Kadri Veseli foli për tolerancës fetare pranë medresantëve dhe hoxhallarëve
Pjesë nga fjalimi i Kadri Veselit :
Klerikët atdhetar si Haxhi Zeka e Mulla Idriz Gjilani jetuan në kohë të vështira për vendin tonë, në kohë të robërisë e shtypjes politike. Sot ne jemi të lirë, por jetojmë në një kohë po aq sfiduese. Bota në të cilën jetojmë është përfshirë nga një trazirë e madhe.
Kjo është trazira e kërcënimit terrorist. Njerëz të pafajshëm gjithandej botës po goditën pamëshirë, sikurse ndodhi së fundi në Paris.
Nga ky rrezik nuk jemi imun as ne në Republikën e Kosovës.
E keqja bëhet edhe më e madhe kur kemi parasysh faktin, se grupet terroriste përpiqen t’i arsyetojnë krimet e tyre duke u thirrur në libra të shenjtë, në norma e traditat fetare, në rastin konkret, në ato të fesë islame.
Sot, në botën bashkëkohore simbol i këtyre grupeve kriminale fanatike është bërë ISIS-i. Të shkatërrosh jetën njerëzore është krim i madh, por krimi bëhet edhe më i madh kur kriminelët dhe terroristët e bëjnë Zotin bashkëpjesëmarrës në krimet e tyre. Kjo është fyerja më e madhe, gjynahu, blasfemia më e madhe që mund t’i bëhet Zotit.
Të nderuar medresantë,
Ne, së bashku duhet ti ndalojmë këta njerëz të ligë, me fuqinë e ligjit dhe forcën e shpirtit.
Ne jemi një vend i vogël, nuk jemi as qendër e fuqishme financiare, as qendër e fuqishme ushtarake, por kemi një vlerë të jashtëzakonshme shpirtërore që po i mahnitë të gjithë njerëzit anë e kënd botës që punojnë për të mirë e njerëzimit.
Kjo është tradita e mirëkuptimit dhe bashkëjetesës ndër fetare.
Këtë traditë, nuk kanë mundur të na e shkatërrojnë as regjimet më të egra që kanë sunduar gjatë historisë, e nuk do të munden as sot ta shkatërrojnë grupet e fanatikëve dhe manipuluesve. Vlerat gjithmonë triumfojnë mbi forcat e të ligës.
E gjithë historia jonë e vërteton këtë.
Ju faleminderit.