Bosnja po përballet me frikën e videove kërcënues
Portali boshnjak i ashtuquajtur “Shpata e së vërtetës”, ka prezantuar edhe një video kërcënuese nga terroristët boshnjak në Siri e Irak, që janë në rradhët e ISIS-it. Këtë video nuk mund ta shohim pasi që portali është bllokuar para disa ditëve, menjëherë pasi është dalë në transmetim.
Terroristët thonë se Bosnja “nuk është e vetëdijshme se çfarë e pret”. Tash për tash, nuk është e qartë se kush qëndron prapa kërcënimeve, por ato vijnë paralelisht me publikimin e një DVD-je propaganduese, e cila thuhet se është bërë me regjinë e militantëve të Shtetit Islamik dhe përmban udhëzime dhe kërkesa të ndryshme për myslimanët në Bosnje, Kroaci, Serbi dhe Mal të Zi.
Thirrjet e këtij lloji, me ligjet aktuale të Bosnjës, janë të dënueshme dhe, për këtë arsye, në Gjykatën e Bosnjës po gjykohet Husein Bilal Bosniq.
Ai akuzohet për propagandë dhe përhapje të radikalizmit si në Bosnje, ashtu edhe në rajon, si dhe për nxitje publike për t’u bashkuar me organizatat terroriste. Bosniq është arrestuar vitin e kaluar në operacionin e quajtur “Damask”, ndërsa gjykimi i tij ka nisur këtë vit.
“Nuk ka njeri që nuk ka dëgjuar për muxhahedinët. Është për keqardhje që ne nuk jemi me ta. Lusim Allahun që të na bëjë shehidë”, ka thënë Bosniq.
Është zbuluar po ashtu se Bosniq ka marrë fonde të konsiderueshme nga vendet arabe, ndërsa Prokuroria e Bosnjës beson se paratë kanë pasur për qëllim financimin e rekrutimit të të rinjve nga Bosnja, për të luftuar në anën e Shtetit Islamik.
Masat e sigurisë në Bosnje janë rritur ndjeshëm qysh pas sulmit në një stacion policor, në muajin prill, në Zvornik të Republika Sërpskës.