Administrata në Kosovë dhe Turqi
Hyrje
Me administratën në përgjithësi qytetarët ndeshen që nga lindja e gjer në vdekje, sapo që lind foshnja, atë duhet regjistruar në ofiqari me ç’rast pajiset me çertifikatën e lindjes, e gjer në vdekje, kur personin e vdekur prapë duhet ç’regjistruar në ofiqari me ç’rast nxirret çertifikata e vdekjes, do të thotë kemi kryer punë juridike të cilat i kryen administrata e caktuar për këtë shërbim juridik. Ndërsa gjatë periudhës të lindjes e gjer në vdekje pandërprerë ndeshemi me punët e shumta dhe të ndryshme që i kryen administrata.
Etimologjikisht, fjala”administratë” e ka prejardhjen nga latinishtja e vjetër “ad minister”) që do të thotë nënvarësi apo nën urdhër, të autorizuarit nga lartë. Fjala administratë “përdorej nga romakët” për të treguar veprimtarinë që zhvillohej “nën varësin e dikujt”. “Ad minister” është antonim i fjalës “magister”, që d.m.th. “epror[1]. Lirisht mund të themi se administrata daton qysh nga lindja e shtetit, lindja e shtetit paraqet njëkohësisht edhe lindjen e administratës, pasi që njëra pa tjetrën nuk mund të ekzistojnë dhe ngushtë janë të lidhur mes vete. Do të thotë që lidhja në mes tyre është aq e fortë sa që pa administratë dhe veprimet e saja juridike nuk mund të ekzistojë veprimtaria e një shteti juridik të strukturuar dhe të organizuar.
Zakonisht shteti përbëhet nga tri shtyllat e saj përbërëse, atë legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor, ndërsa administrata mund të llogaritet si pjesë ndihmëse me të cilën funksionin shteti, apo hynë në ekzekutiv si pjesë e pandashme e saj. Veprimtari e administratës përbën një përfshirje të caktuar shoqërore në kuadër të veprimtarisë së gjerë të një shteti të organizuar politikisht dhe juridikisht, dhe se veprimtaria e administratës paraqet një segment jashtëzakonisht të rëndësishëm për funksionimin e një shteti.
Veprimtaria administrative, si trajtë e veçantë e punës në organizatën shtetërore, paraqet njërën nga veprimtaritë shtetërore(përveç asaj legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore) e cila emërtohet me administratë shtetërore, diku llogaritet edhe si shtyllë e katërt e veçantë, shtetërore.[2]
Administrata shtetërore mund të themi se është një segment përbërës në kuadër të administratës si tërësi. Ajo përfaqëson njërën nga instrumentet e shumta që një shtet posedon me të cilën shteti si i tillë ushtron apo zbaton veprimtarinë e vet. Veprimtaria e një shteti është e gjithanshme dhe ushtron veprimtarit e saj në shumë sfera të ndryshme të jetës shoqërore, politike, ekonomike, kulturore, arsimore, diplomatike, teknologjike, sportive etj.
Për të kuptuar më mirë apo për të thjeshtëzuar punën e saj, ajo ndahet apo njihet në dy grupe apo terme të njohura: administrata publike dhe administrata private. Administrata publike ka të bëjë me institucione publike me strukturat organizative që përbëjnë bazën e marrjes dhe zbatimit të vendimeve, si dhe me rregullat të caktuar më parë sipas të cilave kryhen shërbimet e ofruara ndaj qytetarëve.[3] Me administratën publike nënkuptojnë të gjitha shërbimet që i ofrojnë qytetarëve apo shtetasve të vet për të plotësuar nevojat e tyre të ndryshme me të cilët ballafaqohen gjatë përditshmërisë së tyre, e të cilët i ofrojnë institucionet e administratës publike që ushtrojnë punët e përgjithshme shoqërore në një shtet juridik dhe politik. Zakonisht me administratë publike nënkuptojmë administratën shtetërore e cila si e tillë është e vetmja që ofron kryerjen e punëve publike në përgjithësi e që i përkasin tërë shoqërisë njerëzore në kuadër të shtetit përkatës në të cilit jetojnë dhe gravitojnë. Por ka ndarje edhe të administratës publike dhe asaj të administratës private. Në vendet anglosaksone kjo ndarje është shumë më e shprehur ashtu që me administratë publike nënkuptojmë administratën shtetërore që ofron shërbime publike për qytetarët e saj, ndërsa administrata private apo e biznesit është ajo e cila ofron shërbime biznesore, çofshin ato prodhuese, tregtare apo shërbyese për klientët e vet me të cilët edhe nxiret një përfitim material apo financiar për biznesmenët që ofrojnë shërbime të tilla private. Si shembull mund të cekim Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku dallimi ndërmjet administratës publike dhe administratës private shprehet në karakterin e tyre veprues: administrata publike konsiderohet administratë politike, kurse administrata private konsiderohet administratë jopolitike[4]. Mund të përmbyllim se administrata publike është një kuptim më i gjerë për dallim nga administrata shtetërore, sepse në kuadër të saj përfshin në vete përveç veprimtarisë së administratës shtetërore, edhe veprimtarinë e institucioneve përkatëse, të cilët “nuk kanë karakter shprehimor të organeve shtetërore, mirëpo ushtrojnë punë të karakterit publik[5].
Në këtë punim krahasues do të ndalem vetëm në aspektin e zhvillimit të administratës gjatë fazave të kaluara në histori, respektivisht në ndarjen e administratës shtetërore në njësit e tyre administrative në bazë të cilit ka funksionuar administrata gjatë kohës së kaluar në Kosovë dhe Turqi , pasi që karakteri i punimit është i tillë. Kapitujt që do të trajtojë në këtë punim janë: Hyrja, Histori e shkurtër e Administratës në Kosovë, Administrata në Kosovë gjatë viteve 1974-1989, Administrata e tanishme e Republikës së Kosovës, Histori e shkurtër e Administratës në Turqi, Administrata në Turqi gjatë periudhës osmane, Përfundimi dhe Literatura.
Histori e shkurtër e Administratës në Kosovë
Kosova që nga koha e ilirëve ka qenë e njohur si njësi e veçantë politike administrative me termin Dardani në të cilin kanë jetuar ilirët të fisit dardan. Pas kësaj periudhe të hershme antike Dardania ra nën pushtimin e Perandorisë Romake, e cila në vitin 395 u nda në pjesën lindore dhe perëndimore. Kosova bie nën juridisionin dhe administrimin e Perandorisë Bizantine me qendër në Konstantinopojë, pas së cilës gjatë një kohë të shkurtër ishte edhe nën juridiksionin bullgar. Në mesjetën e hershme Kosova bie nën jurudiksionin serb të mbretërisë së nemanjiqëve, pastaj pas luftës së Kosovës në vitin 1389 Kosova gradualisht bie nën pushtimin dhe juridiksionin e Perandorisë Osmane në kuadër të së cilës mbeti gjer në vitin 1912. Pas Luftës së Parë Ballkanike Kosova u pushtua nga Serbia dhe ra nën juridiksionin e saj gati plot një shekull me ndërprerje të shkurtër, dhe atë në vitin 1915-1918 nën juridiksionin austro-hungarez, dhe nga viti 1941 gjer në vitin 1944 nën juridiksionin italiano- gjerman. Pas kësaj bie nën juridiksionin e Jugosllavisë socialiste gjer në shpërbërjen e saj në vitin 1991, pas së cilës që nga suprimimi i autonomies së Kosovës rikthehet plot 10 vite nën juridksionin politik dhe administrativ të Serbisë. Pas luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe bombardimeve të NATO-së, gjatë vitit 1998-1999 Kosova definitivisht çlirohet nga kthetrat e okupimit të Serbisë dhe vihet nën juridiksionin e UNMIK-ut të Kombeve të Bashkuara gjatë një periudhe kalimtare, pas së cilës më në fund me 17 shkurt 2008 Kuvendi i Kosovës shpalli pavarësinë e saj të cilin gjer tani Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran e kanë njohur 106 shtete.
Kosova gjatë gjithë historisë së cekur më lartë ka qenë njësi administrative organizative juridike, duke qenë në form të principatës në mesjetën e herëshme apo në mesjetë gjatë periudhës osmane ka funksionuar në nivel të Vilajetit të Kosovës në kuadër të Perandorisë Osmane, e cila mund të thuhet lirisht se ka qenë në rangun e njësisë federale çoftë republikë, krahinë, land apo kanton në kuadër të një Federate moderne. Pas pushtimit të saj nga Serbia në vitin 1912, në mes viteve 1918-1941 Kosova ishte në kuadër të mbretërisë së ish SKS-së (të serbëve, kroatëve dhe sllovenëve) e pastaj të Jugosllavisë së ashtuquajtur të Kralit. Gjatë kësaj periudhe Kosova sipas ndarjes administrative territoriale të vitit 1921 ka qenë e ndarë në 4 qarqe me seli në Prishtinë, Mitrovicë, Prizren e Pejë, ndërsa me ndarjen e vitit 1929 territori i Kosovës ka qenë i ndarë në tri njësi administrative të veçanta në kuadër të banovinave të atëhershme ekzistuese të Jugosllavisë së kralit, atë të Vardarit, Moravës dhe Zetës.
Pas luftës së dytë botërore Kosova gjatë ekzistimit të ish federates jugosllave apo të Jugosllavisë së Titos ka kaluar në disa etapa gjatë së cilës është ndëruar dhe avansuar pozita e saj juridike administrative, për të mbërritur pozitën më të lartë të saj juridike kushtetuese gjatë periudhës kohore 1974-1989, kur ishte pjesë përbërëse e ish federates jugollave si dhe në kuadër të Serbisë, dhe ishte një pozitë e dyfishtë e sistemit juridik kushtetues të atëhershëm, dhe si rast mund të thuhet lirisht ishte edhe atëherë ”sui generis” .
Gjatë kësaj periudhe të gjatë historike gjatës ë cilës Kosova ka kaluar nëpër etapa të ndryshme të shumta të juridiksioneve të huaj që kanë pas pushtetin mbi te, do të ndalem vetëm në dy periudha kohore gjatë së cilës do të elaborojë Administratën në Kosovë, dhe atë periudhën kohore prej vitit 1974-1989 kur Kosova ishte pjesë përbërse e ish federates jugosllave gjatë së cilës ka pas pozitën më të avansuar juridike, politike dhe administrative gjer atëhere, si dhe periudhën e tanishme në të cilin gjendemi pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës me 17 shkurt 2008 dhe funksionimit të saj juridiko kushtetues si shtet i pavarur.
Administrata në Kosovë gjatë viteve 1974-1989
Gjatë kësaj periudhe kohore Kosova dhe populli shqiptar në Kosovë kanë përjetuar zhvillimin e hovshëm në të gjitha fushat e caktuara shoqërore, mund të themi ka qenë periudha kohore më e mire gjatë së cilës Kosovës ishte në sovranitetin e ish Jugosllavisë. Në këtë periudhë kohore shqiptarët në Kosovë kanë përjetuar një zhvillim të hovshëm në sistemin arsimor, shkencor, politik, ekonomik, zhvillimor, kulturor, sportiv etj. Njashtu ka qenë periudha gjatë së cilës Kosova ka pas Kushetutën e vet me të cilin e ka pas të rregulluar tërë funksionimin e administratës politike shoqërore vetëqeverisëse në atë periudhë. Kosova gjatë kësaj periudhe ka pas pozitë të dyfishtë juridike politike, në njërën anë ishte pjesë përbërëse e barabartë me të gjitha republikat socialiste dhe krahinën socialiste të Vojovodinës në ish federatën jugosllave socialiste të atëhershme, por nga ana tjetër ishte dhe në kuadër të Republikës së Serbisë, që ishte me të vërtet një rast i posaqshëm ”sui generis” .
Pozita e autonomisë së Kosovës gjatë periudhës kohore 1974-1989, ka qenë e bazuar në katër parimet thelbësore të saj:”qenien e saj si bashkësi e gjerë shoqërore-politike autonome vetëqeverisëse, qenien e saj si bashkësi e kombësive dhe kombeve, karakteri i saj si element konstituiv i federalizmit jugosllav, pozitën e saj në kuadrin e RS të Sërbisë”[6]. Por sipas meje karakteristika themelore e Kosovës gjatë kësaj periudhe kohore ka qenë pavarësia e saj territoriale, edhe pse Kosova ishte krahinë autonome në kuadër të federatës jugosllave ajo kishte të drejtë në mënyrë autonome të vendos për tërësin e saj teritoriale, që do të thotë se pa pëlqimin e Kosovës nuk ka mund të ndryshohet integriteti teririorial i krahinës së Kosovë gjatë asaj periudhe kohore.”Përveç të drejtës që të vendos me rastin e ndryshimit të kufijve , krahina vendos në mënyrë plotësisht sovrane edhe për ndarjen territoriale të saj në komuna.Sipas Kushtetutës së KSA të Kosovës territori i kësaj Krahine përbëhet nga territori i komunave që ka qenë me rastin e nxjerrjes së Kushtetutës dhe ai nuk mund të ndryshohet pa pëlqimin e Kuvendit të Krahinës”[7]. Nga kjo mund të konkludojmë se në atë kohë Kosova me të vërtet ka pas një pozicion të fortë juridiko kushtetues, si element konstitutiv të barabartë të ish federatës jugosllave, dhe se për çështjet me rëndësi politike dhe kushtetuese ka vendos vet për fatin e saj me pëlqim të saj. Nga kjo mund të cekim se rrënjët e shtetësisë së Kosovës së tanishme burimin e kanë edhe në këtë pozitë juridike kushtetuese që e ka pas në atë kohë.
Administrata në Kosovë ka funksionuar në bazë të vetorganizimit, me pushtetin e saj të plotë autonom legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor. Në aspektin e vet të vetorganizimit administrativ Krahina e Kosovës ka qenë plotësisht autonom në veprimtarinë e saj, nuk ka pas kufizime që do të ja kufizonin këtë të drejtë juridike, as me Kushtetutën e RSFJ-së e as me atë të RSS-së. Krahina Socialiste Autonome e Kosovës e ka pas Kushtetutën e saj si akti i saj më i lartë juridiko-politik, e cila është aprovuar me 27 shkurt 1974. Kushtetuta e Kosovës i ka përmbajtur të gjitha elementet elementet përbërëse të cilat i kanë pas edhe kushtetutat e republikave socialiste dhe kushtetuta e krahinës socialiste të Vojvodinës, që të gjitha së bashku ishin pjesë përbërëse të ish federatës jugosllave. Kushtetuta e Krahinës Socialiste Autonome e Kosovës sikurse edhe kushtetutat tjera të njësive federale dhe Kushtetuta e RSFJ-së ka përmbajtur preambulën e saj si pjesë parahyrëse, pjesën ideore dhe atë normative.” I vetmi përjashtim të cilin i ka imponuar nevoja faktike e Kosovës, vërehet se Kushtetuta e Kosovës përmban një kaptinë të veçantë kushtuar barazisë së gjuhëve dhe shkrimit të tyre, të cilin kushtetutat e republikave nuk e kanë, e me të cilin vetëm se begatohet kjo Kushtetutë. Këtë Kushtetutë e ka nxjerrë dhe mund ta ndryshojë Kuvendi i Krahinës në mënyrë të ngjashme sikurse edhe kushtetutat e republikave”[8].
Krahina e Kosovës sipas Kushtetutës së vitit 1974 i ka pas organet e veta autonome vetëqeverisëse : Kuvendi i Kosovës, Këshilli i Kosovës, Kryesia e Kosovës, Këshilli Ekzekutiv i Kosovës, si dhe një varg organet tjera të administratës sikurse që ishin Gjykata Kushtetuese e Kosovës, Gjykata Supreme e Kosovës, Prokuroria Publike, Gjykata e Punës së Bashkuar të Kosovës, Avokatin Shoqëror i Vetëqeverisjes, etj.
Kuvendi i KSA të Kosovës” është organi vetëqeverisjes shoqërore dhe organ më i lartë i pushtetit në kuadër të të drejtave dhe detyrave të Krahinës”[9]. Kuvendi i Kosovës në mënyrë autonome ka vendosur për ndryshimin apo plotësimin (amandamentimin) e Kushtetutës.Kuvendi i Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës ka pas të drejtën e vetos, do të thotë ka dhënë pëlqimin për ndryshimin e Kushtetutës së RSFJ-së dhe RSS-së, do të thotë pa pëlqimin e Kuvendit të Kosovë nuk ka qenë e mundur ndryshimi i Kushtetutës së ish Jugosllavisë dhe Serbisë. Kuvendi i Kosovës në mënyrë autonome ka nxjerr ligjet krahinore, planin shoqëror, buxhetin e saj vjetor, si dhe një varg punët dhe veprimtarit tjerë nga juridiksioni i paraparë me Kushtetutë. Kuvendi i Kosovës ka zgjedh dhe ka pas të drejtën e revokimit të delegacionit të Krahinës së Kosovës në Dhomën e Republikave dhe Krahinave të Kuvendit të RSFJ-së, anëtarin e Kryesisë së RSFJ-së nga Kosova, anëtarët e Kryesisë së Kosovës, Kryetarin dhe nënkryetarët e Kuvendit, Kryetarin dhe anëtarët e Këshillit Ekzekutiv të Kosovës (qeverisë së atëhershme të Krahinës së Kosovës socialiste vetëqeverisëse, Kryetarin dhe gjyqtarët e Gjykatës Kushetuese të Kosovës, Kryetarin dhe gjyqtarët e Gjykatës Supreme të Kosovës si dhe organet tjera zgjedhore që ishin në kompetencë të Kuvendit për të zgjedhur dhe revokuar.
“Kuvendi përbëhet prej tri dhomave: Dhomës së Punës së Bashkuar(90 delegat), Dhomës Shoqërore –Politike dhe Dhomës së Komunave(nga 50 delegat).”[10] Gjatë punës së tyre Dhomat e Kuvendit kanë kryer punimet në seanca të posaqshme të fushëveprimtaris gjegjëse të tyre, por edhe në seanca të përbashkëta të të tri Dhomave për çështjet e parapara sipas juridikcionit të paraparë. Delegatët e Kuvendit të Kosovë kanë qenë të zgjedhur për 4 vjet.
Kryesia e KSA të Kosovës ishte organi i përbashkët i funksionimit të atëhershëm në bazë të Kushtetutës së Kosovës të vitit 1974.”Kryesia përbëhet prej kryetarit dhe tetë anëtarëve. Tetë anëtarë i zgjedh Kuvendi i Krahinës, ndërsa kryetari i Lidhjes së Komunistëve të Krahinës është anëtar sipas pozitës. Nga rradha e anëtarëve të vetë, Kryesia zgjedh kryetarin me mandat njëvjeçar.”[11] Kryesia e Kosovës e ka përfaqësuar Krahinën e Kosovës, ka shqyrtuar çështjet me rëndësi politike, shoqërore, ekonomike, kulturore, arsimore në Kosovë, realizimin e barazisë së kombeve dhe kombësive të saja, politikën e kuadrove dhe propozimet për zgjedhjen dhe emërimet e kandidatëve në funksione të caktuara federative, republikane dhe krahinore, bashkëpunimin e Krahinës së Kosovës me republikat tjera dhe krahinën e Vojvodinës, ka bërë faljen dhe aministin, në rast lufte ose rreziku nga lufta Kryesia ka pas të drejtë të nxjerr dekrete me fuqi ligjore, ka pas të drejtë ekskluzive të udhëheq rezistencën e popullit n territorin e Krahinës, etj. Kryesia e Kosovës pranë saj e ka pas edhe Këshillin e Krahinës i cila ka vepruar si organ këshillëdhënës. Anëtarët e Këshillit të Krahinës i ka zgjedhur Kuvendi i Kosovës nga radha e punëtorëve të shquar shoqëror politik, shkencor dhe persona tjerë publik.
Këshilli Ekzekutiv i KSA të Kosovës ishte qeveria e atëhershme e Kosovës e zgjedhur nga Kuvendi i Kosovës si organ ekzekutiv.”Këshillin Ekzekutiv e zgjedh Kuvendi. Nga radha e anëtarëve të Këshillit Ekzekutiv të Kosovës Kuvendi emëron sekretarët e sekretariateve dhe të komiteteve krahinore dhe funksionarët tjerë që i udhëheqin organet krahinore të administratës dhe organizatat e caktuar krahinore.Mënyra e zgjedhjes së këtill të organeve krahinore të administratës, respektivisht vetë Këshilit Ekzekutiv ka për qëllim punën dhe paraqitjen kolegjiale të Këshillit Ekzekutiv e njëkohësisht edhe përgjegjësin e tij kolektive para Kuvendit”.[12] Për të realizuar fushëveprimtarin e punëve të Këshillit Ekzkekutiv të Kosovës janë formuar organet tjera apo ndihmëse të administratës të cilët kanë zbatuar politikën e Kuvendit të Kosovës dhe Këshillit Ekzekutiv të Kosovës. “Si organe krahinore të administratës janë sekretariatet krahinore, komitetet krahinore, drejtoritë krahinore si dhe organet e administratës në përbërjen e sekretariateve dhe të komiteteve krahinore, si organe të pavarura, siç janë inspektoratet krahinore”.[13] Sipas Ligjit mbi administarën krahinore gjatë kësa periudhe kohore kanë funksionuar këto sekretariate krahinore: “i punëve të brendshme, i mbrojtjes popullore, i jurisprudencës, i financave dhe i ekonomisë.kanë qenë tetë komitete krahinore: për legjislacion e organizim, bujqësi e pylltari, marrëdhënie me botën e jashtme, arsim, shkencë e kulturë, shëndetësi e politikë sociale, urbanizëm, veprimtari të banesave dhe veprimtari komunale, si dhe për informata. Poashtu kanë qenë këto drejtori krahinore: drejtoria e Gjeodezisë, Drejtoria për punë pasurore dhe juridike, Drejtoria për çështjet e luftëtarëve dhe invalidëve, Drejtoria për Komunikacion dhe Drejtoria për ekonominë e ujërave. Ndërsa inspektoratet krahinore ishin: Inspektorati për të ardhura, Inspektorati i Tregut, Inspektorati i Arsimit, Inspektorati Sanitar, Inspektorati i Punës dhe Inspektorati i Inspekcioneve Teknike”.[14] Përgjegjësit e organeve të administratës i ka emëruar Kuvendi i Kosovës. Bartësit e organeve të administratës janë përgjigjur personalisht para Kuvendit të Kosovës apo të Këshillit Ekzekutiv të Kosovës për punën e tyre dhe organizatës që e kanë udhëhequr në kuadër të kompetencave të caktuar në lëmin e fushëveprimtaris së caktuar të organit administrativ gjegjës.
Edhe në sferën e gjyqësisë KSA e Kosovëv në mënyrë autonome ka funksionuar nëpërmjet të së cilës ka pas të drejtë t’i organizojë dhe t’i caktojë organete jurisprudencës që nga shkalla më e ultë e gjer te Gjykata Supreme e Kosovës si instanca e më e lartë e sistemit të jurisprudencës të Krahinës së Kosovës. Me Kushtetutën e vitit 1974 Krahina e Kosovës në mënyrë identike me republikat tjera dhe krahinën e Vojvodinës në kuadër të federatës së atëhershme jugosllave vetëqeverisëse ka rregulluar punën e organizimit dhe funksionimit të gjykatave në Kosovë.” Kushtetuta e Krahinës përcakton kompetencat e të dy llojeve të gjykatave, format në të cilat paraqiten këto gjykata, parimet për punën e gjykatave, të vendosurit në Gjykata, pjesëmarrjen e punonjësve e të qytetarëve si gjyqtarë, gjyqtarë të jurisë dhe anëtar të jurisë, pozitën e kompetencat e prokurisë publike,etj.”[15]
Në Krahinën e Kosovës kanë qenë gjykatat e rregullta dhe gjykatat ekonomike.Gjykatat e rregullta ishin gjykatat komunale, gjykatat e qarkut dhe Gjykata Supreme e Kosovës. Kanë qenë gjithsjet 17 gjykata komunale dhe 5 gjykata të qarkut, krahas Gjykatës Supreme të Kosovës si instancë më e lartë juridike në Kosovë. Ndërsa prej gjykatave ekonomike kanë qenë vetëm dy gjykata ekonomike, njëra në Prishtinë dhe tjetra në Gjakovë. Gjykata Supreme e Kosovës ka qenë Gjykata më e Lartë në Krahinën e Kosovës me ç’rast ka pas kompetenca të gjera dhe të mëdha në fushëveprimtarine saj punuese. Kompetencat e Gjykatës Supreme të Kosovës kanë qenë të njëjta me gjykata supreme të republikave tjera dhe të krahinës së Vojvodinës. Kryetarin dhe gjyqtarët e Gjykatës Supreme i ka zgjedh Kuvendi i Kosovës me mandat tetëvjeçar.”Ajo vendos mbi ankesat kundër aktgjykimeve dhe vendimeve të tjera të gjykatave të rregullta, vendos në shkallën e parë për çështjet e caktuara me ligj, vendos mbi mjetet e zakonshme juridike kundër vendimeve të formës së prerë të gjykatave të rregullta.”[16] Poashtu kanë qenë edhe gjykatat e ashtuquajtura vetëqeverisëe në Kosovë që ishin gjykatat e punës së bashkuar. Kanë qenë dy Gjykata Themelore të Punës së Bashkuar, njëra në Prishtinë dhe tjetra në Gjakovë, si dhe Gjykata e Punës së Bashkuar e Kosovës, si gjykata më e lartë e punës së bashkuar në Kosovë, selia e së cilës nënkuptohet ishte në Prishtinë.
Gjykata Kushtetuese e Krahinës së Kosovës ka pas në juridiksionin e veprimtarisë së vet mbrojtjen e kushtueshmërisë dhe ligjshmërisë së Kosovës. Vendimet e saja ishin të shkallës së fundit dhe të obligueshme për të gjitha instancat apo organet e administratës në Kosovë. Prej organeve tjera të jurisprudencës në Kosovë ishin edhe prokuroria publike, avokati publik si dhe avokati shoqëror i vetëqeverisjes. Prokuroria publike në Kosovë ka qenë e organizuar në tre hallka të saj të veprimtarisë punuese, prokurorit publike komunale ( ishin në 7 qendrat komunale), prokuroria publike e qarkut ( në pesë qendra rajonale), si dhe Prokuroria Publike e Krahinës së Kosovës.
” Prokuroria publike, si organi i pavarur shtetëror, ndjek kryerësit e veprave penale dhe të veprave tjera të caktuara të dënueshme me ligj; merr masa të caktuara me ligj për mbrojtjen e interesave të bashkësisë shoqërore, etj.”[17]
Edhe pse Krahina e Kosovës ka qenë element konstitutiv i federatës jugosllave, në raport me republikat ekzistuese ka qenë në një shkallë më të ulët të saj, pasi që ka qenë në kuadër të Serbisë dhe disa atributet e rëndësishme shtetërore i mungonin asaj për shkak të organizimit të saj politiko-kushtetuese si dhe definimit të saj kushtetues.
“ Republika definohet si shtet i bazuar në sovranitetin e kombit dhe në pushtetin dhe vetëqeverisjen e klasës punëtore dhe të gjithë punonjësve dhe si bashkësi socialiste vetëqeverisëse e punonjësve dhe qytetarëve dhe e kombeve dhe e kombësive të barabarta. Krahina Autonome definohet si bashkësi shoqërore politike autonome demokratike e bazuar në pushtetin dhe vetëqeverisjen e klasës punëtore dhe të gjithë punonjësve.”[18]
Nga kjo mund të konkludojmë se krahinat autonome nuk kanë pas atributin shtetëror, asaj i mungonin elementet shtetërore, simbolet shtetërore(stema, flamuri, hymni,) si dhe elemente tjera shtetërore në nivel republike, që ishte shkas i vazhdueshëm i përpjekjes së rinisë studentore dhe luftës së kombësisë shqiptare në ish Jugosllavi për statusin e Kosovës repubikë dhe barazimin e Kosovës me republikat tjera përbërëse të ish federatës jugosllave. Kjo mungesë e atributit shtetëror të Kosovës u reflektua më së miri me rastin e shpërbërjes së ish federatës jugosllave, kur komisioni i Badinterit i themeluar në atë kohë, i pranoi vetëm republikave përbërëse të drejtën e mbajtjes së referendumit për të përcaktuar vullnetim e popujve për t’u deklaruar për ardhmërin e tyre politike dhe juridike pas shpërbërjes së ish Jugosllavisë, ndërsa për fat të keq krahinave autonome nuk iu lejua, që solli më vonë reperkusione të paparapara për popullin shqiptar të Kosovës.
Administrata e tanishme e Republikës së Kosovës
Pas çlirimit të Kosovës me 12 qershor 1999, krijimi, zhvillimi dhe funksionimi i administratës publike në Kosovë ka kaluar në 3 fazat e saja të ekzistimit të saj.
Faza e parë e administrimit publik në Kosovë , e cila nisi në vitin 1999 pas përfundimit të luftës, ka pas si qëllim ndërtimin dhe funksionimin e administratës së përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK-ut. Bazë për krijimin e administratës publike apo të administratës së UNMIK-ut në Kosovë ishte Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së e miratuar me 10 qershor 1999.
“Me Rezolutën 1244, misionit civil ndërkombëtar i janë besuar detyra dhe përgjegjësi në jetën politike dhe administrative në tri nivele të përgjegjësive si: administrimi i përkohshëm i Kosovës, themelimi i institucioneve demokratike vetëqeverisëse, mbikëqyrja e tyre përfshirë edhe zgjedhjet, si dhe bartja e përgjegjësive tek institucionet e Kosovës.”[19]
UNMIK-u nëpërmjet Rregullores nr.1999/1 ka pas të drejtën e autorizimit për krijimin e administratës së përkohshme publike në Kosovë, duke pas të drejtën e rregullimit ë saj nëpërmjet nxjerrjes së Rregulloreve, Urdhëresave dhe Udhëzimeve administrative me karakter ligjor, të obliguar me të cilët rregulloheshin fusha të caktuara të administratës publike nëpërgjithësi në Kosovën e pas luftës së vitit 1999.
Faza e dytë e administratës publike në Kosovë nisi nga viti 2001 me themelimin e Institucioneve të Përkohshme Vetëqeverisëse në Kosovë pas mbajtjes së zgjedhjeve të para në nivel vendi, me ç’rast u konstitua Parlamenti, Qeveria, Presidenca e kështu me rrallë. Bazë për funksionimin dhe zhvillimin e administratës publike në Kosovë ishte Korniza Kushtetuese e Vetëqeverisjes së Përkohshme në Kosovë e miratuar në vitin 2001 nga përfaqësuesi special i sekretarit të përgjithshëm(PSSP), e cila rregullonte përveç tjerash edhe ndarjen e përgjegjësive në mes UNMIK-ut dhe IPVQ-së.
Faza e tretë e administratës publike në Kosovë nisi në vitin 2008 pas shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovë, me ç’rast u aprovua Kushtetuta e Republikës së Kosovë me 9 prill 2008 nga Parlamenti i Kosovës dhe hyri në fuqi me 15 qershor 2008, e cila është bazë për funksionimin dhe zhvillimin e administratës publike në Kosovë.
Duke marr parasysh se sipas Kushtetutës në fuqi të Kosovës, ndarja e pushteteve është e përcaktuar në tri forma të saja, pushteti legjislativ të cilin e përfaqëson Kuvendi i Kosovës, pushtetin ekzekutiv të cilin e përfaqëson Qeveria e Kosovës si dhe pushtetin gjyqsëror të cilën e përfaqëson Gykata dhe Prokuroria e shtetit. Presidenca e shtetit dhe Gjykata Kushtetuese nuk janë pjesë e ndarjes së lartcekur të pushtetit në Kosovë por mund të themi se janë mekanizmat të cilët bëjnë një balanc të caktuar në mes këtyre tri pushteteve aktuale në Republikën e Kosovës.
Administrata, tani mund të themi edhe shtetërore apo publike, pasi që Kosova është shtet i pavarur, funksionon në bazë të Ligjit mbi administratën shtetërore të Republikës së Kosovës, në të cilin në nenin 3 të tij përcaktohet mënyra dhe funksionimi i saj:” Me këtë ligj rregullohet fushëveprimi i organeve të administratës shtetërore. Administrata shtetërore kryen punët e administratës në suaza të të drejtave, përgjegjësive dhe detyrave të Republikës së Kosovës. Administrata shtetërore funksionin e saj e ushtron dhe punët i kryen në bazë të kushtetutës, ligjit, dispozitave të tjera dhe akteve të përgjithshme.”[20]
Administrata shtetërore apo publike e Kosovës përbëhet prej organeve të shumta të saja, por në këtë punim do të përqendrohem në elaborimin e disave prej tyre, si p.sh.Kuvendi i Kosovës, Presidenca e Kosovës, Qeveria e Kosovës, Gjykatat dhe Prokuroritë e Kosovës dhe së fundi Gjykata Kushetuese e Republikës së Kosovës.
“Kuvendi i Republikës së Kosovës është institucioni më i lartë përfaqësues dhe ligjvënës i Republikës së Kosovë.”[21] Fushëveprimtaria e punës së Kuvendit të Kosovë është bukur e gjerë dhe se neve do të përmendim disa nga kompetencat e tij sikurse që janë: nxjerrja e ligjeve, rezolutave, aprovimi dhe amandamentimi i Kushtetutës, ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, aprovimi i buxhetit të Kosovës, zgjedhja dhe shkarkimi i Kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit, zgjedhja dhe shkarkimi i Presidentit të Kosovës, zgjedhja e qeverisë si dhe shkarkimi i saj me votëbesim, zgjedh anëtarët e Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës, propozon gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, mbikëqyr politikën e jashtme dhe të sigurisë etj. Parlameti i Kosovës përbëhet prej 120 deputetëve, prej të cilëve 100 deputet zgjidhen çdo katër vjet në zgjedhjet në nivel vendi me votim të fshehtë të sistemit proporcional me lista të hapura, ndërsa 20 vende janë të rezervuara apo të garantuara për komunitetet pakicë që jetojnë në Kosovë.
Presidenti i Republikës së Kosovës është kreu i shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit të Kosovës, për këtë shkak ai me marrjen e detyrës nuk ka të drejtë të jetë më anëtar apo lider partiak si dhe të mbaj ndonjë post tjetër publik. Presidenti i Republikës së Kosovë zgjedhet ng Kuvendi i Kosovës me mandat pesëvjeçar. Fushëveprimtaria dhe kompetencat e Presidentit të Republikës së Kosovë janë të përcaktuara me Ligjin për Presidentin në bazë të së cilës e kryen funksionin dhe veprimtarin e tij shtetërore.
“Kompetencat e Presidentit të Republikës së Kosovës janë kompetencat që e bëjnë të veçantë pozicionin e një presidenti të zgjedhur nga Parlamenti. Në Kushtetutën e Republikës së Kosovës janë radhitur taksativisht 30 kompetenca të presidentit, prej të cilave disa janë kompetenca me karakter ekzekutiv, disa janë kompetenca ceremoniale dhe një pjesë janë kompetenca të ndërvarura ....”[22] Këtu do t’i ceki disa prej kompetencave:
Përfaqëson Republikën e Kosovës brenda dhe jashtë, shpall zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, nxjerr dekrete, shpall ligjet e miratuar nga Kuvendi i Kosovës, ka drejtën e kthimit të ligjeve në rishqyrtim Kuvendit të Kosovës, nënshkruan marrëveshjet ndërkombëtare, është komandant suprem i Forcave të Sigurisë së Kosovë, mund të propozojë amendamente kushtetuese, mund të referojë çështjet të caktuara kushtetuese, cakton mandatarin për formimin e Qeverisë, emëron gjyqtarët dhe kryetarët e gjykatave si dhe prokurorët dhe kryeprokurorin e shtetit me propozim të Këshillit Gjyqësor, apo Këshillit Prokurorial, si dhe një varg kompetenca tjera të presidentit të Kosovës.
Qeveria e Republikës së Kosovës- “Qeveria ushtron pushtetin ekzekutiv në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet, zbaton ligjet dhe aktet tjera të miratuara nga Kuvendi i Kosovës dhe ushtron veprimtari të tjera brenda përgjegjësive të përcaktuara me Kushtetutë dhe ligje.”[23]
Pas zgjedhjeve nacionale dhe konstituimit të Parlamentit zgjidhet qeveria nga Kuvendi me shumicë votash të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Qeveria e Kosovës përbëhet prej kryeministrit, disa zëvendëskryeministrave dhe ministrave dhe zëvendësministrave. Të paktën dy ministra duhet të jenë nga komunitetet pakicë në Kosovë, e nëse numri i ministrave është më tepër se 12 atëherë ministri i tretë duhet të jetë prej komuniteteve pakicë. Disa prej kompetencave kryesore të qeverisë së Kosovës janë: udhëheq dhe zbaton politikën e brendshme dhe të jashtme të Kosovës, zhvillimin ekonomik të vendit, përgatit dhe propozon projektligje Kuvendit, propozon buxhetin e Kosovës, propozon amandamentimin e Kushtetutës, ka drejtë të referojë çështje të caktuara në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, rregullon dhe mbikëqyr punën e organeve të administratës etj. Zakonisht mandati i qeverisë është katërvjeçar, por ky mandat mund të jetë më shkurtër me rastin e mocionit të votëbesimit(shkarkimit të qeverisë) apo mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme me ç’rast përfundon para kohe mandati i qeverisë. Qeveria në largim e Kosovës llogaritet ajo qeveri e mëparshme që ka qenë në pushtet dhe vazhdon punën gjer te konstituimi i qeverisë së re pas mbajtjes së zgjedhjeve të rregullta apo të jashtëzakonshme.
Sistemi gjyqësor apo i drejtësisë përbën hallkën e tretë të ushtrimit të pushtetit në Republikën e Kosovës. Administrata gjyqësore në Kosovë është e përbërë preh gjykatave dhe prokurorive si dhe Këshillit Gjyqësor.Gjykatat janë të organizuas sipas kësaj hierarke: gjykatat themelore, gjykata e apelit dhe gjykata supreme.
Gjykatat Themelore në Kosovë janë gjithsejtë shtatë, në Prishtinë, Prizren, Mitrovicë, Pejë, gjakovë, Gjilan dhe Ferizaj,të cilët kanë edhe nëndegët e tyre në komunat më të vogla me të cilin është përfshirë i tërë territori i Kosovës në juridiksionin e Gjykatave Themelore. Gjykatat Themelore janë gjykata të shkallës së parë të cilët punojnë sipas principit të ndarjes së tyre në 3 departamente, përveç asaj në Prishtinë e cila përbëhet prej pesë departamenteve, asaj administrative dhe ekonomike shtesë, gjykatat themelore funksionojnë si sistem unik gjyqësor në Kosovë në veprimtarinë e tyre gjyqësore.
Gjykata e Apelit është gjykatë e shkallës së dytë, është e vetme në Kosovë me seli në Prishtinë, të cilës i drejtohen palët për ankimin pas vendimit të gjykatave themelore. Gjykata e Apelit si e vetme e tillë që është mbulon tërë hapësirën e Republikës së Kosovës, dhe si e tillë përbëhet prej pesë departamenteve.
Gjykata Supreme e Kosovës gjendet në Prishtinë dhe është instanca më e lartë gjyqësore, dhe funksionimi dhe veprimtaria e saj konsiston në mjetet e jashtëzakonshme ndaj vendimeve të gjykatave të shkallës së parë dhe të dytë, si dhe në revizionet në çështjet kontestimore. Funksionimi i administratës gjyqësore është rregulluar me Ligjin për gjykatat në Republikën e Kosovës. Në të njëjtën princip të punës dhe veprimtarisë së saj organizative administrative janë edhe prokuroritë në Kosovë: prokuroria themelore, prokuroria e apelit, prokuroria speciale si dhe kryeprokurori i shtetit.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës – “Gjykata kushtetuese paraqet një organ të veçantë kushtetues, të cilit i besohet mbrojtja e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë.”[24] Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendos në çështjet e caktuar me të cilin pretendohet se është shkel Kushtetuta e Kosovës apo ligjet e aprovuara në Kuvendit të Kosovës janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës janë përfundimtare dhe obligative për të gjithë organet administrative në Kosovë, konform nenit 112 të Kushtetutës së Kosovës:
” Gjykata Kushtetuese është autoriteti përfundimtar në Republikën e Kosovës për interpretimin e Kushtetutës dhe përputhshmërisë së ligjeve me Kushtetutën.”[25] Palët të cilët mund të ngrejnë çështjet e caktuara janë: Kuvendi i Kosovës, Presidenti i Kosovës, Qeveria dhe Avokati i Popullit.
“Gjykata Kushtetuese përbëhet nga nëntë gjyqtarët të cilët emërohen nga Presidenti i Republikës sipas propozimit të Kuvendit të Kosovës, për një mandat nëntëvjeçar pa mundësi vazhdimi.”[26] Nga radhët e tyre gjyqtarët zgjedhin kryetarin dhe nënkryetarin e Gjykatës Kushtetuese me votim të fshehtë për një mandat trevjeçar. Kryetari i Gjykatës Kushtetuese thërret dhe udhëheq seancat gjyqësore, përfaqëson brenda dhe jashtë Kosovës Gjykatën Kushtetuese, nënshkruan të gjitha aktet e Gjykatës Kushtetuese. Në punën e tyre gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese ndihmohen me këshilltarët ligjor. Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuse gëzojnë imunitet nga ndjekja penale, paditë civile dhe shkarkim nga detyra për vendimet, votimet, mendimet, veprimet e tyre në kuadër të fushëveprimtarisë së tyre gjatë punës në Gjykatën Kushtetuese.” Ata mund të shkarkohen nga Presidenti i Republikës së Kosovës me propozimin e dy të tretave (2/3) të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese vetëm për kryerjen e krimeve të rënda ose për mospërfillje të rëndë të detyrave.”[27]
Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese gjatë mandatit të tyre nuk kanë të drejtë të punojnë ndonjë punë tjetër publike me pagesë, përveç se kanë të drejtë të ligjërojnë shkencat juridike në ndonjë nga Universitetet në Republikën e Kosovës.
Histori e shkurtër e Administratës në Turqi
Historia e administratës në Turqi është ngushtë e lidhur me historinë e formimit të shtetit, pasi që administrata publike lidhet me lindjen e shtetit dhe funksionimin e saj.Turqit si popull që janë, kanë një histori gati njëmijëvjeçare të shtet formimit të tyre. Turqit gjatë gjithë historisë së tyre i kanë dhënë rëndësi primare shtetit dhe administratës shtetërore. Pasi që shteti ka qenë gjithherë garant i jetës së tyre, sigurisë së tyre, pasurisë së tyre, të nderit të tyre dhe të krenarisë së tyre të bujshme historike. Gjatë historisë së tyre shtetformuese gati njëmijëvjeqare turqit kanë krijuar një administratë të mirëfilltë shtetërore dhe në mënyrë shumë të suksesshme kanë udhëhequr me sipërfaqe të madhe gjeografike shekuj me radhë gjatë disa perandorive të tyre ekzistuese. Sidomos i kanë dhënë rëndësi dhe prioritet administratës qendrore shtetërore nga i cili është udhëqur gjer në nivelin e fundi të perandorisë apo shtetit të tyre. Administrata qendrore shtetërore ka pas për obligim të ruaj integritetin dhe sovranitetin territorial të sipërfaqes së gjerë shtetërore, paqen, drejtësinë, qetësinë dhe harmoninë jetësore në mes shtetasëve të vet me kultura të ndryshme civilizuese. Edhe para themelimit të shtetit të parë kanë qenë të njohura drejtimi i shtetit nga pasardhësit e tyre siç ishin gykturqit dhe hunët. Por, shteti i parë i turqve i themeluar dhe i njohur në histori është shteti i selçukëve i themeluar në vitin 1023, dhe se pas nëntë vitesh parashihet që të mbahet një manifestim i madh shtetëror, me ç’rast do të kremtohet 1000 vjetori i shtetit të parë turk si dhe 100 vjetori i themelimit të Republikës së Turqisë. Shteti i selçukëve ishte i shtrirë kryesisht në pjesën lindore dhe qendrore të Anadollisë dhe ka zgjat gjer në vitin 1299, kur në skenë del sulltan Osmani me ushtrinë e tij të madhe luftarake dhe i vuri themelet e shtetit të madh turk, Perandorisë Osmane e cila zgjati gjer në vitin 1923, do të thotë plotë 624 vite.
Perandoria Osmane ka kaluar në tre etapa të saja, etapa e parë ka zgjat nga viti 1299 e gjer në vitin 1689 gjatë së cilës etapë Perandoria Osmane gradualisht është zgjeruat në tri kontinente, në Evropë, Azi dhe Afrikë, në Evropë ka arrit gjer në bedemet e Vjenës, në Afrikë gjer në Gjibraltar, e në Azi gjer në Sinkjang të Kinës. Etapa e dytë ka zgjatë prej vitit 1689 e gjer në vitin 1815, e cila karakterizohej me qëndrueshmërin apo status quonë e saj në territoret në të cilët është zgjeruar dhe përhapur. Etapa e tretë e saj ishte prej vitit 1815 e gjer në vitin 1923 gjatë së cilës Perandori osmane filloi të tkurret dhe të tërhiqet gradualisht dalëngadalë pas luftërave të shumta dhe goditjeve në frontet e shumta të luftës, e pikë kyçe e zbrapsjes së saj ishte viti 1878 pas luftës ruso-turke të vitit 1876-1877, në Plevne të Bullgarisë, me ç’rast pësoi goditjen e fortë, gjatë së cilës ushtra ruse iu afrua gati Stambollit, por pas vendimeve të Kongresit të Berlinit arriti të ruaj pjesë të saja të Rumelisë evropiane. Goditja e dytë vendimtare ishte viti 1912 pas humbjes dhe debaklit të pësuar në Luftën e Parë Ballkanike definitivisht u largua nga pjesa e Ballkanit, Rumelisë Evropiane, përveç një pjese e vogël që arriti ta ruaj, pjesa e Edirnes dhe pjesa evropiane Stambollit. Goditja e tretë përfundimtare ishte viti 1918 kur pas humbjes së saj , në Luftën e parë Botërore humbi Lindjen e Afërt dhe se edhe vet Stambolli ra në duart e anglezëve dhe françezëve. Në vitin 1919 shpërtheu kryengritja turke kundër trupave të huaja pushtuese që gjendeshin brenda territorit të Anadollisë, ashtu që pas luftës 4 vjeçare aritën ta çlirojnë me sukses Anadollinë, djepin e lindjes së shtetit selçuk, osman dhe turk, dhe në vitin 1923 Kuvendi i Madh Popullor i Turqisë shpalli Republikën e Turqisë në gërmadhat e Perandorisë Osmane, e cila u njoh nga shtetet kryesore pas marrëveshjes paqësore të arritur në Llozanë të Zvicrës.
Në këtë pjesë të punimit krahasues do të ndalem të elaborojë administratën në Turqi vetëm gjatë periudhës osmane, pasi që gjatë kësaj kohe edhe Kosova ka qenë në kuadër të Perandorisë Osmane dhe se administrata e atëhershme që ka funksionuar dhe vepruar gjatë periudhës osmane njëkohësisht ka qenë prezente dhe ka funksionuar edhe në Kosovë dhe në trojet shqiptare gjithandej Ballkanit dhe e pashë të arsyeshme që kjo periudhë kohore e administratës në Turqi do të jetë me interes për prezantim në këtë punim krahasues të Administratës në Kosovë dhe Turqi.
Administrata në Turqi gjatë periudhës osmane
Administrat shtetërore apo publike gjatë periudhës osmane ndahet në dy etapa: etapa e pare e quajtur etapa klasike që zgjati prej vitit 1299 gjer në vitin 1840, dhe etapa e dytë e quajtur etapa e Tanzimatit që zgjati prej vitit 1840 gjer në vitin 1923.
Administrata shtetërore apo publike gjatë etapës klasike –
”Administrata e parë osmane të drejtën e sovranitetit e ka të bazuar nga dhuntia e Zotit padishahut (sulltanit) si autoritet më të lartë të pushtetit.”[28] Nga kjo mund të konkudojmë se i tërë pushteti administrativ ishte i përqëndruar në një sistem i bazuar në të vetmin organ superior administrativ, që ky ishte i tëri i përqëndruar në duart e sulltanit.Por nënkuptohet se sulltani vetë për të kryer të gjitha punët administrative shtetërore ka qenë e pamundur, për këtë arsye në punët e t’ia shtetërore administrative ka pas një varg organesh tjera që i kanë asistuar në kryerjen e punëve administrative. Sulltani e ka themeluar kabinetin e tij qevritar, dhe vetëm ai ka pas të drejtën absolute të zgjedhjes dhe të shkarkimit të qeverisë, e cila ishte e përbër nga një numër i caktuar vezirësh (ministrash), e në krye të saj ishte veziri azam apo sadriaezemi (kryeministri). Sadriazemi apo kryeministri e ka udhëhequr kabinetin qeveritar nëpërmjet të së cilës ka funksionuar administrata shtetërore apo publike. Kryeministri ka qenë pozita më e lartë më administratën shtetëtore i cili ka organizuar veprimtarinë administrative në emër të sulltanit dhe ka dhënë përgjegjësi të plot për punën dhe veprimtarin e tij vetëm sulltanit i cili e ka emëruar në këtë post më të lartë shtetëror në hierarkinë e Pernadorisë Osmane.
“Shejhul Islami ka qenë ndihmësi i sulltanit në çështjet fetare, ka qenë mbrojtësi i sheriatit dhe interpretuesi i tij.”[29] Shejhulislamin e ka emëruar sulltani i cili ka qenë autoriteti më i lartë i interpretimit të sheriatit, në bazë të cilit ka dhënë fetva(dekrete) se a janë punët e caktuara shtetërore në pajtim me sheriatin apo jo. E gjithë veprimtaria administrative në fushën e fesë, arsimit dhe gjyqësisë ka qenë në kompetecat e veprimtarisë së shejhul islamit. ”Nën udhëheqjen e padishahut(sulltanit) për të shqyrtuar punët shtetërore në shkallë më të lartë tubohej Divani Hümayun( Këshilli perandorak).”[30] Këshilli Perandorak (Divani Hümayun) kohë pas kohe me kërkesën e sulltanit është tubuar me ç’rast gjatë punimit të tij janë shqyrtuar një varg çështjesh me interes publik, sikurse problemet dhe dëshirat e qytetarëve për zgjidhjet e caktuara që ballafaqoheshin gjatë jetës së tyre të përditshme, sikurse edhe me rastın e ekzekutimeve tş ndryshme gjyqësore. Gjatë epokës klasike të perandorisë osmane që ka zgjat gjer te reformat e Tanzimatit, ndarja administrative gjeografike ka qenë sipas ejaleteve, sanxhaqeve dhe kazave.
”Gjatë periudhës osmane gjer te Tanzimati, njësia më e madhe administrative dhe më e afërt me pushtetin qendor ishte ejaleti.”[31] Me ejaletin (njësi federale, të rangut të sotshëm të republikës) ka sunduar beglerbeu i cili ka qenë njëkohësisht edhe udhëheqës ushtarak edhe udhëheqës i rangut më të lartë të punëve administrative në nivel të ejaletit. Veprimtarinë administrative e ka udhëhequr nëpërmjet Këshillit të Ejaletit me të cilin ka udhëhequr dhe organizuar administratën publike në nivel Ejaleti. “Sanxhaku ishte njësia themelore e organizimit të administrates territoriale me administratën ushtarake, financiare dhe gjyqësore.”[32]
Gjatë etapës klasike të periudhës osmane sanxhaku ka qenë pjesë përbërëse e ejaletit në nivel të një krahine të sotshme administrative. Gjatë organizimit të veprimtarisë së tyre kanë pas një autonomi të caktuar në kuadër të ejaletit. Në krye të administrates publike ka qenë sanxhakbeu me titull pasha i cili e ka udhëhequr sanxhakun e caktuar në kuadër të ejaletit si pjesë përbërëse të Perandorisë Osmane.
“Gjatë etapës klasike të periudhës osmane të organizimit administrative kazaja ka qenë njësi më e vogël administrative në kuadër të sanxhakut.”[33] Çdo sanxhak i cili ishte në kuadër të ejaletit ka qenë i ndarë në disa kaza varësisht prej shtrirjes gjeografike të tij. Edhe kazaja ka qenë e përbërë prej njësive më të vogla, apo ka qenë e ndarë në nahije dhe fshatra. Me punët administrative të kazasë janë marrë kaditë(gjyqtarët) dhe subashët (udhëheqës ).
Beglerbeu ka qenë i caktuar direkt prej sulltanit për një ejalet të caktuar i cili ka qenë udhëheqës edhe ushtarak edhe administrative i një ejaleti, që në terminin e sotshëm të administrates publike nënkuptojmë pozitën e guvernerit të një njësie federale në kuadër të federates së caktuar.”Beglerbeu ka marrë vendime, ka emëruar personelin administrative të punëve publike, përveç kadisë(gjyqtarit), të gjithë punonjësit e administrates shtetëore kanë qenë në përgjegjësine etij dhe kanë llënë llogari për punët e tyre beglerbeut.”[34] Sistemi i funksionimit të beglerbeut ka qenë i mbështetur në kompetencat të gjëra që i ka pas në dispozicion, për atë e ka caktuar apo emëruar drejtpërsëdrejti sulltani nga rrallët e njerëzve më të besuar të tij.
Sanxhakbeu ka udhëhequr sanxhakun e caktuar i cili ka qenë në kuadër të ejaletit, por ka gëzuar një shkallë të autonomies së vet gjat punës dhe funksionimit të tij si njësi administrative autonome.”Sanxhakbeu në sanxhak ka udhëhequr edhe çështjet ushtarake dhe çështjet administrative publike.”[35] Do të thotë ka pas komptenca të gjera në veprimtarinë e tij adminstruese në kuadër të sanxhakut, sikurse që i kishte beglerbeu në kuadër të ejaletit, ka qenë autoriteti më i lartë dhe numër një apo udhëhqeës kryesor në kuadër të sanxhakut. Nënkuptohet kompetencat e t’ia kanë qenë në një shkallë më të ultë se beglerbeu pasi ka udhëhequr njësinë administrative më të vogël i cili ishte në kuadër të ejaletit. Sanxhakbeu i cili ka udhëhequr sanxhakun ka pas titullin e pashës (gjeneralit) që nënkuptohet se ka pas titull apo grad të lartë ushtarake në hierarkinë e atëhershem ushtarake gjatë periudhës së Perandorisë Osmane të atëhershme.
Administrata shtetërore apo publike gjatë etapës së Tanzimatit –
Në vitin 1840 autor i reformës së gjerë të kryer në Perandorinë Osmane të njohur me emrin e ashtuquajtur fermani (dekreti) i Tanzimatit, Mustafa Reshit Pasha ka ndërrmar një reformë të gjerë shoqërore dhe administrative të Perandorisë Osmane të atëhershme.Ai ka paraparë zvoglimin e kompetencave të gjera që i kan pas gjer atëherë beglerbegët e atëhershëm e tani vali me reformën e nisur në të kohë, e sidomos sistemin autoritar që kanë pas gjatë udhëheqjes me popullatën në territorin e caktuar të kompetencave të tyre.
” Në vitet e para të Tanzimatit, pas vitit 1840, për vali janë parapa aplikimet të gjera, por të mbikëqyrura si dhe një risi e re ka qenë themelimi i Kuvendit të madhe dhe Kuvendit të vogël.”[36] Reformat që i ka parapa Mustafa Reshit Pasha ka qenë të bazuara në sistemin atëhershëm politik dhe administrativ të Francës së atëheshme. “Kanë qenë dy tipare të rëndësishme të veprimtarisë së tyre të këtyre kuvendeve. E para ishte se nga shumica e nëpunësve shtetëror të ejaletit në mesin e tyre ishin anëtar që kanë përforcuar shërbimet e ofruara nga administarata qendrore. E dyta ishte, se edhe anëtarëve që nuk janë mysliman do të jepet roli më i shprehur dhe vendi tyre do të jetë i grantuar me të drejta të plota të barabarta qytetare. Për të përforcuar performansën e administrates qendrore, pas vitit 1840, valit kanë pas obligim të bëjnë auditim dhe kontrollin e nëpunësve të tyre, kanë qenë të obliguar të konsultohen me sadriazemin(kryeministrin) si dhe kanë qenë të detyruar të japin llogari qeverisë qendrore.”[37] “Nga ky rregullim i tanishëm i etapës së Tanzimatit valiu (ish beglerbegu) i ejaletit i ka të gjitha përgjegjësit dhe është zbatues i të gjitha punëve, dhe është në rangun e zëvendësit apo përfaqësuesit të shtetit dhe personalisht mban llogari për punët publike në elajet.”[38] Tani me këto reforma, valiu(guvernatori) është përfaqësuesi i shtetit i cili i mbikëqyr të gjitha departamentet administrative me radhë, si atë finaciare, ushtarake, është zbatues vendimeve të ligjit, vakëfeve(fondacioneve) dhe një varg përgjegjësive tjera . Të gjithë nëpunësit shtetëror administrative në ejalet janë përgjegjës për punën e tyre para valiut. Nëpunësit administrative kanë pas të drejtë të kontaktojnë edhe me Portën e Lartë(qeverinë qendrore) në Stamboll për çështjet e caktuara lidhur me shkeljen e ligjeve të caktuara nga ana e valiut. Valiu për çështjet civile, sikurse ato ushtarake, financirae, të fondacioneve, të zbatimit të ligjeve të caktuara, poashtu ka pas të drejtë të kontaktojë autoritetet e caktuara administrative pranë Portës së Lartë në Stamboll.
“Në pjesën e dytë të shek.XIX në Pernadorinë Osmane pas hyrjes në fuqi të dekretit të Tanzimatit, reforma administrative u aplikua me sistemin e quajtur”Rregullimi i administratës së Vilajeteve të vitit 1864”[39] “Autorët të këtij rregullimi të ri administrativ ishin Xhevdet pasha, Mithat pasha dhe Fuad pasha, të cilët i kanë përgatitur parimet e reja të administratës së Vilajeteve.”[40] Si model të rregullimit të ri administrative e kanë marr sistemin e rregullimit administrativ të Francës, me ç’rast sipas këtij rregullimi si pjesë më e madhe e rregullimit administrativ tani është Vilajti në vend të ejaletit. Kjo ndarje e re administrative ishte në fuqi gjer në fund të Perandorisë Osmane në vitin 1923 dhe krijimit të shtetit të ri turk Republikës së Turqisë në vitin 1923. Në vend të ejaleteve janë krijuar Vilajetet e mëdha me shtrirje gjeografike, por jo sikurse ishin ejaletet gjer në atë kohë. Vilajetet kanë qenë të përbëra prej sanxhaqeve, kazave, nahijeve dhe fshatrave. Në krye të administrimit të vilajetit ishte valiu, në krye të sanxhakut ishte mytesarifi, në krye të kazasë ishte kajmakami, në krye të nahijes udhëheqësi si dhe në krye të fshatit muhtari. Kjo ndarje administrative i ka përfshirë edhe trojet etnike shqiptare, ashtu që pas këtij rregullimit të ri administrative trojet shqiptare kanë qen në kuadër të 4 vilajeteve. Vilajeti i Prizrenit, e më pas i quajtur Vilajeti i Kosovës me seli në Prizren, pastaj në Prishtinë dhe në fund në Shkup gjer në vitin 1912, Vilajeti i Shkodrës me seli në Shkodër, Vilajeti i Janinës me seli në Janinë dhe Vilajeti i Manastirit me seli në Manastir. Kjo ndarje administrative ka qenë në fuqi gjer në largimin Perandorisë Osmane nga trojet etnike shqiptare gjer në vitin 1912. Të gjithë udhëheqësit e vilajeteve, sanxhaqeve, kazave dhe nahijeve, përveq muhtarëve nëpër fshatra janë caktuar apo emëruar nga administrata shtetërore qendrore.
“Me reformën administrative të vitit 1864 kompetncat e valive janë shtuar apo zgjeruar, ashtu që përveç çështjeve administrative, financiare, sigurisë, arsimit, interesi publik, punët publike, edhe në lëmin e gjyqësorit dhe drejtësisë penale.”[41] Në nivel vilajeti tani kanë funksionuar dy kuvende, Kuvendi i Përgjithshëm i Vilajetit dhe Kuvendi Publik i Vilajetit. Kuvendi i Përgjithshëm i Vilajetit është thirrë dhe udhëheq drejpërsëdreti nga Valiu i Vilajetit, ku janë shyrtuar të gjitha çështjet që kanë pas të bëjnë me punët administrative në nivel të Vilajetit të caktuar. “Detyra e Kuvendit të përgjithshëm të Vilajetit ishte që në kuadër të kufijve të Vilajetit të merret me ndërtiminin, zgjerimin dhe mirëmbajtjene e rrugëve, me ndërtimin dhe mirëmbajtjen e objekteve publike, me lehtësimin dhe zgjerimin e bujqësisë dhe tregtisë, si dhe me çështjet e taksave publike apo shtetërore.”[42] Për më tepër roli i tij ka qenë më shumë këshillues, sqarues dhe lehtësues i kuptimit për forcimin dhe kryerjen e punëve qendrore në nivel shteti.”Kuvendi publik i Vilajetit ka qenë i përbërë prej përfaqësuesëve lokal të Vilajetit të cilët i përcjellin kërkesat, dëshirat apo problemet e tyre me të cilët ballafaqoheshin gjatë jetës së tyre, gjegësisht ishte një organ me qëllim këshillues.”[43]
Në fund të shekullit XVIII dhe në fillim të shekullit XIX në SHBA dhe në Evropë kemi paraqitjen e Kushtetutave të para me të cilët rregullohej sistemi politik dhe juridik i shtetit, me hyrjen në fuqi të tyre sikurse në SHBA 1787, Francë 1793, e më vonë edhe në Gjermani, Belgjikë, Itali e kështu me radhë, shtetet funksionin dhe vepronin sipas kushtetutave të tyre të aprovuara nga parlamentet apo kuvendet nacionale. Me këtë nisi edhe dobësimi i funksionimit të atëhershëm i shteteve autokratike e qendrore si dhe dobësimi i funksionimit të feudeve apo çifliçeve të gjera. Kjo jehonë pati ndikim edhe në Perandorinë Osmane ashtu që edhe këtu pas presioneve dhe kërkesave të shumta lindi ideja për sistemin kushtetues të aplikimit edhe në Perandorinë Osmane. Këshu që në vitin 1876 në Perandorinë Osmane hyri në fuqi Kushtetuta e parë e quajtur”Kanuni Esas”.
“Kanui Esas ishte e ndarë në 12 kapituj dhe përbëhej gjithsejt prej 119 nene.”[44]Sipas Kushtetutës së aprovuar Perandoria Osmane udhëhiqej nga Sulltani dhe Këshilli i ministrave, si organe ekzekutive më të larta, prej të cilëve veçohen sadriazemi dhe shejhul islami. Porse fjalën kryesore vendimmarrëse e ka pas padishahu(Sulltani). Kuvendi ka qenë i përbërë prej deputetëve të zgjedhur nga të gjitha Vilajetet e Perandorisë osmane.Kuvendi i ka mbajtur punimet në disa seanca një herë në vit. Edhe sistemi kushtetues i aplikuar në Perandorinë Osmane ishte i bazuar në sistemin kushtetues të Francës, pasi që në atë kohë Franca veçohej për modelin e saj reformues dhe ishte një shtet udhëheqës në kontinentin qendror evropian të Evropës së atëhershme.
P ë r f u n d i m i
Në përmbyllje të këtij punimi krahasues do të konkludojë sipas mendimit dhe këndvështrimit tim, ngjajshmërinë në mes të administratës publike gjatë periudhës kohore të Kosovës autonome të viteve 1974-1989, gjersa Kosova ishte pjesë përbërëse e ish federatës jugosllave, me periudhën tanishme kohore në të cilin gjendet Kosova e pavarur . Njashtu kjo ngjajshmëri ekziston edhe në administratën në Turqi gjatë periudhës osmane dhe periudhës republikane të tanishme ekzistuese të Turqisë.
Edhe pse Kosova ishte Krahinë Socialiste Autonome gjatë periudhës 15 vjeçare të ekzistimit të saj, 1974-1989 në ish federatën jugosllave karakterizohej edhe atëherë
” sui generis” i llojit të veçantë, pasi kishte një karakter të dyfishtë kushtetues juridik, nga njëra anë ishte pjesë përbërëse e ish federatës jugosllave, nga ana tjetër ishte edhe në kuadër të Republikës së Serbisë. Edhe pse gjatë veprimtaris dhe funksionit organizativ administrata e atëhershme autonome në Kosovë kishte një shkallë të lartë të autonomisë, por prap se prap mund të themi edhe pse ishte autonome ajo ka funksionuar shpeshherë nën presionin apo udhëzimin herë drejtpërdrejt e herë tërthortë të organeve administrative federative dhe të organeve administrative republikane. Shembull klasik ishte kur nën trusninë e paparë të organeve administrative të Serbisë, Kuvendi i Kosovës u detyrua që me 23 mars 1989 të votojë amendamentet kushtetuse me të cilën u rrënua dhe mori fund autonomia e Kosovës në ish federatën jugosllave, edhe me pajtimin e heshtur të organeve federative.
Njëkohësisht edhe tani edhe pse Republika e Kosovës është shtet i pavarur dhe se gjatë punës së saj do të ishte e udhës të veprojë dhe të funksionojë në mënyrë të pavarur, ajo shpesh herë vepron dhe punon në diktatin direkt apo indirekt të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian, dhe sjell vendime edhe kundër interesit të shtetit dhe popullit të vet, sikurse që ishte vendimi i sjell, me diktat të Vashingtonit dhe Brukselit, për fusnotën, që e degradoi pavarësinë e shpallur dhe e ktheu në pozitën e saj të papërcaktuar dhe të padefinuar juridikisht, pasi që edhe fusnota si e tillë prapë është një
“ sui generis” , në të cilin figuron Rezoluta 1244 e cila është valide dhe obliguese për Këshillin e Sigurimit të OKB-së, si dhe opinioni i GJND-së se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ishte në kundërshtim me drejtën ndërkombëtare, që është jo obligative por vetëm këshillëdhënëse, si dhe vendimit të fundit Kuvendit të Kosovës ditë më parë, për të pranuar themelimin e Gjykatës Speciale për krime të luftës në Kosovë, që është një goditje e fortë për sistemin gjyqësor në Republikën e Kosovës.
Këtë që e konkludova për Kosovën, qëndron edhe për administratën në Turqi sipas mendimit dhe këndvështrimit tim, por nënkuptohet në një masë shumë më të vogël në krahasim me Kosovën. Mund të themi se në etapën klasike të periudhës osmane, administrata në Perandorinë Osmane ka funksionuar dhe vepruar në mënyrë të pavarur dhe ka qenë një Perandori Osmane e madhe dhe e fortë e cila ka sunduar dhe funksionuar në tri kontinente të botës për plot 500 vitë, por në 100 vitet e fundit të ekzistimit të saj e sidomos pas Tanzimatit të vitit 1840, administrata e atëhershme osmane ka vepruar dhe ka sjell vendime në dëm të interesave të Perandorisë dhe shtetasëve të saj, nën presionin direkt apo indirekt të fuqive të atëhershme evropiane të cilët shënuan një zhvillim dhe zgjerim të hovshëm territorial sikurse që ishin Rusia, Britania e Madhe, Franca, e më vonë edhe Gjermania dhe Italia. Shembull klasik i trusnisë së tillë ka qenë vendimi i vitit 1914 të tri pashallarëve të atëhershëm turq, Talat Pasha, Enver Pasha dhe Xhemal Pasha të cilët me vendimin e tyre për hyrjen e Perandorisë Osmane në Luftën e Parë Botëore, përkrah Gjermanisë dhe Perandorisë Austrohungareze,, kryen veprim të pamatur politik katastrofal, që për një kohë të shkurtër ishte shkatërues për Perandorinë Osmane e cila në vitin 1918 ishte pothuajse plotësisht e okupuar, gjë që solli në shkatërrimin e saj përfundimtar në vitin 1923 pas plot 624 vjet ekzistimi të saj.
Edhe administrata e tanishme shtetërore e Republikës së Turqisë edhe pse në shikim të parë dukej e pavarur dhe funksionon si e tillë, por shpesh herë sjell vendime nën trusninë direkte pikësësëpari të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndonjëherë edhe kundër interesave të tyre nacionale e shtetërore, sikurse që ishte implikimi i saj i panevojshmë në mënyrë të tërthortë në luftën e tanishme civile në Siri, e që për pak ishte gati të inkuadrohet direkt në luftë, por pas trusnisë ruse e cila kërcënoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës se do të mbrojë aleaten e vet Sirinë, u zbraps, dhe në një të ardhme të saj do të mund të sjell implikime të shumta, për kryeministrin e tanishëm turk Ahmet Davutogllu si bartës dhe përgjegjës kryesor të udhëheqjes së pamatur të politikës së jashtme turke konform premtimit të dhënë kohë më parë”zero armiqësi me fqinjët”.
L i t e r a t u r a:
1. Stavileci Esat,Sokoli Agur, Batalli Mirlinda,”E DrejtaAdministrative” Universiteti i Prishtinë, Prishtinë, 2010
2. Saliu, Kurtesh”Lindja, zhvillimi, pozita dhe aspektet e autonomitetit të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovë në Jugosllavinë socialiste”, Prishtinë, 1984
3. Bajrami, Arsim”Sistemi kushtetues i Republikës së Kosovës”, Prishtinë, 2011
4. Deniz, Jusuf”Historia e administratës turke nga këndvështrimi i gjerë”,Yüksek lisans tezi,Konya, 2010
[1] Stavileci Esat, Sokoli Agur, Batalli Mirlinda”E Drejta Administrative” Universiteti i Prishtinë, Prishtinë,. 2010, fq.10
[2] Po aty, fq.12
[3] Po aty, fq.16
[4] Po aty, fq.18
[5] Po aty, fq.18
[6] Saliu, Kurtesh”Lindja, zhvillimi, pozita dhe aspektet e autonomitetit të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovë në Jugosllavinë socialiste”, Prishtinë, 1984, fq.63
[7] Po aty, fq.75
[8] Po aty, fq.77
[9] Po aty, fq.79
[10] Po aty, fq. 80
[11] Po aty, fq.81
[12] Po aty, fq.81
[13] Po aty,fq.82
[14] Po aty,fq.82
[15] Po aty, fq.113
[16] Po aty, fq.114
[17] Po aty. fq.116
[18] Po aty, fq.58
[19] Stavileci Esat, Sokoli Agur, Batalli Mirlinda”E Drejta Administrative” Universiteti i Prishtinë, Prishtinë,. 2010, fq.300
[20] www.kuvendikosovës.org/Ligjet/Ligji mbi adminstratën shtetërore të Republikës së Kosovës.
[21] Bajrami, Arsim”Sistemi kushtetues i Republikës së Kosovës”, Prishtinë, 2011,fq.245
[22] Po aty, fq.276
[23] Po aty, fq.289
[24] Po aty, fq.333
[25] Po aty, fq.569
[26] Po aty, fq.339
[27] Po aty, fq.340
[28] Deniz, Jusuf” Historia e administratës turke nga këndvështrimi i gjerë”, Yüksek lisans tezi, Konya,2010 fq.35
[29] Po aty, fq.38
[30] Po aty, fq.38
[31] Po aty, fq,41
[32] Po aty, fq.43
[33] Po aty, fq.43
[34] Po aty, fq.46
[35] Po aty, fq.48
[36] Po aty. fq.57
[37] Po aty, fq.58
[38] Po aty, fq.60
[39] Po aty, fq.61
[40] Po aty, fq.61
[41] Po aty, fq.63.
[42] Po aty, fq.64
[43] Po aty, fq.65
[44] Po aty, fq.69