Kosova

Opozita : viti i ri fillon më 9 janar

Opozita në krye me Visar Ymerin kryetar i Vetëvendosjes tha se viti i ri per Kosovën fillon më 9 janar, atëherë kur do ta jetësojnë Republikën dhe do të japin dorëheqje ata që shkelen Kushtetutën.

Në tubimin e organizuar me të rinj, Ymeri tha se kanë marrë dy vendime.

“Vendimi i parë: Kemi vendosur që të ndërhyjmë në kalendar. Ky vit i ri nuk fillon më 1 janar, por do të fillojë më 9 janar. Vendimi i dytë: Ky vit i ri nuk ka babadimra, babadimrat jemi ne që do ta jetësojmë Republikën më 9 janar, për dorëheqje të atyre që shkelën Kushtetutën”, tha Ymeri.

Ndërsa lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj e ka cilësuar 9 janarin si një ditë shumë të rëndësishme. Opozita kosovare ka filluar mobilizimin e të rinjve për protestën e 9 janarit.

Haradinaj : “9 janari është dita kur i tregojmë Qeverisë që jo vetëm ka gabuar, por edhe duhet të jap llogari. Të mblidhemi më 9 janar që të tregojmë se shkelësit e Kushtetutës duhet të japin llogari dhe të tregojmë se ato marrëveshje nuk kalojnë”, tha Haradinaj.

Liderët e tri partive opozitare kanë ftuar të gjithë qytetarët që më 9 janar t’i bashkohen protestës gjithë popullore.