kjo pikërisht ndodhi me përfshirjen e SHBA-ve, edhe pse me vonesë, në Luftën e Parë Botërore, nga e cila doli fituese së bashku me aleatët e saja, Britaninë e Madhe dhe Francën. Në skenë doli fuqishëm presidenti amerikan Vilsoni me pikëpamjet dhe angazhimet politike dhe diplomatike të drejtpërdrejta në Konferencën Ndërkombëtare për Paqe e cila u mbajt në Paris në vitin 1919, dhe e cila në histori njihet si Paqja e Versajit. Faktorizimi dhe fuqizimi i gjeopolitikës amerikane do të vazhdojë edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, nga e cila doli fituese së bashku me aleatët e saj, Britaninë e Madhe dhe Bashkimin Sovjetik, tani në saje të angazhimit të presidentit amerikan Ruzvelt, i cili me përpjekjet e fuqishme do të jep drejtimin e politikës dhe diplomacisë amerikane. Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, në skenë mbetën dy fuqi kryesore të cilët do të udhëheqin botën, e njohur si periudha e botës bipolare e ashtuquajtur ”Luftë e Ftohtë”. Në njërën anë ishte blloku kapitalist apo perëndimor me Paktin ushtarak të NATO-së në krye me SHBA-në, dhe në anën tjetër ishte blloku socialist apo lindor me paktin ushtarak të Varshavës në krye me Bashkimin Sovjetik. Kjo periudhë vazhdoi gjer në vitin 1989, kur ndodhi shkatërrimi i socializmit (komunizmit), si pasojë e së cilës edhe u shpërnda Paktit i Varshavës, dhe pasoi shpërbërja e ish Bashkimit Sovjetik, Jugosllavisë dhe Çekosllovakisë. Pas kësaj kohe, pasoi një periudhë njëzetvjeçare (1990-2010), në të cilin lirisht mund të thuhet se SHBA-ja mbeti si superfuqi e vetme në botën unipolare, e cila diktoi dhe udhëhoqi një politikë të te re me krijimin e një rendi të ri botëror në fillim të shekullit XXI, në të cilin zgjeroi ndikimin e saj politik, ekonomik dhe ushtarak drejt lindjes, jo vetëm drejt atyre shteteve që deri dje ishin në bllokun lindor , por edhe shteteve të reja të porsaformuara pas shpërbërjes si të shteteve të cekura më lartë të krahut lindor socialist. Kjo politikë amerikane është duke vazhduar edhe në ditët e sotshme me depërtimin e mëtutjeshëm drejt shteteve të mbetura e akoma të papërfshira në gjeopolitikën e saj.
Por në vitet e fundit, sidomos prej vitit 2010, SHBA-ja haptas është ballafaquar me rritjen dhe zhvillimin enorm të dy fuqive tjera botërore , me rritje të hovshme ekonomike, politike, ushtarake të cilët në mënyrë të drejtpërdrejtë po bëhen rival përball gjeopolitikës amerikane me tendencë të krijimit të një bote multipolare, në të cilin krahas SHBA-ve do të ushtrojnë ndikimin e tyre politik, ekonomik, ushtarak edhe Rusia dhe Kina.
Gjeopolitika amerikane në raport me shqiptarët mund të klasifikohet në tre periudha kohore gjatë shekullit të fundit:
I. Periudha e viteve 1919-1944,
II. Periudha e viteve 1944-1989,
III. Periudha e viteve 1989-2014.
Në periudhën e parë kohore të viteve 1919-1944 diplomacia amerikane për herë të parë tregoi një interes të veçantë për çështjen shqiptare. Kjo ndodhi pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, gjatë zhvillimit të punimeve të Konferencës Ndërkombëtare për Paqe në Paris në vitin 1919, në të cilin palët fituese, duke përfshirë SHBA-në, hartuan marrëveshjen gjithëpërfshirëse të njohur me emrin Paqja e Versajit. Këtu në saje të angazhimit të drejtpërdrejtë të presidentit amerikan Vilson, për drejtën e popujve për vetëvendosje, u arrit që Shqipëria të mbijetojë dhe të vazhdojë së ekzistuari në kufijtë e saja të njohura dhe të pranuara në Konferencën e ambasadorëve në Londër në vitin 1913.
Në periudhën kohore të viteve 1944-1989, politika amerikane ishte orientuar përball shqiptarëve në përgjithësi e Shqipërisë në veçanti në saje të ndarjes së zonave të influencës gjeopolitike, pas marrëveshjes së Jalltës, me ç’rast Shqipëria mbeti në anën lindore të gjeopolitikës së atëhershme, pasi që në Shqipëri ngadhënjyen forcat socialiste, dhe si e tillë Shqipëria u rreshtua drejt bllokut socialist të lindjes me qendër në Moskë. Populli shqiptar i mbetur jashtë kufijve të Shqipërisë, në ish Jugosllavi, ishte i përshirë në kuadër të shtetit socialist të ish Jugosllavisë, i cili kishte një sistem të veçantë socialist vetëqeverisjes, dhe si i tillë mbante një politikë neutrale dhe të painkuadruar në raport me dy blloqe të atëhershme.
Në periudhën kohore të viteve 1989-2014 , SHBA-ja zhvilloi një politikë edhe më aktive për çështjen shqiptare në përgjithësi, e asaj të Kosovës në veçanti, e sidomos pas suprimimit të autonomisë së Kosovë në vitin 1989 dhe shpërbërjes së ish Jugosllavisë socialiste në vitin 1991. Ndoqi një politikë aktive edhe në Shqipëri, pas përmbysjes së regjimit komunist në vitin 1991, me qëllim të zgjerimit të sferës gjeopolitike amerikane në juglindje të Evropës, gjegjësisht drejt shteteve që më parë ishin në bllokun e Lindjes(socialist), e që u kurorëzua përfundimisht me përkrahjen politike dhe mbështetjen në kryerjen e intervenimin ushtarak humanitar për shpëtimin e popullit shqiptar të Kosovës nga regjimi sundues serb të diktatorit Millosheviq në vitin 1999. Mbështetja kryesore ishte për shpalljen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia në vitin 2008, si dhe kontributin e veçantë të SHBA-ve për anëtarësimit të Shqipërisë në NATO në vitin 2012.
Periudha e viteve 1919-1944
Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, u mbajt Konferenca Ndërkombëtare në Paris, e cila njihet në histori si Paqja e Versajit, e cila nisi punime me 18 janar 1919, dhe vazhdoi për plot 6 muajt në nivel të lartë të kryetarëve dhe kryeministrave të shteteve pjesëmarrëse, dhe përfundoi me 28 qershor 1919 me nënshkrimin e Traktatit të Versajës, duke vazhduar punimet më tutje në nivel të ministrave të punëve të jashtme dhe ambasadorëve, për zgjidhjen e çështjeve tjera të mbetura të pazgjidhura. Konferenca Ndërkombëtare në Paris e vitit 1919, për dallim nga Konferenca e ambasadorëve e vitit 1913 në Londër, kishte para vetit një sfidë dhe peshë shumë më të madhe, pasi aty përcaktohej fati i shumë kombeve dhe shteteve të reja të botës. Vendimet e sjella aty, kanë qenë rezultat i përfundimit të Luftës së Parë Botërore, nga e cila dolën fituese SHBA-ja, Britania e Madhe, Franca dhe Italia, përkundër humbësve të luftës Gjermanisë, Perandorisë Austro-Hungareze dhe Perandorisë Osmane. Palët fituese kanë diktuar vendimet palëve humbëse. Si pasojë e vendimeve jo të drejta në atë kohë, kanë sjell si pasojë luftërat e përgjakshme ballkanike në mes viteve 1991-1999, në ish Jugosllavi , që nga lufta në Slloveni, Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë, lufta e Irakut dhe e Sirisë, çështja akoma e pazgjidhur e kurdëve të ndarë në katër shtete e tanishme, Turqi, Irak, Iran dhe Siri, raportet shpesh të acaruara në mes Greqisë dhe Turqisë si dhe luftërat e pafundme në mes arabëve dhe çifutëve që nga viti 1948 e gjer në luftimet e ditëve të sotshme në Palestinë.[1]
E veçanta e Konferencës së Parisit, ishte se kaloi në shenjë të presidentit amerikan Vudro Vilsonit, i cili ishte presidenti amerikan i parë , që shkeli me këmbët në Evropë, ku mbeti gati plot 6 muaj, me një ndërprerje të shkurtër, që nga janari e gjer në qershor të vitit 1919.[2] Në histori kanë mbetur të shënuara 14 pikat e tij, në të cilin ai u angazhuar për vetëvendosjen e popujve në botë. Në një deklaratë të tij Vilsoni ka thënë: ” Ne tani themi se të gjithë popujt kanë të drejtë të jetojnë jetën e tyre dhe të kenë qeveri të zgjedhur prej vet atyre. Ky është parimi amerikan”.[3] Por kur u ballafaqua gjatë punimeve të Konferencës së Parisit, deklaratat e tij hasën në kundërshtime të forta gjatë pazarllëqeve në mes të shteteve evropiane lidhur me vetëvendosjen e popujve, kjo bëri që Vilsoni të zbutet dhe të zmbrapset nga deklaratat pas trusnisë së madhe të aleatëve të vet, dhe kundërshtimeve të brendshme në Kongres. Ashtu që në fund të vitit 1919, para Kongresit amerikan do të deklarojë: ” Kur unë i shqiptova ato fjalë ( që të gjithë kombet kishin të drejtën e vetëvendosjes), e bëra këtë pa dijeni se ekzistonin kombësitë, që po na shfaqen dita-ditës”.[4]
Gjatë kësaj periudhe 6 mujore në Konferencën ndërkombëtare të Parisit u arritën rezultate të mëdha, sikurse që ishte themelimi i Lidhjes së Kombeve, marrëveshjet a arritura me Gjermaninë, Austrinë, Hungarinë, Bullgarinë dhe Perandorinë Osmane, por edhe shumë çështje tjera mbetën të hapura, të cilët vazhduan të zgjidhen me vazhdimin e punimeve të mëtejmë në rangun e ministrave të jashtëm dhe të ambasadorëve.[5]
Sido që të jetë edhe pse Konferenca e Paqes në Paris nuk kishte zgjidh të gjitha problemet në të cilin gjendej bota në atë periudhë, por sipas paçebërësve të atëhershëm e kanë bërë më të mundshmen. Kështu që Vilsoni me 28 qershor 1919, pas përfundimit të Konferencës i kishte thënë shoqes së vetë: ” Mirë, vogëlushja ime, mbaroi, dhe, meqenëse askush nuk është i kënaqur shpresoj vetëm që të kemi bërë një paqe të drejtë, por gjithçka është në dorën e zotërave të tyre”.[6]
Dy faktor kyç që kanë ndikuar që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të inkuadrohen aktivisht në anën e aleatëve të saj , Britanisë së Madhe dhe Francës, në Luftën e Parë Botërore, apo në Luftën e Madhe siç njihet në histori : imperializmi gjerman dhe dëshira e Amerikës që të ruajë ekuilibrin e forcave në Evropë, pasi që sipas botëkuptimit amerikan, një humbje e Britanisë së Madhe do të thoshte njëkohësisht edhe humbje për Shtetet e Bashkuara.[7]
Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, ishte e udhës tani edhe pjesëmarrja e SHBA-ve në Konferencën Ndërkombëtare të Parisit në vitin 1919, në të cilin qe përpiluar Traktati i Paqes me emrin e njohur në histori si Paqja e Versajit. Disa qarqe të njohura politike në atë kohë në SHBA-të, vendosjen e paqes së qëndrueshme në Evropë e shihnin edhe me zgjidhjen e çështjes ballkanike në veçanti, pasi që edhe shkaku i fillimit të Luftës së Parë Botërore, ishte atentati në Sarajevë kundër Franc Ferdinandit, trashëgimtarit të fronit mbretëror austrohungarez e cila u krye nga nacionalisti serb GavrilloPrincip. Diplomatët amerikan të cilën morën pjesë në përgatitjen e materialeve për delegacionin e SHBA-ve që ka marrë pjesë në këtë Konferencë, ishin të mendimit se pjesëmarrja e Amerikës në zgjidhjen e problemeve përfshin edhe zgjidhjen e problemit në veçanti të çështjes ballkanike, i cili do të jetë një faktor përcaktues për arritjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkan.[8] Për të qenë sa më i përgatitur pranë Departamentit të shtetit amerikan u formua një Komision Hetimor, në vitin 1918 i cili përfshinte 126 bashkëpunëtor të profileve të ndryshme, dhe i cili enkas për Konferencën Ndërkombëtare kishte përgatitur studimet e gjithanshme gati për tërë botën, me rreth 2000 informacione dhe 1000 harta të ndryshme.[9]
Në atë kohëShqipëria, ishte një shtet i ri i sapoformuar dhe i pranuar ndërkombëtarisht në Konferencën e ambasadorëve në Londër në vitin 1913.Meqë nuk kishin njohuri të mjaftueshme për çështjen shqiptare, dhe për këtë shkak brenda Komisionit Hetimor u paraqitën dy drejtime të kundërta, njëra mbronte pozicionin e legalitetit, ndërsa tjetra të drejtën natyrore.[10]
Në Konferencën Ndërkombëtare në Paris morën pjesë tri delegacione shqiptare, të cilët vepronin të ndarë njëra nga tjetra. Esat Pashë Toptani, i cili veten e paraqite si president të Shqipërisë, kishte mbështetjen e disa qeverive të caktuara rajonale dhe evropiane. Delegacioni i dytë ishte ai që kryesohej nga Tyrhan Pasha së bashku me Mehmet Konicën dhe Mihal Turtullin, e që përfaqësonin qeverinë e përkohshme të Durrësit të formuar me 25 dhjetor 1918. Delegacioni i tretë ishte i përfaqësuesve të emigrantëve shqiptar nga SHBA-ja, Turqia dhe Rumania, të cilët vepronin në përputhje të plotë me delegacionin e Qeverisë së përkohshme të Durrësit në krye me Tyrhan Pashën.[11] Roli i emigrantëve shqiptar në përgjithësi , e i emigrantëve të Amerikës në veçanti ishte i madh, pasi që ata nëpërmjet lidhjeve të tyre të ndryshme ushtronin presion mbi delegacionin amerikan, dhe i varnin shpresat shumë tek presidenti amerikan Vilson l me 14 pikat e proklamuara në vitin 1918. Ata i bënin thirrje presidentit amerikan Vilson që në: “emër të drejtësisë dhe të normave morale ndërkombëtare të përdorë të gjithë ndikimin e tij për të penguar copëtimin e Shqipërisë”.[12]
Pasi që Shqipëria gjatë Luftës së Parë Botërore u okupua nga trupat austrohungareze, italiane, franceze, serbe dhe greke, ndodhej e kërcënuar me shpërbërje, duke marrë parasysh Traktatin e fshehtë të Londrës në vitin 1915, sipas së cilës edhe gjatë mbarëvajtjes së punimeve të Konferencës të tri shtetet fqinje përpiqeshin ta zhbëjnë Shqipërinë në favor të tyre, Serbia pretendonte pjesën veriore me dalje në det në Durrës, Greqia me marrjen e Shqipërisë së jugut, apo Vorioepirin, siç e quante atë, duke përfshirë qytetet e Korçës, Himarës, Sarandës, Delvinës e Gjirokastrës, ndërsa Italia ishte e preokupuar me ishullin e Sazanit dhe portin e Vlorës me prapavijën e saj kontinentale. Kështu do ta kishte kontrollin e hyrjes në detin Adriatik. I vetëdijshëm me këtë situatë të pavolitshme në të cilin gjendje Shqipëria , Eriksoni, një misionar amerikan, i dërgoi një propozim Departamentit të shtetit dhe delegacionit amerikan për formimin e një Komisioni neutral ndërkombëtare i cili do të rregullonte kufijtë ndërmjet Shqipërisë, Greqisë dhe Serbisë, mbi bazën e përbërjes etnike të popullsisë. Kjo do të ishte në përputhje të plotë me konkluzionin e delegacionit amerikan në Paris se vetëm SHBA-ja do të mund të shpëtonte Shqipërinë nga shpërbërja dhe do të qetësonte popujt e Ballkanit.[13]
Se sa e rëndësishme është në diplomaci faktori njeri, çoftë lider, burrështetas, apo udhëheqës të një shteti, në momente vendimtare historike kur përcaktohej fati i një populli, kombi, apo shteti, sikurse që ishte me rastin e popullit shqiptar dhe Shqipërisë gjatë viteve 1919-1920, u duk më së miri me vet presidentin amerikan Vilson dhe përcaktimin e tij politik dhe diplomatik gjatë Konferencës Ndërkombëtare në Paris. Pas kthimit të tij në fund të qershorit 1919, përpjekjet e t’ia për pranimin e Traktatit të Versajit për miratim nga Kongresi amerikan dështuan, pasi që Kongresi amerikan e refuzoi të ratifikonte atë, dhe nuk pranoi aderimin e SHBA-ve në Lidhjen e Kombeve. Nga këto dy veprime politike , ai pësoi zhgënjim të madh, dhe pas një kohë u sëmurë rëndë gjersa ndërroi jetë në vitin 1924. Pas ardhjes së presidentit të ri amerikan në vitin 1920, Voren Harding, u bë një kthim radikal në politikën dhe diplomacinë amerikane. Senatori amerikan Lodxh në mars të vitit 1920, paraqiti Komitetit për punë të jashtme të Senatit, rezolutën me të cilin Senati do ta mbështesë qëndrimin se” Epiri i Veriut(përfshirë edhe Korçën)..., ku mbizotëron popullsia greke,t’i jepet Greqisë nga ana e Konferencës së Paqes dhe me këtë të inkorporohej në Mbretërinë e Greqisë”.[14] Voren Hardingu, kryetari i porsazgjedhur amerikan pas Vilsonit, në fund të vitit 1920, shprehu simpati të thellë për popullin grek, dhe se gjersa ishte në Senat, votoi pro rezolutës së Lodxhit, dhe se gjatë mandatit të tij do të mbështesë realizimin e aspiratave territoriale greke.[15] Konferenca Ndërkombëtare gjatë punimeve të saja gjashtëmujore prej janarit gjer në qershor nuk arriti të zgjedhë çështjen e kufijve të Shqipërisë, përkundër insistimit të delegacionit amerikan dhe të presidentit Vilson. Çështja e Shqipërisë mbeti të zgjidhej më vonë gjatë punimeve të Konferencës së ambasadorëve në Paris gjatë viteve në vijim.
Merita e presidentit amerikan Vilson për çështjen e Shqipërisë, qëndron pikërisht në faktin se ai edhe pse nuk arriti gjatë mandatit të tij të zgjidh çështjen përfundimtare të kufijve të Shqipërisë,e veçanta e tij qëndron se arriti të pengojë realizimin e Traktatit sekret të Londrës së vitit 1915, i cili praktikisht mohonte ekzistencën e Shqipërisë si shtet , dhe me politikën e tij i pengoi fuqitë evropiane të legalizojnë ndarjen e Shqipërisë nga shtetet e saja fqinje, Italisë, Greqisë dhe Serbisë.[16]
Në bazë të kësaj mund të përmbledhin se presidenti Vilson së bashku me delegacionin amerikan gjatë punimeve gjashtëmujore të Konferencës Ndërkombëtare në Paris, prej fillimit të janarit e gjer në qershor të vitit 1919, ushtroi presion dhe ndikim të madh në fuqitë evropiane për fatin e Shqipërisë, e sidomos të jugut të Shqipërisë, dhe suksesi i tij qëndron në parandalimin e zgjidhjes së pafavorshme të Shqipërisë, u prolongua zgjidhja e kufijve të Shqipërisë. Gjatë viteve në vijim ndryshuan dukshëm edhe rrethanat politike dhe ushtarake, dhe u bënë më të favorshme për Shqipërinë.[17]
Se sa është i rëndësishëm për një shtet faktori i brendshëm politik, e sidomos krahu i tij luftarak për pavarësinë e saj, treguan ngjarjet e mëvonshme që ndodhën gjatë vitit 1920 në Shqipëri.Shqipëria hyri në vitin 1920 me problemin e pazgjidhur të statusit shtetëror të saj dhe kufijve të papërcaktuara të saj. Konferenca e Paqes në Paris nuk arriti të zgjidhi statusin e Shqipërisë, dhe kjo i mbeti në duar të Lidhjes së Kombeve dhe vazhdimit të punimeve në nivel të ambasadorëve të Konferencës Ndërkombëtare në Paris.[18] Faktori i brendshëm politik shqiptar u bashkua dhe në janar të vitit 1920 mbajtën Kuvendin e Lushnjës, me ç’rast u theksua se për realizimin e qëllimeve të atdheut, do të përdoret edhe forca kundërtrupave të huaj që ishin stacionuara brenda Shqipërisë. Në këtë kohë të vlimeve të mëdha në pah doli figura e ministrit të brendshëm Ahmet Zogu i cili ishte një nacionalist dhe atdhetar i paepur për çlirimin e Shqipërisë dhe pavarësimin e saj. Pasoi një luftë e armatosur të forcave patriotike shqiptare kundër ushtarëve italian të stacionuara në Vlorë, dhe e cila përfundoi me fitoren shqiptarëve dhe tërheqjen e ushtarëve italian nga Vlora drejt Italisë. Kjo edhe shpejtoi procesin e zgjidhjes së çështjes së Shqipërisë. Me shumë rëndësi ishte se në Shqipëri sipas kërkimeve të gjeologëve austriak dhe italian në Shqipëri t u gjenden sasi të mëdha të naftës. Kjo ishte kthesë pas së cilës u përshpejtua zgjidhja e statusit të Shqipërisë dhe kufijve të papërcaktuara. Tani, nisën bisedimet me qeverinë shqiptare për fitimin e koncesioneve të firmave të interesuara për hulumtimin e naftës shqiptare si nga ana e anglezëve, italianëve e më vonë edhe francezëve dhe amerikanëve. Kjo ishte edhe arsyeja kryesore që së shpejti Shqipëria u bë anëtare e Lidhjes së Kombeve me 17 dhjetor 1920, dhe se më vonë Konferenca e ambasadorëve në Paris me datë 9 nëntor 1921 njohu kufijtë e Shqipërisë, të përcaktuara në vitin 1913 që rregulloi Komisioni ndërkombëtar i Firencës.[19] Pas kësaj edhe qeveria e SHBA-ve 28.08.1922 në një notë të dërguar Ministrisë së Punëve të jashtme të Shqipërisë e njofton se: “ e udhëhequr nga qëndrimi i suksesshëm i qeverisë kombëtare shqiptare e njeh edhe de jure qeverinë e Shqipërisë ”.[20]
Pasoi periudha në të cilin kompanitë për kërkim dhe shfrytëzim të naftës shqiptare, bënë një garë të fortë në mes vete se cila do të merr koncesione nga qeveria shqiptare. Me të vërtet qeveria shqiptare ishte në hall të vendos, pasi ishte në trusninë e madhe të shteteve nga të cilat vinin kompanitë, sikurse që ishin Anglia, Amerika, Italia, por edhe Franca. Ashtu që qeveria shqiptare u detyrua që të jap koncesion kompanive të ndryshme të kërkojnë dhe hulumtojnë naftën shqiptare. Kompanitë Sinkleri dhe Standardi amerikan, Anglo-Persian dhe Shelli anglez, por edhe një kompani franceze e italiane.[21] Por pas disa viteve kërkimesh dhe hulumtimesh, me ç’rast u vërtetua se në Shqipëri nuk ka sasi të mëdha nafte, dhe se nafta ishte e cilësisë së dobët, kompanitë britaneze dhe amerikane filluan të tërhiqen dhe të lenë në dispozicion punën e mëtejmë të kërkimit dhe shfrytëzimit të naftës kompanisë italiane. Në lidhje me këtë, kompania amerikane Standard dhe kompania angleze Anglo-Persian hoqën dorë nga koncesionet e fituara më parë nga qeveria shqiptare, dhe jua lënë në dorë kompanisë italiane të bëjë kërkime dhe të shfrytëzon naftën shqiptare,[22] Kompanitë amerikane nuk ishin të interesuara të investonin në Shqipëri, sepse tregu shqiptar ishte një treg shumë i vogël dhe me një infrastrukturë të dobët, sidomos të rrugëve katastrofale, ashtu që dalëngadalë edhe prioriteti i politikës dhe diplomacisë amerikane karshi Shqipërisë filloi të zbehej, dhe si pasojë e kësaj ata nuk e kundërshtuan zgjerimin dhe ndikimin e politikës dhe diplomacisë italiane , sidomos në periudhën e mbretërisë shqiptare me mbretin Zogu I. Pas shpalljes nga Parlamenti shqiptar të mbretërisë shqiptare në krye me mbretin Zogu i I-rë, qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e njohu mbretin Zog I më 15.09.1928, menjëherë pas njohjes nga Italia, Greqia dhe Hungaria, dhe para Anglisë e Francës dhe shteteve tjera evropiane.[23]
Në përfundim të kësaj pjese të parë, të periudhës së viteve 1919-1944, mund të konkludojë, se politika amerikane ka luajt një rol të rëndësishëm lidhur në raport me shqiptarët, gjegjësisht të Shqipërisë, pasi që gjatë kësaj kohe e tërë politika dhe diplomacia amerikane ishte përqendruar në ruajtjen dhe mbijetesën e Shqipërisë si shtet i pavarur dhe i njohur në kufijtë e vitit 1913. Ndërsa për shqiptarët e mbetur në trojet e tyre jashtë Shqipërisë, as që mund të bëhej fjalë, pasi që ishte në rrezik mbijetesa e Shqipërisë, dhe tërë diplomacia dhe politika amerikane ishte e përqendruar kryesisht karshi Shqipërisë. Merita e presidentit amerikan Vilson ishte tejet e madhe, duke pas parasysh se ai ishte nën presionin e dy rrymave të kundërta që ishin prezent në diplomacinë e atëhershme amerikane, rrymës përparimtare dhe rrymës reaksionare.[24] Edhe pse delegacioni shqiptar ishte i mendimit së bashku me delegacionin e emigrantëve shqiptar në SHBA, Rumani dhe Turqi që për një kohë do të ishte më mirë që Shqipëria të jetë në mandatin e SHBA-ve, ky propozim u hodh poshtë nga vet presidenti amerikan Vilsoni, i cili ishte pro mandatit italian për Shqipërinë.[25] Merita e madhe e Vilsonit për çështjen e Shqipërisë ishte se ai i parandaloi shtetet evropiane që çështjen e Shqipërisë ta zgjidhnin sipas kuteve të tyre, saktësisht sipas Traktatit të fshehtë të Londrës arritur në vitin 1915, i cili në fakt parashihte ndarjen e Shqipërisë në mes Italisë, Serbisë dhe Greqisë, me të cilën Vilsoni ishte kategorikisht kundër.[26] Qëndrimet e Vilsonit penguan fuqitë evropiane të zgjidhnin parakohshëm dhe përfundimisht rastin e Shqipërisë, pas së cilës u bë konsolidimi i faktorit të brendshëm politik shqiptar, i cili pas anëtarësimit në Lidhjen e Kombeve, mundësoi të krijojë një të ardhme më të mirë e cila rezultoi më vonë me pranimin e Shqipërisë në kufijtë e saja të vitit 1913.[27]
Pasi që u vërtetua se në Shqipëri nuk ka në sasi të madhe naftë, dhe cilësia e saj ishte e dobët, politika amerikane filloi të zmbrapsej nga interesimi i saj për Shqipërinë, duke i lëshuar Italisë, ndikimin vendimtar politik, ekonomik dhe strategjik, pas së cilës diplomacia amerikane mbajti rolin e sehirgjiut karshi Shqipërisë, duke i mbajtur marrëdhëniet e saja diplomatike gjer në pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste me 6 prill 1939, si pasoj e pushtimit nga Italia erdhi gjer te ndërprerja e marrëdhënieve diplomatike në mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë me 10 prill 1939, pra SHBA-ja u pajtua heshtazi me okupimin e Shqipërisë.[28]
Periudha e viteve 1944-1989
Si pasojë e fitores së saj në Luftën e Dytë Botërore, së bashku me aleatët e saj, Britaninë e Madhe dhe Bashkimin Sovjetik, kundër fuqive humbëse, Gjermanisë, Italisë dhe Japonisë, SHBA-ja edhe më fuqishëm doli në skenën ndërkombëtare. Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, në skenë mbetën për një periudhe kohore pesëdhjetë vjeçare dy fuqi të cilët krijuan dhe udhëhoqën rendin e ri botëror, botën bipolare e cila njihet ndryshe edhe si periudha e Luftës së Ftohtë. Tani, Franca dhe Britania e Madhe e humbën primatin e tyre udhëheqës në Evropë , por edhe në botë , pas gati dy shekull avangarde. Këto dy shtete jo vetëm që humbën rolin udhëheqës, por gjatë kësaj periudhe të Luftës së Ftohtë i humbën edhe të gjitha shtetet kolonizuese që i kishin në posedim . Rolin e tyre e morën dy superfuqi të reja, SHBA-ja dhe Bashkimi Sovjetik, të cilët gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX do të luajnë rolin kryesor dhe vendimtar në marrëdhëniet ndërkombëtare në botë. Ky balancim në mes SHBA-ve dhe Bashkimit Sovjetik ishte edhe si rezultat i arsenalit të tyre bërthamor, i cili ishte barometër i përcaktimit të veprimeve politike dhe ushtarake të tyre. Gjatë Luftës së Ftohtë SHBA-ja dhe Bashkimi Sovjetik, zonat e ndara të interesit të përcaktuara gjatë Luftës së Dytë Botërore, në Konferencën e Teheranit, Jaltës dhe Potsdamit, por edhe në bisedimet të ndryshme të drejtpërdrejta në mes presidentit amerikan Ruzveltit dhe liderit komunist sovjetik Stalinit, si dhe kryeministrit britanez Çerçillit, me përpikëri të plotë i kanë zbatuar në praktikë. Kur kemi të bëjmë me zonat e interesit, por edhe me diplomacinë sekrete të cilët janë përcaktuar gjatë gjithë historisë në mes fuqive kryesore të kohës, e të cilët gjithmonë kanë qenë në dëm të popujve apo kombeve të vogla, me ç’rast iu është përcaktuar fati i tyre pa përfillur mendimin apo vullnetin e tyre. Këtë mund të ilustrojmë me plot shembuj nga historia, gjatë periudhave të ndryshme kohore, gjatë së cilës janë përcaktuar sferat e interesit, sikurse p.sh. marrëveshja sekrete e Jaltës e vitit 1787 në mes mbretëreshës ruse Katarina dhe mbretit austriak Josifi II për ndarjen e Ballkanit në dy zona të interesit në mes Rusisë dhe Austrisë, marrëveshja sekrete e Londrës e vitit 1915 në mes Britanisë së Madhe, Francës, Rusisë dhe Italisë, për ndarjen e Ballkanit sipas zonave të interesit në dëm të popujve të caktuar të Ballkanit.[29] Disa prej Konferencave Ndërkombëtare më të rëndësishme gjatë shekullit XIX dhe XX, në të cilën janë lidh marrëveshje të ndryshme në mes fuqive kryesore të kohës, ishin Kongresi i Vjenës i vitit 1815, Konferenca e Parisit e vitit1856, Kongresi i Berlinit i vitit1878, Konferenca e ambasadorëve e Londrës e vitit 1913, Paqja e Versajit e vitit 1919, Konferenca e Teheranit e vitit 1941, Konferenca e Jaltës si dhe Konferenca e Potsdamit e vitit 1945, etj. Këto vendime të faktorëve kryesore, të fuqive botëror të kohës, të cilët vendosën për fatin e popujve dhe kombeve të tëra të vogla, bazohen në teoritë e ndryshme të filozofëve apo mendimtarëve të njohur gjatë historisë, sikurse p.sh. Hegelit, i cili në filozofinë e tij të mendimit, i ka ndarë kombet në kombe superiore dhe inferiore, kombe historike dhe johistorike, kombe të pjekura dhe jo të pjekura, kombe revolucionare dhe kundërrevolucionare.[30] Por kundër teorisë së Hegelit, kemi teorinë tjetër të filozofit të njohur francez Zhan Zhak Ruso i cili ishte i mendimit se në botë nuk ekzistojnë dy kombe të njëjta, çdo komb ka vetitë e saja dhe ka të drejtë të jetojë jetën e vet ashti si do. Ai ishte kundër mendimit aktual të asaj kohe, të superioritetit të racës evropiane ndaj racës afrikane.[31]
Ishte e qartë se SHBA-ja do të luajë rolin kryesor në rendin e ri botëror të krijuar pas Luftës së Dytë Botërore . SHBA-ja ishte fuqizuar ekonomikisht shumë më tepër, si pasojë që lufta nuk është zhvilluar brenda shtetit të saj, por larg saj, në Evropë dhe Azi, ajo tani do të jep formën e botës së re sipas preferencave të saja.[32] Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, ishte e qartë se fuqitë evropiane më nuk do të luajnë rolin kryesor, e pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore përfundimisht Evropa e humbi primatin udhëheqës në botë. Tani, këtë rol e mori SHBA-ja, me këtë mori përsipër që në zonën e saj të interesit, të mbrojë me të gjitha mjetet e saja politike, ekonomike dhe ushtarake, botën perëndimore demokratike që ishte jo komuniste.[33] Rolin e primatit botëror të SHBA-së në çështjet aktuale botërore e përcaktuan dy faktorë kryesor: rritja e hovshme e fuqisë saj ekonomike si dhe humbja e vendosjes së qendrës evropiane në marrëdhëniet ndërkombëtare. Meritorët kryesor për rolin vendimtar të SHBA-ve në çështjet botërore kanë dy presidentët historik amerikan, Vudro Vilsoni dhe Frenklin Ruzvelti, të cilët u angazhuan në justifikimin e SHBA-ve si udhëheqëse botërore, edhe pse dalloheshin në mes vete me filozofi të ndryshme veprimi.[34]
Për dallim nga Vilsoni, Ruzvelti ishte ai që e ngriti SHBA-në në rol kryesor udhëheqës ndërkombëtar, kur çështja e luftës dhe paqes, përparimit apo ngadalësimit në tërë botën vareshin nga vizioni dhe angazhimi i tij i drejtpërdrejtë gjatë zhvillimeve të Luftës së Dytë Botërore.[35] Ai e mori monopolin e diplomacisë britaneze të kryesuar nga Çerçili gjatë bisedimeve për ristrukturimin e Evropës së pas luftës, përcaktimit të zonave të interesit, jo vetëm në Evropë, por edhe në botë në përgjithësi. Këtë e realizoi nëpërmjet takimit të parë të ministrit të tij Idnit me Stalinin në Moskë, në dhjetor të vitit 1941, pa prezencën e përfaqësuesit britanez.[36] Këtë veprim që e bëri, Ruzvelti bazohej në atë se fuqia e Britanisë së Madhe ishte në rrënje, dhe se SHBA-ja do të bënte çmos që është e mundur për të parandaluar humbjen e Britanisë së Madhe në luftë, pasi që Franca për 6 javë kishte kapitulluar nga Gjermania, pa ndihmën amerikane. Me humbjen e Britanisë së Madhe, kontrolli i Atlantikut do të kalonte në duart e armiqve me ç’rast do të rrezikonte sigurinë e hemisferës perëndimore.[37] Ngjarjet që do të ndodhin pas kësaj, ishin në favor të Britanisë së Madhe, Çerçili do të mund të realizojë në praktikë diplomacinë e tij të shkathtë në takimet e shumta diplomatike .
Gjermania e sulmoi Bashkimin Sovjetik me 22 qershor 1941, me këtë Hitleri e shkeli marrëveshjen me Stalinin për mossulmim. Japonia një anshëm, pa paralajmërim, e sulmoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Perl Harbour me 7 dhjetor 1941, dhe bëri që edhe SHBA-ja të përfshihet në luftë.[38] Gjatë tërë kohës sa ishin duke u zhvilluar luftimet nëpër fushëbetejat e ndryshme si në Evropë, Afrikë dhe Azi, vazhdimisht janë zhvilluar takimet e shumta në mes liderëve të tre fuqive kryesore fituese, Ruzveltit, Çerçilit dhe Stalinit, herë ishin bilaterale, herë trelaterale. Si rezultat e këtyre takimeve ishin tre Konferencat e njohura të mbajtura gjatë Luftës së Dytë Botërore, Konferenca e Teheranit në vitin 1941, Konferenca e Jaltës dhe Konferenca e Potsdamit në vitin 1945, në të cilin SHBA-ja, Britania e Madhe dhe Bashkimi Sovjetik, vendosën drejtimin dhe përcaktuan rrjedhat e Luftës së Dytë Botërore, si dhe ristrukturimin jo vetëm të Evropës, por edhe të botës, që përputheshin me interesat të tyre, e në të shumtën e rasteve ishin në dëm të popujve të vogla.
Gjeopolitika amerikane në këto tre konferenca të mbajtura ka pas qëndrim të ndryshëm nga Britania e Madhe, dhe përpara merrej vesh me Stalinin, se sa me Çerçilin. Politika amerikane ishte e interesuar sidomos për Evropën qendrore, gjegjësisht për Gjermaninë, Italinë, Francën, Austrinë e Poloninë, ndërsa e tërë vëmendja e saj ishte përqendruar kryesisht në Azi dhe Pacifik. Ruzvelti në bisedimet në katër sy shumë më lehtë merrej vesh me Stalinin, për zona të interesit, ashtu që pothuajse pa kurrfarë problemi Stalinit ia lejoi gati tërë Evropën juglindore që të bie në sferën e interesit komunist sovjetik. Për Ballkanin pothuajse nuk tregoi ndonjë interesim të veçantë, por i lejoi Çerçilit që të merrej vesh me Stalinin.
Në fund të vitit 1943 SHBA-ja vendosi që të likuidojë kolonializmin në botë. Kapitali financiar amerikan dhe zhvillimi i hovshëm i saj do të penetrojë në shtetet e liruara nga kolonializmi, në të cilin kompanitë amerikane do të kishin fjalën kryesore në eksploatimin dhe shfrytëzimin e pasurive dhe mineraleve të shumta nëntokësore në Azi dhe Afrikë.[39] Kjo politikë e programuar amerikane erdhi në shprehje sidomos gjatë punimeve në Konferencën e Teheranit, në të cilin në saje të zhvillimi ekonomik dhe kapitalit financiar arriti të mposht kolonializmin britanik, në Lindjen e Afërt dhe të Mesme.
Në Teheran, përveç zhvillimeve politike dhe ushtarake është zhvilluar edhe luftë e madhe për ndarjen e zonave të interesit në Lindjen e Afërt të pasur me naftë, duke siguruar epërsinë e kompanive amerikane në koncesionet e tyre për shfrytëzimin dhe eksploatimin e burimeve të naftës në Arabinë Saudite, Iran dhe Irak.[40]
Gjeopolitika amerikane në raport me shqiptarët kryesisht ishte e dorës së dytë, pasi që Vilsoni i la duart e lira Çerçilit që të merret vesh për ndarjen e zonave të interesit në Ballkan. Për shqiptarët në atë kohë ishte shumë me rëndësi takimi i mbajtur në mes Çerçilit dhe Stalinit lidhur me ndarjen e zonave të interesit për Ballkanin, ku u vulos fati i popujve dhe kombeve në Ballkan, pa përfillur kërkesat apo dëshirat specifike të popullit të vogël në Ballkan, se cilën rrugë dhe me cilin ideologji do të përcaktohet të rrugëtoj më tutje gjatë periudhës së ardhshme.
Pas përgatitjeve të shumta të ministrave të punëve të jashtme dhe bashkëpunëtorëve tjerë, me 9 tetor 1944 në Moskë u takuan, Vinston Çerçili,kryeministri britanik dhe mareshal Stalini, udhëheqës sovjetik komunist, ku u morën vesh dhe ranë dakord për ndarjen e zonave të interesit në Ballkan.[41] Çerçili dhe Stalini i ndanë zonat e interesit në Ballkan sipas këtyre proporcioneve: Rumania, 90% zonë e interesit sovjetik dhe 10% britanez, Greqia 90% britanez dhe 10% sovjetik, Bullgaria 75% sovjetik dhe 25% britanez, Jugosllavia 50% britanez dhe 50% sovjetik(fifti-fifti).[42] Këtë ndarje ia ka konfirmuar personalisht Çerçili autorit të librit, Vladimir Dedijerit, me 1 shkurt 1951 në banesën e tij në Londër, në bashkëbisedim edhe me Millovan Gjilasin dhe Jozhe Brileun, se me 9 tetor 1944 është marrë vesh me Stalinin për ndarjen e zonave të interesit në Ballkan dhe Evropën Lindore.[43]
Është indikative se as në këtë takim të përbashkët në mes Çerçilit dhe Stalinit, por edhe në konferencat e mbajtura në Teheran, Jaltë dhe Potsdam, fare nuk është përmendur Shqipëria, ndërsa për Kosovën e trojet tjera shqiptare as që është bërë fjalë, pasi që ata kishin mbetur në Jugosllavi, e cila vazhdoi të ekzistuari edhe më tutje në kufijtë e themelimit , me 1 dhjetor 1918. Në mungesë të dokumentacionit arkivor, mund të supozoj, pasi që lëvizja komuniste jugosllave e ka ndihmuar dhe përkrahur lëvizjen komuniste në Shqipëri, vetvetiu nënkuptohet se edhe ajo do të bie në zonën e interesit jugosllav komunist, të cilin nuk do të kundërshtonin as britanezët dhe sovjetikët, pasi që Jugosllavia ishte ndarë ,”fifti-fifti”, dhe në të cilin nuk do të dominojë as ndikimi britanez por as sovjetik. Për këtë kemi një detaj të cilin e cek Ali Draga, i biri i Ferat bej Dragës, i cili në intervistën e dhënë gazetarit të revistës KOHA ka thënë: ”Braktisëm Kosovën në momentin kur majori anglez Hil na tha se s’ka asgjë prej sistemit kapitalist në Shqipëri, sepse kështu është vendosur në Jalltë, Greqia do të jetë në hemisferën kapitaliste, kurse Shqipëria në atë komuniste”.[44] Është interesant se këtë detaj që e cek Ali Draga për Jalltën, Vinston Çerçilli fare nuk e përmend në memoaret e veta për Konferencën e Jaltës, as Henri Kisingjeri në librin e tij, Diplomacia, për Konferencën e Jaltës, por as Vladimir Dedijeri në librin e tij, Sferat e interesit, në kapitullin për Konferencën e Jaltës. Me siguri kjo është vendosur në bisedimet sekrete në katër sy, në mes Çerçilit dhe Stalinit, dhe se ndoshta akoma nuk janë të hapura për publikun transkriptet dhe procesverbalet e caktuara nëpër arkivat botërore. Pas tërë periudhës kohore gati gjysmë shekullore, palët iu janë përmbajtur zonave të interesit për të cilin janë marr vesh më parë. SHBA-ja nuk do të tregojnë ndonjë interes të veçantë për shqiptarët, pasi si Shqipëria ashtu edhe Jugosllavia mbetën me sistemin qeverisës komuniste. Shqipëria gjatë kësaj periudhe kaloi nëpër faza të ndryshme të zhvillimit dhe të bashkëpunimit politik, ideologjik, ekonomik me shtetet komuniste. Gjer në vitin 1948 Enver Hoxha mbajti një politikë miqësore dhe një bashkëpunim të ngushtë me Titon dhe qeverinë komuniste jugosllave. Pas prishjes së raporteve me Jugosllavinë në vitin 1948, Shqipëria do të kthehet në një bashkëpunim të plotë me Bashkimin Sovjetik gjer në vitin 1961, vjen gjer te prishja e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik dhe Hrushqovin, për shkak të afrimit dhe përmirësimit të marrëdhënieve të tyre me Jugosllavinë. Pas kësaj Shqipëria do të orinetohet drejt marrëdhënieve miqësore me Kinën komuniste me të cilit gjatë një kohe të caktuar mbajti relativisht marrëdhënie të mira ekonomike, politike, ideologjike. Pas prishjes edhe me Kinën, Shqipëria mbet e vetme, e izoluar tërësisht dhe nën një diktaturë të egër komuniste që kishte përjetuar populli shqiptar nën regjimin komunist të Enver Hoxhës për plot gati gjysmë shekulli, Shqipëria doli si një shtet i varfër, me një zhvillim ekonomik të ultë, i cili në vitin 1990, pas rrënjës së diktaturës komuniste, i përngjante një shteti tërësisht të shkatërruar dhe të humbur. Për dallim nga Shqipëria, shqiptarët në Jugosllavi në përgjithësi, e në Kosovë në veçanti kaloi në disa faza gjatë periudhës së sistemit komunist jugosllav. Plot 20 vite nga viti 1946 gjer në vitin 1966, Kosova gjendej nën sistemin represiv serb të Rankoviqit, gjatë së cilës me dhjetëra mijëra shqiptar qenë të shtrënguar të shpërngulen për në Turqi. Pas Plenumit të Brioneve, pasoi një periudhë kohore më relaksuese 15 vjeçare, prej vitit 1966 e gjer në vitin 1981, rezultat i së cilës ishte Kushtetuta e re e miratuar e Kosovës në vitin 1974, me të cilin Kosova arriti shkallën më të lartë të autonomisë në ish Jugosllavi. Pas shpërthimit të demonstratave të vitit 1981 për statusin e Republikës së Kosovës, pasoi një periudhë e vështirë 8 vjeçare për ruajtjen e autonomisë e cila pas presionit të madh politik, policor ushtarak nga ana e Serbisë, ajo më në fund u suprimua me 28 mars 1989, pas së cilës Kosova ra nën qeverisjen e drejtpërdrejtë të Serbisë, s pasojë e së cilës ranë me dhjetëra të vrarë dhe qindra të plagosur gjatë demonstratave kundër ndryshimit të Kushtetutës së Kosovës vitit 1974 me të cilin Kosova rikthehej nën statusin politik dhe juridik të Serbisë.
Periudha e viteve 1989-2014
Kjo është periudha më dinamike në të cilin gjeopolitika amerikane fuqishëm dominoi në skenën politike ndërkombëtare si një fuqi e vetme e mbetur në një botë unipolare. Në këtë periudhë ndodhi rrënimi i murit të Berlinit, pasoi bashkimi i Gjermanisë, në të njëjtën kohë u shkatërrua socializmi(komunizmi) si rrjedhojë e së cilës u shpërbënë federatat e shteteve komuniste, Bashkimi Sovjetik, Jugosllavia dhe Çekosllovakia. Shtetet e Evropës juglindore që gjer atëherë ishin në kampin komunist, u orientuan drejt integrimeve evropiane, duke përfaqësuar sistemin demokratik të veprimit, i cili proces akoma vazhdon me anëtarësimit të tyre në Bashkimin Evropian dhe NATO-në. Me shkatërrimin komunist u shpërbë edhe Pakti ushtarak i Varshavës në të cilin bënin pjesë ish shtetet socialiste(komuniste).
Fundi i viteve tetëdhjeta të shekullit XX solli ndryshime të mëdha në skenën ndërkombëtare të cilët shkaktuan konfiguracione radikale në botë. Përfundoi e ashtuquajtura Luftë e Ftohtë në ballafaqim të dy aktorëve kryesor, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Sovjetik që zgjati që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore e gjer në vitin 1989.[45] Fundi i periudhës së Luftës së Ftohtë apo periudhës bipolare shkaktoi kolapsin e tërësishëm ekonomik, politik, shoqëror dhe ushtarak të shteteve të atëhershme komuniste të Evropës Lindore dhe të Evropës Juglindore . Në këtë ballafaqim gjysmëshekullor doli fituese blloku kapitalist perëndimor në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës si forcë e fuqishme politike, ekonomike, ushtarake e cila mbeti si forcë udhëheqëse e botës unipolare.[46]
Gjatë kësaj periudhe , SHBA-ja u ballafaqua me shumë probleme të ndryshme politike, rajonale, të sigurisë, në të gjitha anët e botës, që me të vërtetë ishte e vështirë që të arrijë dhe të intervenojë për të parandaluar konfliktet e ndryshme në botë. Në Evropë ishte e përqendruar sidomos në ish Bashkimin Sovjetik, shpërbërja e tij u krye më lehtë dhe me më pak vështirësi në krahasim me ish Jugosllavinë tek e cila gjatë shpërbërjes së saj solli luftëra të përgjakshme në mes republikave dhe krahinave që e përbënin ish federatën jugosllave. Si satisfikacion moral i shpërbërjes mund të cekim vetëm ish Çekosllovakinë e cila u nda në mënyrë paqësore në dy shtete, Çeki dhe Sllovaki, pa ndonjë problem apo pasoj politike për vete apo rajonin.
Krijimi i botës unipolare në krye me SHBA-në nuk ishte një proces i lehtë dhe i përballueshëm, pasi që doli në skenë për herë të parë SHBA-ja e vetme të udhëheq botën, për të cilin nuk kishte një përvojë të tillë. Gjatë historisë është e njohur se evropianët i kanë vu suazat e strategjisë, ndërsa SHBA-ja pastaj vendoste se a do të merr pjesë dhe kur do të merr pjesë, rasti i Luftës së Parë Botërore dhe Luftës së Dytë Botërore. SHBA-ja tani e posedonte me të vërtet fuqinë politike, ekonomike dhe ushtarake, por kishte mungesë përvoje për të udhëhequr rendin e ri botëror, si forcë e vetme.[47]
Shtetet e Bashkuara të Amerikës si forcë e vetme udhëhoqi plot 20 vjet rendin e ri botëror, botën unipolare(1990-2010), nuk kishin rival të denjë, pasi që Rusia u dobësua pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik dhe se Kina akoma ishte në një stad të fillimit të zhvillimit ekonomik. Por pas vitit 2010, në skenë fuqishëm dolën Rusia dhe Kina të cilët arritën një zhvillim të madh ekonomik, rritje të shpejtë të GDP-së në nivel nacional, të cilët filluan të konkurrojnë SHBA-ve dhe të bëhen rival të saj. Bota unipolare dalëngadalë filloi të lëviz drejt një bote multipolare. Këtë e kishte paralajmëruar edhe Henri Kisinxheri, një diplomat amerikan me përvojë dhe ish sekretari shtetëror në departamentin amerikan të shtetit.
Sistemi ndërkombëtar politik gjatë shekullit XXI do të karakterizohet me një kontradiktë të dukshme i cili karakterizohet, nga njëra anë me copëtim e nga ana tjetër me globalizim. Sistemi botëror në shekullin XXI do të përngjajë sistemit shtetëror evropian të shek. XVIII dhe XIX, në skenë do të jenë së paku 6 fuqi të mëdha botërore, SHBA-ja, Evropa, Rusia, Kina, Japonia dhe India, sikurse edhe një numër shtetesh me ndikim rajonal.[48]
Shekulli XXI do të kalon në shenjë të një botë multipolare në të cilin prapë në njërën apo formë tjetër do të kemi të shprehur dy blloqe të kundërta të cilët do të gërshetohen në mes tyre me interesa politike, ekonomike, energjetike, të sigurisë. Në njërën anë do të kemi bllokun e përbërë prej SHBA-ve, Bashkimit Evropian dhe Japonisë, dhe një numër i madh i shteteve të vogla që do të përcjellin ata, ndërsa në anën tjetër do të jetë blloku i përbërë prej Rusisë, Kinës dhe Indisë, dhe të një numri më të vogël të shteteve.
Gjatë kësaj periudhe Kosova kaloi në një çast historik. Në vitin 1989 pas presionit, dhunës dhe terrorit shtetëror të ushtruar nga regjimi diktatorial serb i Millosheviqit, me 28 mars 1989 u suprimua autonomia, të cilin gjer në atë kohë Kosova ishte pjesë konstituive e ish federatës jugosllave sipas Kushtetutës së vitit 1974. me ç’rast Kosova u rikthye nën sistemin politik dhe juridik të Serbisë. Në vitin 1990 u rrënua sistemi socialist vetëqeverisës, si dhe nisi shpërbërja e ish Jugosllavisë nga viti 1991 dhe përfundoi në vitin 2008. Është indikative se gjithçka nisi me Kosovën dhe përfundoi me Kosovën. Pas paraqitjes së sistemit shumëpartiak në Jugosllavi në vitin 1991, nisi edhe rezistenca politike paqësore e shqiptarëve me lëvizjen gjithë popullore nën udhëheqjen e Ibrahim Rugovës. Kosova kaloi një periudhë të tmerrshme dhjetëvjeçare (1989-1999) nën dhunën dhe terrorin e egër të shtetit serb, pas së cilës nga viti 1997-1998 në skenë u paraqit me sulme dhe luftë guerile Ushtria Çlirimtare e Kosovës(UÇK-ja), për të përfunduar me çlirimin e Kosovës me 12 qershor 1999 pas intervenimit humanitar të NATO-së në krye me SHBA-të. Pas bombardimeve 78 ditore, regjimi i Millosheviçit nënshkroi Marrëveshjen ushtarake në Kumanovë me NATO-në, u vendos administrata e përkohshme e UNMIK-ut me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe administrata ushtarake e sigurisë së Kosovës, misioni i KFOR-it në Kosovë.
Për dallim nga Kosova, Shqipëria pas përmbysjes së regjimit komunist në vitin 1991 kaloi në një periudhë të vështirë të tranzicionit, e cila u karakterizua me dështimin apo kolapsin e plotë shtetëror, me ç’rast me qindra mijëra shqiptar braktisën Shqipërinë dhe emigruan në shtetet e ndryshme evropiane, për të gjendur një vend pune dhe për të siguruar kafshatën bukës. Gjatë kësaj periudhe në Shqipëroi mbretëroi një qeverisje e brishtë politike në mes dy partive kryesore, PD-së së Sali Berishës dhe PS-së së Fatos Nanos, e cila u karakterizua me mospajtime të thella, për të arritur kulminaconin në vitin 1997 me ç’rast shpërtheu një konflikt me ç’rast u përmbys qeveria e Sali Berishës pas 5 vite udhëheqjeje. Pas një qeveri kalimtare u mbajtën zgjedhjet e reja demokratike me ç’rast fituese doli PS-ja e cila udhëhoqi me qeverinë në dy mandate, prej vitit 1997-2005. Në zgjedhjet e mbajtura parlamentare në vitin 2005 rikthehet PD-ja e Sali Berishës e cila udhëhoqi me qeverinë dy mandate 2005-2013, për të lëshuar qeverisjen PS-së së Edi Ramës, e cila doli fituese në vitin 2013 .
Politika amerikane tregoi interesimin e saj për Kosovën për herë të parë në fund të viteve 80-ta dhe atë, ishte Kongresi amerikan që mori një iniciativë të tillë. Në vitin 1986 për herë të parë , në Kongresin amerikan qarkulloi një projektrezolutë që i referohej Kosovës, e që kishte të bëjë me problematikën e jetesës së shqiptarëve të Kosovë.[49] Edhe pse projektrezoluta nr. 358 nuk ishte miratuar, rëndësia e saj qëndron pasi që për herë të parë në Kongresin amerikan flitej për çështjen e shqiptarëve, saktësisht të Kosovës, që ishte një përpjekje e parë e suksesshme. Me këtë projektrezolutë për herë të parë u bë senzibilzimi i ligjvënësve amerikan me situatën e së shqiptarëve të Kosovë.[50]
Pas suprimimit të autonomisë së Kosovës në vitin 1989 do të pasojnë një varg projektrezolutash si në Senatin amerikan po ashtu edhe në dhomën e përfaqësuesve të Kongresit me anë të së cilave do të shfaqej një interesim i shtuar për Kosovën, dhe se pikërisht ishte Kongresi amerikan që shqetësohej me shkeljen e drejtave njerëzore në Kosovë dhe i cili bënte trusni administratës amerikane të merrej më seriozisht me çështjen shqiptare në përgjithësi e të Kosovës në veçanti.
Me fillimin e procesit të shpërbërjes së Jugosllavisë, në fillim të viteve 90-ta, Kosova u vu në shënjestër të politikës amerikane për shkak të shkeljeve të drejtave të njerëzve në Kosovë.[51]
Edhe Shërbimi sekret amerikan, CIA me vëmendje dhe seriozitetin më të madhe e përcillte gjendjen në Kosovë, dhe me kujdes i përgatitke raportet e veta për Kosovën. Në raportet e veta CIA theksonte se konflikti i parë i mundshëm i shpërthimit në Jugosllavi, pikërisht mund të ndodh në Kosovë, me ç’rast do të mund të përhapet me të madhe në gjithë hapësirën e Ballkanit.[52] Rëndësia e interesit të shtuar të administratës amerikane për Kosovën ishte se ajo gjendet në Ballkan, dhe se Ballkani si i tillë gjatë gjithë historisë ka prodhuar shumë ngjarje të rëndësishme historike të cilët kanë zënë një vend të rëndësishme në historiografinë evropiane.
Kosova lirisht mund të thuhet se gjendet në një rajon të gjerë gjeopolitik në të cilin kanë ndodhur konfrontime të shumta në mes fuqive të mëdha . Prandaj është një thënie, ” kush e sundon Ballkanin do të sundojë edhe Evropën”, Ballkani edhe sot paraqet një poligon gjeopolitik ku fuqitë e mëdha botërore masin forcat e veta dhe ndikimin e tyre .[53] Për këtë shkak edhe pas përfundimit të Luftës së Ftohtë diplomacia amerikane tregoi një interes të shtuar për Ballkanin, në të cilin bën pjesë edhe Kosova. Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik dhe konsolidimit të shteteve të Evropës Lindore, të cilët gjer atëherë ishin nën ndikimin rus, SHBA-ja forcoi vëmendjen e saj për Ballkanin, një rajon gjeopolitik i rëndësishëm ku përputhen ndikimet dhe interesat e Evropës dhe Rusisë, këto dy subjekte të rëndësishme gjeopolitike angazhoheshin për të ruajtur pozicionet e tyre në këtë pjesë të Ballkanit .[54]
Fillimi i shpërbërjes së Jugosllavisë nisi në vitin 1991, me shpalljen e pavarësisë së Sllovenisë dhe Kroacisë, e më pastaj edhe të Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Maqedonisë, pas së cilës filluan luftërat e përgjakshme në Kroaci dhe Bosnjë . Në vitin 1992 ishin zgjedhjet në SHBA-të për kryetar të Amerikës, pas humbjes së presidentit amerikan Georg Bushi i vjetër, para se të dorëzoj mandatin pasardhësit të tij Bill Klinton, do të ndërmerr një hap të rëndësishëm lidhur me çështjen e Kosovës . Nëpërmes një përfaqësuesi të ambasadës amerikane në Beograd Bushi do të përcjell një mesazh kryetarit serb Milosheviq dhe shefit të shtabit të përgjithshëm të ushtrisë jugosllave se :”në rast të konfliktit në Kosovë, të shkaktuar nga veprimi serb, SHBA-ja do të jetë e gatshme ta përdorte forcën ushtarake kundër serbëve në Kosovë dhe në vetë Serbinë”. Ky mesazh i presidentit amerikan Bush u bë i njohur me emrin ”Paralajmërimi i Krishtlindjeve”, u dërgua me 24 dhjetor 1992, një ditë para Krishtlindjeve .[55]
Kjo ishte hera e parë që administrata amerikane tregoi një përkushtim të jashtëzakonshëm për Kosovën dhe se nuk do të qëndrojë anash në rast të shpërthimit të një konflikti në Kosovë, të cilin premtim edhe e mbajti duke intervenuar në vitin 1999 . Këtë veprim të presidentit Bush e ka komentuar edhe diplomati amerikan Kisinxheri. Ai konsideroi se kjo deklaratë e Bushit, e njohur me emrin “Paralajmërimi i Krishtlindjeve” shënoi fillimin e kohës së përfshirjes direkte të politikës amerikane, që do të thotë të përfshirjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në problemin e Kosovës.[56] “Paralajmërimi i Krishtlindjeve” do të shënoj një proces të fillimit të ndërkombëtarizimit të çështjes së Kosovës si dhe përfshirjes të administratës amerikane të SHBA-ve në çështjen e Kosovës e cila do të pasojë më tutje me intervenimin e NATO-së në krye të së cilës ishin SHBA-të , dhe se sponzoruesi kryesor i shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008 do të jenë SHBA-të.
“Paralajmërimi i Krishtlindjeve” i Bushit të cilin edhe administrata amerikane , e Klintonit do të konfirmoj, politikanët kosovar e shfrytëzuan për konsumim të politikës së tyre të brendshëm, ata angazhimin e fuqishëm të autoriteteve amerikane për mbrojtjen e drejtave të njeriut e paraqitnin gabimisht si mbështetje amerikane për pavarësinë e Kosovës.[57]
Administrata amerikane e Klintonit interesim parësor të politikës së saj të jashtme e fokusoi në çështjen e konfliktit të Bosnjës, se si ta ndal dhe përfundojë luftën në Bosnjë, ndërsa çështja e Kosovës doli në plan të dytë pasi aty nuk kishte luftë, por një rezistencë paqësore e popullit shqiptar të Kosovës kundër dhunës shtetërore serbe të regjimit të Millosheviqit. Për këtë administrata amerikane e kishte angazhuar diplomatin me përvojë Riçard Holbrukun, i cili u bë i njohur si kreator i marrëveshjes së Dejtonit, i cili përgatiti një plan për përfundimin e luftës e cila edhe u kurorëzua në vitin 1995 me Marrëveshjen e Dejtonit në SHBA.
Edhe në Dejton Hollbruku u përpoq të hapte çështjen e Kosovës, por kundërshtoi ashpër Millosheviqi, duke pohuar s çështja e Kosovës ishte çështja e brendshme e Jugosllavisë, Hollbruku ceku se SHBA-ja e pranon faktin se Kosova është brenda kufijve të Jugosllavisë, por kjo nuk i jep të drejtë atij të shtyp popullin shqiptar të Kosovës.[58]
Marrëveshja e Dejtonit e arritur për përfundimin e luftës së Bosnjës, pa u diskutuar fare problemi i çështjes së Kosovës, tek populli shqiptar shkaktoi një brengosje të thellë, pasi që Kosova akoma mbeti në fokusin e shkeljes së të drejtave njerëzore në Kosovë nga regjimi i Millosheviqit.
Arritja e Marrëveshjes së Dejtonit pa e përmendur Kosovën, rrënjësisht ndërroi situatën në Kosovë, e cila edhe minoi besueshmërinë e Rugovës në Kosovë. Me këtë edhe rezistenca paqësore dështoi.[59]
Pas kësaj në skenë doli Ushtria Çlirimtare e Kosovës e cila nisi sulmet guerile mbi caqet policore në fillim, e më pastaj gjatë viteve 1998 dhe 1998 përshkallëzoi sulmet e saja edhe në caqet ushtarake okupuese të ushtrisë serbe në Kosovë. Kjo paraqet edhe fillimin e ndërrimit të kursit të gjer atëhershëm politik në Kosovë, nga rezistenca paqësore të Rugovës, në rezistencë të armatosur të UÇK-së. Pas paraqitjes së rezistencës së armatosur të shqiptarëve të Kosovës nëpërmjet UÇK-së, diplomacia amerikane do të nis bisedime të drejtpërdrejta me diktatorin Millosheviq, në anën serbe, ndërsa përveç Rugovës do të hyjë në kontakt direkt edhe me përfaqësuesit e krahut politik të UÇK-së. Këto bisedime do të udhëheqin Riçard Hollbruku dhe Kristofer Hilli, ambasador i SHBA-së në Maqedoni i cili u emërua si përfaqësues special i SHBA-ve për Kosovën.[60]
U formua edhe Grupi i Kontaktit i përbërë prej SHBA-ve, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Rusisë, të cilët mbi vete do të marrin çështjen e zgjidhjes së problemit të Kosovës. Takimi i parë i Grupit të Kontaktit në nivel të ministrave të jashtëm u mbajt me 24 mars 1997 me iniciativën e Britanisë së Madhe gjatë Sesionit të 52-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.[61] Do të pasojnë shumë takime të Grupit të Kontaktit gjatë viteve 1998 dhe 1999 në të cilin do të shqyrtohej zgjidhje a e problemit të Kosovës duke dhënë ide dhe iniciativa të ndryshme. Edhe këtu mund të themi se SHBA-ja, Britania e Madhe dhe Gjermania mbanin një qëndrim më të avancuar karshi Kosovës, ndërsa Franca, Rusia dhe Italia një qëndrim më të balancuar që ishte në favor të Serbisë. Grupi i Kontaktit problemin e Kosovës e paraqiti edhe në kuadër të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, rezultat i së cilës ishte edhe Rezoluta e miratuar 1160 e KS të OKB-së me 31 mars 1998. Në Rezolutë përveç tjerash theksohej se zgjidhja e çështjes së Kosovës duhet të bazohet në integritetin territorial të Jugosllavisë (RFJ-së), si dhe në një autonomi dhe vetëqeverisje për shqiptarët e Kosovës.[62] Gjatë verës së vitit 1998 ushtria dhe policia serbe do të ndërmarrin një ofensivë të madhe kundër njësive guerile të UÇK-së, me ç’rast UÇK-ja do të tërhiqet , pasi që forcat e tyre nuk ishin në gjendje t’u përballen forcave serbe. Duke parë këtë situatë , diplomacia amerikane ndërhyri dhe pas një trysnie të madhe në tetor të vitit 1998 u arrit marrëveshja në mes Hollbrukut dhe Milosheviçit, dhe u parandalua humbja e UÇK-së gjatë ofensivës së verës së vitit 1998.[63]
Pas kësaj, pasoi një situatë më e qetë në Kosovë, e cila do të vazhdojë gjer në fund të vitit 1998, kurrë edhe ndodhi masakra e Reçakut me 15 janar 1999.Kjo shërbeu si katalizator shtesë në aktivizimin e diplomacisë ndërkombëtare në krye me SHBA-në që të përkushtohen edhe më tepër në zgjidhjen e konfliktit në Kosovë. Pas përpjekjeve dhe propozimeve të shumta të Kristofer Hillit për zgjedhjen politike të çështjes së Kosovës, bashkësia ndërkombëtare organizoi Konferencën Ndërkombëtare për Kosovën e cila filloi me 6 shkurt 1999 dhe përfundoi me 23 shkurt 1999 në Rambuje afër Parisit në Francë, nën kryesimin e ministrit të jashtëm francez Vedrin dhe sekretarit të jashtëm britanik Kuk.[64]
Pas bisedimeve të vështira dhe herë herë dramatike u hartua një dokument i quajtur “Marrëveshja për paqe dhe vetëqeverisje të përkohshme në Kosovë” ndaj draftit të dyja delegacionet kishin qëndrime diametralisht të kundërta. Konferenca Ndërkombëtare ishte drejt dështimit total , në skenë paraqitet sekretarja e shtetit Medlin Olbrajt me 20 shkurt, bëri trysni të madhe mbi delegacionin shqiptar e mbi të gjitha mbi udhëheqësin e saj Hashim Thaqin për të pranuar marrëveshjen.
SHBA-ja shprehu gatishmërinë e saj për të përmbushur kërkesat e delegacionit shqiptar, që pas periudhës kalimtare trevjeçare, i dërgoi një letër në të cilin theksonte se SHBA-ja me “formulimin e vullnetit të popullit konsiderojnë si konfirmim i të drejtave shqiptare të Kosovës, për të mbajtur një referendum për statusin përfundimtar të Kosovës pas tre vjetësh”.[65] Ky ishte kompromis i bërë nga SHBA-ja për të bindur delegacionin shqiptar të Kosovës, për të pranuar marrëveshjen, por nuk ishte qëndrim i përbashkët i Grupit të Kontaktit. Çështja referendumit e propozuar nga Medlin Olbrajt jo vetëm që ishte e papranueshme për Serbinë, por vuri në rrezik ndarjen e Grupit të Kontaktit, pasi që krahas Rusisë, këtë e kundërshtonin edhe Franca e Italia.[66]
Konferenca e Rambujes dështoi , edhe pse delegacioni shqiptar pas vazhdimit të Konferencës së Rambujes në Paris, e nënshkroi në ceremoninë formale me 18 mars 1999 marrëveshjen, por delegacioni serb nuk e nënshkroi. Përfaqësuesi rus në bisedime Majorski i cili pas përfundimit të Konferencës deklaroi se Marrëveshja e Rambujes nuk është e vlefshme, pasi nuk është miratuar nga të gjithë anëtarët e Grupit të Kontaktit.[67] Para se të fillojnë bombardimet e NATO-së mbi ish Republikën Federale të Jugosllavisë, për herë të fundit për të bind Millosheviqin për të pranuar Marrëveshjen e Rambujes me 23 mars ishte në Beograd Riçard Hollbruku, i dërguari i posaqshëm i presidentit amerikan Klinton. Por nga Beogradi Hollbruku u kthye me duar të zbraztë, pasi edhe atë e kishte refuzuar Millosheviqi duke mos pranuar marrëveshjen.
Me 24 mars 1999 në mbrëmje komandanti ushtarak amerikan Wesli Klark urdhëroi bombardimet. Kjo ishte hera e parë ne 50 vitet e ekzistimit të NATO-së, që nga themelimi i saj në vitin 1949, që NATO-ja të sulmoj një shtet dhe atë pikërisht RFJ-në (Serbinë) në Evropë, dhe atë pa marr miratimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Në deklaratën para popullit amerikan, presidenti Klintoni më 24 mars 1999 deklaroi se krahas aspektit humanitar të operacionit të filluar, për të parandaluar masakrën e popullit shqiptar, ishte edhe aspekti gjeopolitik i SHBA-ve në Kosovë, me të cilin mbrohen interesat kombëtare të SHBA-ve. Kosova gjendet në linjën kryesore që kalon midis Evropës, Azisë dhe Lindjes së Mesme, dhe një vend ku gërshetohen islami, katolicizmi dh ortodoksia.[68]
Njëkohësisht një faktor tjetër i rëndësishëm i gjeopolitikës amerikane ishte që të largohet ndikimi rus nga Ballkani, pasi që pas Rumanisë, Bullgarisë dhe Hungarisë, ishte Serbia e vetme në Ballkan në të cilin akoma kishte ndikim të rëndësishëm gjeopolitika ruse , me anë të së cilës nëpërmjet mbështetjes dhënë Serbisë, përpiqej të mbajë këtë ndikim në Ballkan. Me gjithë protestat e fuqishme ruse kundër një veprimi të NATO-së në Ballkan, pa miratimin e KS të OKB-së, diplomacia amerikane fare nuk ja vuri veshin kësaj proteste, por me anë të këtij operacioni ushtarak qëllimi i saj ishte edhe të largojë ndikimin rus nga Ballkan nëpërmjet Serbisë.[69]
Edhe pse në fillim ishte kundërshtar i sulmit të NATO-së, diplomati me përvojë, Henri Kisingjeri pas fillimit të operacioneve të NATO-së deklaroi: “ NATO-ja, po qe se heq dorë nga veprimi pa ia arritur qëllimit, përfundimin e masakrës në Kosovë, nuk do të jetë në gjendje të mbijetojë”.[70]
Edhe pse Rusia kundërshtoi ashpër bombardimet e NATO-së mbi Serbinë, përveç gjuhës diplomatike dhe retorikës të kërcënimit të saj, nga presidenti Boris Jelcin, nuk u ndërmor asgjë në aspektin e një përgjigje të mundshme ushtarake, pasi që në atë kohë Rusia, ishte e dobësuar, dhe e varur prej ndihmës dhe mbështetjes së perëndimit, dhe nuk ishte në gjendje të konfrontohej me SHBA-në, e bile këtë fare nuk e deshi presidenti rus Jelcini.
Gjatë gjithë kohës sa vazhdonin bombardimet e NATO-së mbi Serbinë, në prapavijën e tyre zhvillohej një agjendë e ngjeshur diplomatike për përfundimin e bombardimeve dhe kapitullimin e Millosheviqit. Plot një muaj të plotë janë zhvilluar bisedimet intensive në mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Rusisë për të harmonizuar qëndrimet në mes tyre për të dhënë fund bombardimeve të NATO-së mbi Serbinë. Këtë e cek edhe Marti Ahtisari :“Bisedimet udhëhiqen në mes SHBA-së dhe Rusisë”.[71] Me 2 qershor 1999 në Berlin më në fund përfaqësuesi amerikan Talbot, përfaqësuesi rus Çernomidin dhe përfaqësuesi i Bashkimit Evropian Ahtisari harmonizuan qëndrimet e tyre dhe marrëveshjen e arritur Ahtisari dhe Çernomiridin e çojnë në Beograd Millosheviqit me ofertën, për pranim ose refuzim, alternativë të tretë nuk kishte. Millosheviqi me 3 qershor 1999 në Beograd e pranon propozimin e harmonizuar që e sollën Ahtisari dhe Çernomirdin.[72] Sipas propozimi të arritur Këshilli i Sigurimit aprovoi Rezolutën 1244 me 10 qershor me 14 vota pro dhe 1 abstenim të Kinës, u hap rruga për përfundimin e bombardimeve të NATO-së.[73]
Intervenimi humanitar, si doktrinë e re që e përdori presidenti amerikan Klinton në rastin e Kosovës u tregua e suksesshme, pasi ishte ajo që e parandaloi Serbinë dhe diktatorin Millosheviq, që ta përsërit prapë gjenocidin që e kreu në Bosnjë e Hercegovinë, edhe pse u zbatua pa miratimin e Kreut të VII të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ishte një storie e suksesshme dhe që do të mbetet përherë e shënuar në historinë më të re të Kosovës. Lufta e Kosovës ishte lufta e parë në Evropë që u zhvillua për shkak të parimit të mbrojtjes së drejtave të njeriut me ç’rast u kontestua parimi i integritetit territorial i cili dominon që nga arritja e Paqes së Vestfalisë më 1648 e që dominon edhe sot e kësaj dite në të drejtën ndërkombëtare.[74] Është e vërtetë se bashkësia ndërkombëtare në Kosovë me rastin e parandalimit të gjenocidit të mundhshëm, edhe pse e ka anashkaluar kredibilitetin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ka qenë e arsyeshme dhe me vend. Pa luftë të armatosur, bombardimeve të pandërprera 78 ditore mbi ish RFJ-në(Serbinë) dhe me kombinim të një diplomacie me siguri që në Kosovë situata do të ishte me përmasa katastrofale. Tani e tutje është i nevojshëm bashkëpunimi në krijimin e një sistemi ndërkombëtar i cili paraqitjen e Millosheviqëve të ardhshëm do të parandalojë nga veprimet e tilla .[75]
Pas aprovimit të Rezolutës 1244, me 12 qershor hyjnë forcat e para tokësore të KFOR-it në Kosovë, me të cilin filloi zbatimi praktik i rezolutës 1244 të KS të OKB-së. Kosova tani ishte në një periudhë të re, të përkohshme gjatë së cilit do të jetë nën administrimin e përkohshëm ndërkombëtar civil të UNMIK-ut si dhe administrim ushtarak të sigurisë së KFOR-it në Kosovë. Me këtë veprim të përkohshëm në administratën amerikane të gjithë nuk ishin të pajtimit. Kreator i Marrëveshjes së Dejtonit diplomati i karrierës Riçard Hollbruku konsideronte se pas përfundimit të intervenimit të NATO-së, çështja e Kosovës është dashur të zgjidhej përfundimisht me pavarësinë e saj të plotë.[76] Pas çlirimit të Kosovës me 12 qershor 1999 e gjer në shpalljen e pavarësisë së saj me 17 shkurt 2008 Kosova kaloi në dy periudha të administrimit të saj.
Faza e parë e administrimit në Kosovë , e cila nisi në vitin 1999 pas përfundimit të luftës, ka pas si qëllim ndërtimin dhe funksionimin e administratës së përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK-ut. Bazë për krijimin e administratës publike apo të administratës së UNMIK-ut në Kosovë ishte Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së e miratuar me 10 qershor 1999.
Faza e dytë e administratës në Kosovë nisi nga viti 2001 me themelimin e Institucioneve të Përkohshme Vetëqeverisëse në Kosovë pas mbajtjes së zgjedhjeve të para në nivel vendi, me ç’rast u konstitua Parlamenti, Qeveria, Presidenca e kështu me rrallë. Bazë për funksionimin dhe zhvillimin e administratës publike në Kosovë ishte Korniza Kushtetuese e Vetëqeverisjes së Përkohshme në Kosovë e miratuar në vitin 2001 nga përfaqësuesi special i sekretarit të përgjithshëm(PSSP), e cila rregullonte përveç tjerash edhe ndarjen e përgjegjësive në mes UNMIK-ut dhe IPVQ-së.
Me Rezolutën 1244 të KS të OKB-së Kosova pas një periudhë të caktuar kohore do të duhej të hapet definomi i statusit të saj politik, ngjarjet që ndodhën me 17 mars 2004 në Kosovë, shërbyen si katalizator për përfundimin final të statusit politik, pasi që siguria ishte e brishtë.Në bazë të raportit të Kai Eides për përmbushjen e standardeve në Kosovë, Kofi Anan me 7 tetor 2005, rekomandoi fillimin e negociatave për statusin e Kosovës, dhe për këtë qëllim me 1 nëntor 2005 emëroi Marti Ahtisarin përfaqësuesin special të tij për të udhëhequr negociatat për statusin e Kosovës.[77]
Ahtisari ishte i ngarkuar që të udhëheq negociatat në mes Prishtinës dhe Beogradit, por njëkohësisht në anën tjetër paralelisht zhvilloheshin bisedimet edhe në mes SHBA-ve dhe Rusisë rreth Kosovës, nga i cili varej rezultati përfundimtar i statusit politik dhe juridik të Kosovës. Pasi për të përmbyllur procesin politik të Kosovës ishte i nevojshëm edhe pëlqimi medoemos i Rusisë për miratimin e Rezolutës së re në KS të OKB-së. Që në fillim të bisedimeve nga presidenti amerikan Xhorxh Bushi i ri ishte përcaktuar se statusi përfundimtar i Kosovës do të jetë pavarësia e saj, e cila ishte konfirmuar edhe në Kongres me Rezolutën H.RES 24 e cila e kishte mbështetjen e dy partive në Dhomën e Përfaqësuesve për pavarësinë e Kosovës si e vetmja alternativë e mundshme.[78] Pas negociatave që kishin zgjatur pothuajse dy vjet Ahtisari e përgatiti të ashtuquajturën Pakon e Ahtisarit të cilin propozim Serbia e refuzoi, ndërsa Kosova e pranoi. Serbia e kishte mbështetjen e plotë të Rusisë, e cila tani me presidentin e ri rus, Vladimir Putin, po rikthehej fuqishëm në politikën globale. Putini i kundërvihej SHBA-së pasi që së bashku me shtetet tjera perëndimore imponojnë vullnetin e tyre për krijimin e një bote unipolare sipas interesave të tyre.[79] Rusia me këtë qartë i bëri SHBA-së se ajo në asnjë mënyrë nuk do ta mbështes Rezolutën e re të KS të OKB-së pa pëlqimin e Serbisë, e Serbia paraprakisht e kishte refuzuar Marrëveshjen gjithëpërfshirëse të Pakos së Ahtisarit. Të gjitha përpjekjet për kalimin e Rezolutës ishin të kota në KS të OKB-së, pasi që të gjitha përpjekjet Rusia i hidhte poshtë në KS të OKB-së. Përkundër Rusisë SHBA-ja këmbënguli me të gjitha përpjekjet e saja që Rezolutën 1244 të KS të OKB-së që ishte në fuqi ta zëvendësojë me një rezolutë të re për t’i larguar barrierat politike dhe juridike të drejtës ndërkombëtare, që pas aprovimit të Rezolutës së re Kosova të mund të shpall pavarësinë e saj dhe të nis procesi i njohjes së saj.[80] Por të gjitha përpjekjet e SHBA-ve dhe aleatëve të saj në KS të OKB-së ranë në ujë, pasi që Rusia të gjitha iniciativat që paraprinë, i hodhi të gjitha poshtë. Moska nëpërmjet Serbisë dëshironte ta shfrytëzojë si mjet me të cilin vëmendjen e Perëndimit do të mbante sa më larg kufirit rus. Putinit i nevojitej një krizë në mënyrë që të dëshmonte se Rusia mund të përballej drejtpërdrejtë me Perëndimin.[81]
Pas kësaj ishte e qartë se nëpërmjet KS të OKB-së nuk do të kalojë pavarësia e Kosovës, SHBA-ja së bashku me shtetet perëndimore dhe udhëheqjen e Kosovës filluan përgatitjet që në mënyrë të njëanshme shpalljen e pavarësisë së Kosovës.
Erdhi dita historike për popullin e Kosovës, me 17 shkurt 2008 Kuvendi i Kosovës në një seancë solemne shpalli pavarësinë e Kosovës në bazë të Planit gjithëpërfshirës të pakos së Ahtisarit. Ishte një ditë e veçantë dhe e shënuar në historinë më të re të Kosovës. Pas shpalljes së pavarësisë pasuan njohjet nga SHBA-ja, Britania e Madhe, Gjermania, Franca, Turqia, Shqipëria e kështu me radhë, ashtu që gjer tani e kanë njohë pavarësinë e Kosovës 106 shtete, të cilët njohje edhe më tej vazhdojnë.
Një element tjetër të rëndësishëm i përpjekjeve dhe diplomacisë amerikane ishte edhe fakti se shumica e popullsisë së Kosovës ishte myslimane dhe se Kosova do të jetë një shtet i ri mysliman në Evropë . Këtë e ceku edhe diplomati amerikan Nikolla Bërnsi në një analizë të vendimit të SHBA-ve për ta njohur Kosovën, duke deklaruar se Kosova me përbërje 92-94% të popullatës me përkatësi islame do të jetë një shtet me shumicë absolute myslimane, prandaj SHBA-ja konsideron se ai shtet mysliman do të jetë një shtet i qëndrueshëm mysliman.[82]
Kosovën e prêt një rrugë e gjatë e saj në rrumbullakësimin e shtetësisë së saj, pasi që Rezoluta 1244 e KS të OKB-së është akoma në fuqi, e cila është një pengesë e madhe drejt integrimeve të saja në organizatat dhe institucionet e ndryshme ndërkombëtare, e veçanërisht në OKB-në.
Roli dhe angazhimi i SHBA-va ka qenë faktor kryesor për arritjen e pavarësisë së Kosovës, e cila ka investuar jo vetëm angazhim politik dhe diplomatik, por edhe atë ushtarak nëpërmjet intervenimit humanitar në vitin 1999 për të parandaluar krimin dhe gjenocidin mbi popullin shqiptar të Kosovës.
Këtë e cek edhe ambasadori amerikan Frenk Vizner i cili ishte përfaqësues amerikan në negociatat që i ka udhëhequr Marti Ahtisari në relacionin Prishtinë Beograd, i cili ka vlerësuar se SHBA-ja kishte investuar prestigjin dhe diplomacinë e saj kombëtare për të arritur pavarësinë e Kosovës, dhe se Kosova nuk do të kishte arritur pavarësinë e sa pa përfshirjen e fuqishme të SHBA-ve.[83]
P ë r f u n d i m i
Në përmbyllje të këtij punimi shkencor me titull”Gjeopolitika amerikane në raport me shqiptarët” mund të konkludojë se varësisht prej tre periudhave kohore të cekura gjatë një shekulli, politika amerikane në raport me shqiptarët ka ndryshuar nga një pozicioni në pozicion tjetër. Në periudhën kohore 1919-1944, sidomos në kohën e presidentit amerikan Vilson, falë politikës së tij të shprehur në 14 pikat e proklamuara, në të cilin ishte pro vetëvendosjes së popujve, si një e drejtë e pamohuar për lirinë e një populli dhe për të qeveris vetveten, paraqet momentin kyç për fatin e Shqipërisë, për të mbijetuar si shtet në kufijtë e përcaktuara në Konferencën e ambasadorëve në Londër. Edhe pse gjatë mandatit të tij nuk ishte përcaktuar fati i Shqipërisë në Konferencën Ndërkombëtare që u mbajt në Paris, merita e presidentit amerikan ishte e madhe për Shqipërinë pasi pamundësoi realizimin e Traktatit sekret të Londrës së vitit 1915 për ndarjen e Shqipërisë, nga fqinjët e saj. Faktori lidership në diplomacinë ndërkombëtare është një element shumë i rëndësishëm, pasi që varet shumë se në momentin a caktuar në krye të një shteti të fuqishëm sikurse që janë SHBA-të se cili lider gjendet, pasi prej atij janë varur edhe shumë fatet e popujve dhe shteteve të vogla, sikurse që ishte rasti edhe me shqiptarët dhe me Shqipërinë. Pas Vilsonit në krye të SHBA-së erdhi president i ri Voren Harding, i cili për dallim nga kryetari Vilson kishte një politikë krejtësisht të kundërt me Vilsonin, i cili me të madhe ka mbështet dhe ka qenë mik i Greqisë. Elementi tjetër i rëndësishëm në gjeopolitikën amerikane ishte edhe faktori ekonomik apo energjetik, ndoshta edhe parësori për momentin aktual, pasi që pas njoftimeve paraprake se Shqipëria ishte e pasur me rezerva të mëdha të naftës, në fillim të viteve njëzeta të shekullit XX, ka ndërmarr një veprim të jashtëzakonshëm për të marr koncesione për kërkim dhe shfrytëzim të naftës në garë me kompanitë tjera të Britanisë së adhe, Francës dhe Italisë. Por pas vitit 1925 pasi që u vërtetua se në Shqipëri nuk kishte rezerva naftë në sasi të madhe, por ishte në sasi të vogla dhe ishte e cilësisë të dobët. SHBA-ja plotësisht tërhiqet nga interesimi i saj për Shqipërinë, dhe ja lëshon vendin gjeopolitikës italiane e cila kishte një interes të jashtëzakonshëm. Pas vitit 1925 SHBA-ja lirisht mund të thuhet se ishte jashtë rrjedhave të ngjarjeve që e karakterizuan Shqipërinë gjatë periudhës së viteve 1925-1939.
Në periudhën kohore 1944-1989, gjeopolitika amerikane në raport me shqiptarët kaloi në shenjë të ndarjes së blloqeve, pasi që në përcaktimin e sferave ndarëse të interesit në mes SHBA-ve dhe Bashkimit Sovjetik, edhe pse decidivisht nuk ishte përmendur Shqipëria fare, por nënkuptohej se Shqipëria mbeti në zonën e interesit të Bashkimit Sovjetik, pasi që triumfoi në Shqipëri lëvizja komuniste, dhe për shkak të lidhjes dhe ndihmës së dhënë të PKJ-së në formimin e PKSH-së, flitej që Titoja e kishte në plan që Shqipërinë si Republikë e shtatë të përfshijë në federatën jugosllave, me të cilin ishte i pajtimit edhe Stalini. Por kjo iniciative e Titos ra poshtë, pas përplasjeve në mes Titos dhe Stalinit, e njohur në histori periudha e Informbyrosë, pas së cilës Shqipëria mori anën e Stalinit dhe Bashkimit Sovjetik dhe shpëtoi nga ky plan i Titos. Për këtë edhe Marti Ahtisari pat shkruar se: ”Titoja dikur ka planifikuar që Jugosllavia të marr Shqipërinë, edhe për këtë e ka marr lejen e Stalinit. Plani ka dështuar për shkak të planeve megalomane të Titos për Ballkanin dhe të mosbesimit të Stalinit”.[84]
Shqipëria ra definitivisht në bllokun sovjetik, SHBA-ja së bashku me Britaninë e Madhe plot 10 vite e kanë parandaluar dhe penguar anëtarësimin e Shqipërisë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, nën trusninë direkte të Greqisë, e cila ishte kundër anëtarësimit të Shqipërisë në OKB. Në vitin 1955 pas harmonizimit dhe marrëveshjes së arritur të SHBA-së me Bashkimin Sovjetik, së bashku në bllok me 15 shtetet tjera Shqipëria u anëtarësua në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Shqipëria por edhe Jugosllavia kishin mbet në sferën e interesit komunist, për të cilën paraprakisht ishin marrë veshë së bashku Ruzvellti, Çerçilli dhe Stalini, diplomacia amerikane mbeti besnik marrëveshjeve të arritura për ndarjen e zonave gjatë gjithë periudhës së botës bipolare apo të njohur si periudha e Luftës së Ftohtë gjer në vitin 1989.
Në periudhën 1989-2014 politika amerikane tregoi interesim më të madh karshi shqiptarëve në përgjithësi e Kosovës në veçanti. Kjo ishte koha e rrënjës së komunizmit dhe botës bipolare me ç’rast SHBA-ja fuqishëm e mori primatin udhëheqës në një botë të vetme unipolare duke krijuar rendin e ri botëror, në të cilin plot 20 vite do të jenë të vetmit në botë i cili do të ndikojë hovshëm në të gjitha ngjarjet botërore. Njëkohësisht do të vazhdojnë me zgjerimin e tyre gjeostrategjik dhe ndikimin e tyre gjeopolitik drejt shteteve të bllokut komunist në Evropën Lindore por edhe drejt shteteve të reja të porsa krijuara pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, Jugosllavisë dhe Çekosllovakisë. Në të njëjtën mënyrë një kujdes të veçantë do të tregojë sidomos për shtetet e Ballkanit, e posaçërisht me shpërbërjen e ish Jugosllavisë dhe krijimit të shteteve të reja, Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjës e Hercegovinës, Serbisë, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Kosovës. Diplomacia amerikane nëpërmes kombinimit të diplomacisë, sanksioneve, paralajmërimeve, kërcënimeve dhe së fundi edhe intervenimit humanitar në Kosovë do të parandalojnë përpjekjen për kryerjen e gjenocidit dhe të shfarosjes në masë të madhe të shqiptarëve, e cila do të kurorëzohet me sukses me çlirimin e Kosovës pas bombardimeve 78 ditore të NATO-së. SHBA-ja inicoi së bashku me udhëheqjen e Kosovës shpalljen e pavarësisë së Kosovës, e cila u shpall me 17 shkurt 2008 nga Kuvendi i Kosovës. SHBA-ja do të jetë prej shteteve të para që e njohën dhe e mbështetën fuqishëm pavarësinë e Kosovë.
Në përmbyllje të kësaj do të përfundoj se, sikurse Austro-Hungaria në vitin 1913, e mbështetur dhe e përkrahur nga Gjermania dhe Italia, krijuan shtetin e Shqipërisë të shpallur në vitin 28 nëntor 1912, të njëjtën veprim, pas gati një shekull, e bëri SHBA-ja duke krijuar shtetin e Kosovës, të shpallur me 17 shkurt 2008, për të cilin populli shqiptar në përgjithësi e i Kosovës në veçanti përherë do të jenë mirënjohës dhe falënderues popullit amerikan dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
L i t e r a t u r a:
- Macmillian, Margaret, Paris 1919, gjashtë muaj që ndryshuan botën, përktheu Fatmir Xharri, Myrtezan Shini, Plejad, Tiranë, 2006.
- Silajxhiq, Haris, Shqipëria dhe SHBA në arkivat e Washingtonit, përktheu Xhelal Fejza, Dituria, Tiranë, 1999.
- Dedijer, Vladimir, Interesne sfere, Prosveta, Beograd, 1980.
- Kissinger, Henry, Diplomacia, përktheu P. Pojani, Sh.B. e Lidhjes së Shkrimtarëve, Tiranë, 1999.
- Malnar, Dario, SHBA-ja dhe Kosova, përktheu Avdi Gashi, KOHA, Prishtinë, 2013.
- Ahtisari, Marti, Misija u Beogradu, “Filip Višnjić”, Beograd, 2001.
- Revista, KOHA, nr.6, Prishtinë, 1990.
[1] Margaret Macmillian, “Paris 1919, gjashtë muaj që ndryshuan botën”, Përkthim, Plejad, Tiranë 2006, fq.11
[2] Po aty, fq.31
[3] Po aty, fq.39
[4] Po aty, fq.41
[5] Po aty, fq.546
[6] Po aty, fq.547
[7] Haris Silajxhiq, Shqipëria dhe SHBA në arkivat e Washingtonit, përkthim, DITURIA, Tiranë, 1999, fq.47
[8] Po aty, fq.50
[9] Po aty, fq.54
[10] Po aty, fq.56
[11] Po aty, fq.64
[12] Po aty, fq.65
[13] Po aty, fq.85
[14] Po aty, fq.86
[15] Po aty, fq.86
[16] Po aty, fq. 88
[17] Po aty, fq.88
[18] Po aty, fq.125
[19] Po aty, fq.87
[20] Po aty, fq.138
[21] Po aty, fq.140
[22] Po aty, fq,204
[23] Po aty, fq,191
[24] Po aty, fq.221
[25] Po aty, fq.221
[26] Po aty, fq,221
[27] Po aty, fq.221
[28] Po aty, fq.221
[29] Vladimir, Dedijer, Interesne sfere, Prosveta, Beograd, 1980, fq.7
[30] Po aty, fq.12
[31] Po aty, fq.16
[32] Henry, Kissinger, Diplomacia, përkthim, Sh.B.Lidhja e Shkrimtarëve, Tiranë, 1999, fq.19
[33] Po aty, fq.23
[34] Po aty, fq.29
[35] Po aty, fq. 371
[36] Vladimir, Dedijer,Interesne sfere, Prosveta, Beogra1990, fq.273
[37] Henry, Kissinger, Diplomacia, përkthim, Sh.B. Lidhja e Shkrimtarëve, Tiranë, 1999, fq.388
[38] Po aty, fq.399
[39] Vladimir, Dedijer, Interesne sfere, Prosveta, Beograd, 1980, fq.328
[40] Po aty, fq,330
[41] Po aty, fq.372
[42] Po aty, fq.389
[43] Po aty, fq.8
[44] Revista KOHA, Intervistë me Ali Dragën, nr.6, Prishtinë, 5 dhjetor 1990, fq.33
[45] Dario, Malnar, SHBA-ja dhe Kosova, përkthim, KOHA, Prishtinë,2013, fq.9
[46] Po aty, fq,9-10
[47] Po aty, fq.19
[48] Henry, Kissinger, Diplomacia, përkthim, Sh.B. Lidhja e Shkrimtarëve, Tiranë, 1999, fq.23
[49] Malnar, Dario, SHBA-ja dhe Kosova, përkthim, KOHA, Prishtinë, 2013, fq.91
[50] Po aty, fq.92
[51] Po aty, fq.100
[52] Po aty, fq.101
[53] Po aty, fq.60
[54] Po aty, fq.60
[55] Po aty, fq.131
[56] Po aty, fq.131
[57] Po aty, fq.145
[58] Po aty, fq,146
[59] Po aty, fq.149
[60] Po aty, fq.153
[61] Po aty, fq.154
[62] Po aty, fq.158
[63] Po aty, fq.167
[64] Po aty, fq.203
[65] Po aty, fq.209, më gjerësisht shih fusnotën 684, fq. 405
[66] Po aty, fq.209
[67] Po aty, fq.213
[68] Po aty, fq.237
[69] Po aty, fq,239
[70] Po aty, fq.243
[71] Marti, Ahtisari, Misija u Beogradu, Filip Vishnjiq, Beograd, 2001, fq.121
[72] Po aty, fq.179
[73] Po aty, 211
[74] Dario, Malnar, SHBA-ja dhe Kosova, KOHA, Prishtinë, 2013, fq.262
[75] Mart, Ahtisari, Misija u Beogradu, Filip Vishnjiq, Beograd, 2001, fq.249
[76] Dario, Malnar, SHBA-ja dhe Kosova, KOHA, Prishtinë, 2013, fq. 265
[77] Po aty, fq.294-295
[78] Po aty, fq.304
[79] Po aty, fq.311
[80] Po aty, fq.315
[81] Po aty, fq.321
[82] Po aty, fq.332
[83] Po aty, fq.332
[84] Marti, Ahtisari, Misija u Beogradu, Filip Vishnjiq, Beograd, 2001, fq.52