Kryeministri largon nga salla mediat – Flitet për luftën kundër ekstremizmit fetar !
Donatorë të shumtë kanë qenë pjesë e takimit të udhëhequr nga kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ku në Kosovë ata po qëndrojnë për të ndihmuar në luftën kundër terrorizmit e sidomos zbatimit të strategjisë nacionale, për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizimit,
Më shumë se 230 kosovarë llogaritet se i janë bashkuar ISIS-it në Siri e Irak, sipas një raporti të Qendrës për Studime të Sigurisë. Kështu, Kosova renditet në vendin e tetë të shteteve që kanë qytetarë pjesëmarrës në këto luftëra.
“Ky parandalim kërkon masa të ndryshme edhe në fushën e arsimit, në mënyrë që njerëzit në shkolla të edukohen në formën e atillë që të mos orientohen në mënyrë të dhunshme.
· Kërkon masë edhe në fushën e ekonomisë, në mënyrë që atyre t’iu sigurohet punësimi dhe mirëqenia dhe kjo të mos jetë shkas i bashkimit me grupe të ndryshme.
· Kërkon po ashtu edhe masa të riedukimit të atyre që kanë qenë në fronte të ndryshme dhe kthehen, sepse paraqesin rrezik të veçantë për vendin”, ka thënë Mustafa.
Vendi ka tashmë edhe ligj që ndalon pjesëmarrjen në luftëra jashtë dhe disa procese gjyqësore me të akuzuar që kanë qenë pjesë e ISIS-it.
Asnjë sqarim tjetër nuk është dhënë se në çfarë forme do të kontribuojnë këta donatorë në parandalim të ekstremizmit fetar, meqenëse kabineti i kryeministrit ka larguar mediat nga salla ku është mbajtur takimi menjëherë pas fjalimit të Isa Mustafës.