Dosja Lushtaku! Konstatohen shkelje të rënda të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut!
Shkelje të rënda në Konventën Europiane. Avokati i Popullit ka konstatuar se në rastin e Sami Lushtakut ka shkelje të nenit 3 të Konventës Evropiane të të Dretjave të Njeriut. Këtë e ka konfirmuar avokati mbrojtës i Sami Lushtakut, Arianit Koci.
Për këtë rast, në mendimin juridik të Avokatit të Popullit, avokati Arianit Koci, është konstatuar se Lushtakut i është shkelur e drejta themelore për të marrë trajtimin ose ekzaminimin e duhur mjekësor në përputhje me gjendjen e tij shëndetësore.
Në dokumentin e Avokatit të Popullit, titulluar si “Mendim Juridik i Avokatit të Popullit të Kosovës, në cilësinë e Amicus Curiae (Mikut të Gjykatës)”, është konstatuar:
“Ashtu, si dhe në rastin Serifis kundër Greqisë, ku Gjykata vendosi se ka pasur shkelje të nenit 3 të Konventës, duke vënë në dukje në mënyrë të veçantë se ishte e qartë nga shkresat e lëndës se pa marrë parasysh seriozitetin e sëmundjes nga e cila vuante parashtruesi i kërkesës, autoritetet greke kanë zvarritur çështjen e ofrimit për parashtruesin e kërkesës të një forme të asistencës mjekësore gjatë mbajtjes së tij në paraburgim e cila do të mund të korrespondonte me nevojat e tij aktuale. Gjykata konsideroi se mënyra se si autoritetet e trajtuan gjendjen shëndetësore të parashtruesit të kërkesës gjatë dy viteve të para të burgosjes së tij e kanë bërë atë subjekt të ankthit apo vështirësisë të një intensiteti i cili tejkalon nivelin e paevitueshëm të vuajtjes së natyrshme në paraburgim. Në rastin e z. Lushtaku, Avokati i Popullit, konsideron se Burgu i Sigurisë së Lartë, nuk mund të ofrojë kushte për trajtimin e tij dhe vendosja e të denuarit në spital publik ose në institucion shendetësor ku mund të ofrohen shërbimet e nevojshme, është e domosdoshme”
Nga hetimet e rastit të z. Lushtaku, vërehen që nuk është respektuar mendimi i tre mjekëve, të fushës, kardiolog që i dënuari ka nevojë për hospitalizim, për ekzaminim të mëtejshëm, pasi që Burgu i Sigurisë së Lartë, nuk mund të ofrojë shërbimet e kërkuara. Stacionari i këtij burgu ofron shërbime deri në orën 16:00, respektivisht 19:00, por që nuk ka mjek kardiolog por vetëm mjek të përgjithshëm”, thuhet më tutje në mendimin e Avokatit të Popullit, dokument në të cilin është përmbledhur edhe një kronologji e ngjarjeve nëpër të cilat ka kaluar Lushtaku për trajtim mjekësor deri në ditën kur ai është marrë sërish nga QKUK’ja për t’u dërguar në Burgun e Sigurisë së Lartë duke kërkuar kështu hetime të mëtejshme dhe zgjidhjen e rastit në fjalë.