Myftiu i Shkodrës Thërret në Islamin e Vërtet, të Jetohet si Imam Husejni !
( Pjesë nga hytbja e Xhumas në Xhamine Dy Vajzave në Shkodër – ligjërues Myftiu, Imam Muhamed B. Sytari )
Sot, bota islame duket se jeton në sinkron me ndodhitë e dhimbshme të vitit 61 h., kur në fushën e Qerbelasë (në Irakun e sotëm), u martirizua nipi i Resulull-llahut (a.s), Hz. Husejni, i biri i Hz. Aliut dhe Hz. Fatimesë.
Të nderuar besimtarë,
Mesazhi i kësaj jave, është një thirrje e fortë besimi dhe një garanci hyjnore për secilin prej nesh, për të jetuar me dinjitet dhe krenari fenë e tij, për ta dëshmuar pa ndrojtje vullnetin e dorëzimit para Zotit.
E vërteta e prapambetjes tonë si ymmet, qëndron pikërisht në faktin se ne harruam të lexojmë argumentet e fesë tonë, u zumë me këtë botë, me materializmin e saj, me gjërat e vogla të saj, me neglizhencën karshi madhështisë së fesë dhe krenarisë sonë shpirtërore!
Të dashurit e mi,
Sot, më shumë se kurrë kemi nevojë ta jetojmë Islamin në vetvete, ta dëshmojmë atë para botës, duke i ftuar të tjerët drejt përqafimit të Fjalës së Zotit, drejt dorëzimit para thirrjes së Tij.
Kësisoj, sot, më shumë se kurrë, tashmë që bota është ndezur nga gjakderdhja, vrasja e të pafajshmëve, djegia, imoraliteti dhe shthurja intelektuale, kthimi nga vlerat e besimit dhe fesë sonë është bërë një obligim që nuk lihet më pas dore!
Sot, bota islame duket se jeton në sinkron me ndodhitë e dhimbshme të vitit 61 h., kur në fushën e Qerbelasë (në Irakun e sotëm), u martirizua nipi i Resulull-llahut (a.s), Hz. Husejni, i biri i Hz. Aliut dhe Hz. Fatimesë.
Vrasja e dhimbshme e tij dhe tendenca për të shuar familjen e vajzës së të dërguarit (a.s), barazvlefshëm me vlerat praktike të Islamit të jetuar, duket se është kthyer në një mision të pasuesve të së keqes në çdo kohë, edhe në kohën tonë, kur Islami etiketohet si terror e dekadencë!?
Prandaj, kthimi ynë nga feja dhe angazhimi për ta jetuar jetën sipas vullnetit të Zotit, është mundësia e jonë e vetme për të shpëtuar nderin e humanizmit tonë dhe atë të përkatësisë sonë fetare, për t’u lartësuar në nivelin e “burrërisë” së besimit, për të cilin, ia vlen të jesh përherë “Husejn”!
Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër