Kosova

Kosova është factor i rëndësishëm në Samitin global kundër ISIS-t

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, thekson se pjesëmarrja e Kosovës në Samitin e Liderëve Global në Luftë kundër ISIS-t, dëshmon se Kosova është faktor i rëndësishëm në bashkësinë ndërkombëtare.

Mustafa thekson se gjatë qëndrimit në New York, ka takuar dhjetëra liderë të shteteve e organizatave ndërkombëtare, por edhe shteteve që ende nuk e kanë njohur Kosovën.

Ai po ashtu bën të ditur se është biseduar me përfaqësuesit e SHBA-ve edhe për modalitetet e transformimit të Forcës së Sigurisë në Forca të Armatosura të Kosovës dhe se për të gjitha çështjet, përkrahja e SHBA-ve për Kosovën është evidente.

U pyet Zoti kryeministri nga gazetarët ,pasi që sot ka marrë pjesë në punimet e Samitit të Liderëve Global në Luftë kundër ISIS-t, me ftesë të Presidentit Obama. Çfarë rëndësie ka kjo ngjarje për Kosovën?

Mustafa: Pikë së pari, ky samit ka rëndësi të madhe për shkak se ka tubuar në New York liderët e të gjitha shteteve partnere në koalicionin global kundër ISIS-it dhe terrorizmit në përgjithësi. Është rast i mirë për të vlerësuar rezultatet tona, për të shkëmbyer përvojat por edhe për të koordinuar hapat e mëtutjeshëm në këtë luftë që bota demokratike po e bën kundër të keqes, e cila po sfidon humanizmin dhe vlerat më të çmuara demokratike.

Së dyti, pjesëmarrja e Republikës së Kosovës në këtë samit, me ftesë të Presidentit Obama, dëshmon faktin se Kosova çdo ditë e më shumë po e merr rolin që i takon në kuadër të bashkësisë ndërkombëtare, është faktor i rëndësishëm dhe me subjektivitetin e saj shtetëror, po jep kontribut në kuadër të përpjekjeve të përbashkëta botërore.