Prizreni pajtohet për pritjen e refugjatëve eventualë sirianë
Prizren, 1 tetor – Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi të mërkurën ka mbajtur takimin e radhës, në të cilin janë diskutuar veprimet e institucioneve dhe mekanizmave të tjerë në Prizren në rast të paraqitjes së ndonjë fluksi të refugjatëve nga vatrat e krizave.
Me këtë rast është marrë vendimi për themelimin e një komisioni të veçantë shtatë anëtarësh, i cili do të merret me përgatitjen e masave të nevojshme për përballje me valën eventuale të refugjatëve. Po ashtu është thënë se do të kërkohet mbështetje edhe nga paqeruajtësit e KFOR-it, shkruan sot “Koha Ditore”.
Kryetari i Komunës, Ramadan Muja, ka kërkuar marrjen e masave të nevojshme për strehimin dhe kujdesin ndaj refugjatëve nga Siria dhe shtetet e tjera. “Institucionet duhet të jenë vigjilente për menaxhimin e të gjitha rasteve dhe duhet të jemi sa më të përgatitur edhe për fluksin e mundshëm te refugjatëve nga vatrat e luftës”, ka thënë ai.