Shqipëri

Myslimanët shqiptar kremtojnë festën e Kurban Bajramit

Qindra-mijëra besimtarë myslimanë shqiptarë  kremtuan sot festën e Kurban Bajramit. Kjo ditë dhe festimet që lidhen me të, shënojnë flijimin dhe sakrificën e njeriut në emër të besimit ndaj Zotit dhe në emër të dashurisë për njeriun.

Në orët e para të mëngjesit të sotëm, mijëra besimtarë muslimanë kanë mbushur bulevardin Dëshmorët e Kombit për të kryer faljen e namazit të Kurban Bajramit.

Kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Skender Bruçaj, përveç se ka uruar te gjithë besimtarët myslimanë anembanë ka kujtuar domethënien e kësaj feste, mirësinë, harmoninë dhe faljen, ndaj që duhet të ekzistojë ndaj njeri-tjetrit.

Të nderuar vëllezër dhe motra, më lejoni që në emër të Komunitetit Mysliman, por edhe në emrin tim personal, t'ju uroj gëzuar festën e Kurban Bajramit. Kjo ditë e bekuar, dita e sakrificës, në konceptin njerëzor, është shumë më e madhe dhe më e begatë në aspektin hyjnor. Është dita e bashkëpunimit, e mirësisë dhe e vëllazërimit, dita e mirënjohjes dhe e begative të panumërta, të cilat Allahu i Madhërishëm, ia dhuron njerëzimit me dëshirën dhe vullnetin e tij. Kurban Bajrami është dita kur ne shërojmë plagët që i kemi shkaktuar njëri-tjetrit me buzëqeshje, dashamirësi dhe

 vëllazëri, tha Skender Brucaj.

Nënkryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Bujar Spahiu uroi të gjithë shqiptarët, duke theksuar se njerëzit shtrijë dorën e pajtimit, derisa çdo shtëpi dhe familje është e mbushur me gëzim dhe hare.

Një tjetër simbolikë e kësaj feste është bërja kurban e kafshëve dhe shpërndarja e mishit në familjet e varfra, që nuk kanë mundësi të bëjnë kurban në këtë ditë të madhe të myslimanëve, e cila përmbyllet me drekën tradicionale, që bashkon miq e të afërm në tryezat myslimane.

Myslimanët në Shqipëri si homologët e tyre në vende myslimane mishin e Kurbanit e shpërndajnë të fukarave, atyre që kanë nevojë.

Pas kryerjes së namazit të Kurban Bajramit, familjet shkëmbejnë vizita dhe urime si shprehje e paqes, dashurisë dhe solidaritetit me njëri-tjetrin.

Edhe këtë radhë, namazi i Kurban Bajramit nga besimtarët myslimanë është kryer në bulevardin Dëshmorët e Kombit, në pritje për zgjidhjen e ngërçit për ndërtimin e Xhamisë së Madhe në kryeqytet, në Tiranë.