Rusia

Marrëveshja Rusi-Iran për 500.000 barel naftë

Agjencioni Reuters transmeton, në bazë të burimeve të veta, se Rusia dhe Irani janë duke biseduar një plan të madh të shkëmbimit të naftës me prodhimet ruse, që do të rrisë me të madhe eksportin iranian të naftës. Kjo vjen si pasojë e progresit diplomatik në mes Iranit dhe fuqive botërore lidhur me çështjen e programit nuklear iranian. Ky relaksim i marrëdhënieve e ka

motivuar Rusinë që konkretisht të angazhohet lidhur me marrëveshje ekonomike me Iranin. Rusia nuk është e vetme, shumë shtete, transmeton Der Spiegel, duke përfshirë edhe shtetet anëtare të Bashkimit Evropian “nxitojnë” me investimet e tyre në Iran, pasi që diplomacia arriti të sjell zvogëlimin e tensioneve në mes Teheranit dhe Washingtonit.

 

         Sipas Reutersit, tri burime ruse dhe një burim iranian kanë konfirmuar se janë duke u biseduar detajet përfundimtare të planit, sipas të cilës Moska do të blejë 500.000 barel në ditë  naftë iraniane, për shkëmbim me prodhimet dhe pajisjet e ndryshme ruse.” Jemi duke arritur progres të duhur dhe së shpejti do të konfirmohet edhe dita e nënshkrimit të marrëveshjes pasi që të përfundojnë detajet që janë duke u biseduar”, ka cekur burimi rus. Nuk është e ditur se kjo marrëveshje a do të miratohet para ose pas përfundimit të bisedimeve lidhur me programin nuklear iranian. Gjatë këtyre ditëve kanë filluar bisedimet teknike në mes Iranit dhe Bashkimit Evropian  lidhur me çështjen e zgjidhjes dhe arritjes së marrëveshjes përfundimtare të programit nuklear iranian.

 

         Sanksionet amerikane dhe evropiane e kanë përgjysmuar eksportin e naftës iraniane, aktualisht në 1.000.000 barel naftë në ditë. Pasi që të realizohet marrëveshja me Rusinë, Irani do të jetë në gjendje të rris eksportin e naftës së vet për 50%, 500.000 barel në ditë më tepër, që do të sjell revitalizimin e duhur të ekonomisë së përmbysur iraniane nga sanksionet 10 vjeçare të aplikuara. Çmimi aktual i barelit të naftës është 100 dollar

( 1 barel= 159 litra). Nuk është e ditur për momentin se çfarë prodhime dhe pajisje do të merr Irani nga Rusia për shkëmbim për naftën iraniane.

 

Aktualisht Irani shumicën e naftës së vet e eksporton në Azi. Blerësi më i madh i naftës iraniane për momentin është Kina e cila importon 420.000 barel naftë në ditë, blerësit tjerë janë Japonia, Koreja Jugore, India, ndërsa  Turqia dhe Afrika Jugore kanë zvogëluar importin e naftës nga Irani për shkak të presionit të madh të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

 


            
Burimi: Reuters, Der Spiegel