Organizohet konferenca me temë “Gruaja në Islam”
Ditën e shtunë më 6 shkurt fondacioni ‘’Rumi” në vazhdimësi të misionit të tij kulturor- shkencor, organizoi Konferencën Ndërkombëtare me temë “Gruaja në Islam”.
Kjo konferencë u organizua duke marrë parasysh pjesëmarrjen e femrës në ndryshimet e rajonit si dhe pozitën dhe rëndësinë e saj në Islam. Çështja e gruas u vlerësua në këndvështrime të ndryshme nga të ftuarit në konferencë ku ishin të ftuar personalitete nga Shqipëria,Kosova,Irani Anglia dhe Turqia.
Ndër to mund të përmendim Z.Ahadollah Gholizadeh Barandagh, drejtor i Fondacionit “Rumi” i cili në fjalën e tij përshëndetësë vuri në pah keqinformimin për të drejtat e gruas në Islam. Sipas z. Gholizadeh konferenca u mundua të hedhë dritë mbi keqinterpretimet me Islamin e sidomos në botën e medias.
Ambasadori i Republikës Islamike të Iranit Z.Abdolmajid Mozafari në përshëndetjen e tij solli fakte të reja për statusin e gruas në Iran. Z. Mozafari theksoi se përmes të drejtave në Islam gratë dhe burrat janë të barabartë. Ai gjithashtu pohoi se gruaja është themeli i shoqërisë dhe se në vendin e tij në Iran, ajo shihet si boshti i qetësisë familjare.
Vlen të theksohet se ndryshe nga ajo që jemi mësuar të dëgjojmë 50 % e femrave në Iran janë me arsim të lartë. Femra iraniane përveç detyrimeve familjare dhe ruatjes së vlerave islamike, merr pjesë në fusha të ndryshme shkencore,kulturore, politike dhe sociale. Sipas ambasadorit zhvillimi i Iranit bëhet me të gjithë pjesëtarët e tij pa asnjë diskriminim e gruaja zë një vend të rëndësishëm në organet vendimarrëse në presidencë, ministri etj.
Gruaja ka arritur të drejtat e saj të plota në hijen e sheriatit islam duke arritur nivelin më të lartë në çdo shoqëri ose civilizim të kaluar apo të tanishëm. Pavarësisht zërave qe janë ngritur e trumbetojnë se Islami nuk i ka dhënë femrës të drejtën e saj të plotë, këto mbeten vetëm zëra që nuk mund të ndikojnë në lartësimin e gruas në shoqëri.
Islami i dha gruas fuqi e vuri atë përkah burrit, Islami e nderon femrën ashtu si mashkullin.Femra është gjysma e shoqërisë pa të shoqëria do të ishte e çalë.
Në konferencë kishte një pjesëmarrje nga shumë studiues nga e mbarë bota. Shejh Mohamed Ali islamil nga Universiteti i Londrës dha një qasje krahasimore mes dy shkollave kryesore asaj feministe dhe asaj tradicionale sipas interpretimit të Kuranit. Një nga pjesëmarrësit znj. Besa Ismaili e cila para pak muajsh u kurorëzua me çmimin “Ambasadore e paqes” tregoi më konkretisht për gruan dhe Islamin në Kosovën e pasluftës. Ajo vijoi të theksojë problemet që ekzistojnë në shoqërinë tonë në lidhje me paragjykimet mbi femrën muslimane por dhe nevojën që ka Kosova e Shqipëria për t'i hedhur poshtë këto paragjykime.
Ndër të tjera paneli i të ftuarve u mundua t’u japë përgjigje dhe të japë sqarimin mbi disa pyetje kryesore si: Cila është filozofia e mbulesës, si i parashikon islami të drejtat e gruas, a kanë të drejtën e divorcit gratë, a i kufizon gratë mbulesa etj. Nëpërmjet studiuesve të ndryshëm kjo konferencë e cila hodhi dritë kështu mbi të vërtetat e rolit të gruas në Islam, ishte një përpjekje pozitive në kahun e duhur për të gjetur dhe komentuar rregullat që Zoti i ka zbritur për njerëzimin.Burimi: Gazeta İmpakt