Marrëveshje në Bruksel mospajtime në Kosovë
Media e lirë – Marrëveshjet që bëhen me krerët e shtetit të Kosovës dhe atyre të Serbisë, janë shndërruar në lojë dhe zbavitje zyrtare qeveritare, të cilat telekomandohen nga lartë. Ndërsa masa e popullit as që është njoftuar se çfarë është duke ndodhur, ngase janë kapluar nga një heshtje naive dhe kanë dertin e mbijetesës, e nga ana tjetër opozita paralajmëron protesta ende pa u takuar kryeministri Isa Mustafa dhe Aleksander Vuçiqi në Bruksel.
Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa dhe kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, pritet të takohen javën e ardhshme 25 gusht në Bruksel për të vazhduar dialogun Kosovë-Serbi, të nisur tash e disa vjet më parë.
Shefja e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini, i ftoi që të mos humbasë më koha dhe të nënshkruhen disa marrëveshje. Pikat e finalizimit të marrëveshjes do të jenë :
· Lëvizja e lirë e qytetarëve serb
· Përcaktimi i kodin telefonik dhe
· Marrëveshja për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Kryeministrit i Kosovës Isa Mustafa, synon që këto marrëveshje të nënshkruhen në paketë.
“Mendojmë që të gjitha këto çështje t'i përgatisim dhe t'i arrijmë si pako. Flitet vetëm për parimet themelore, e jo për statusin dhe për detajimin e asaj se si do të duket asociacioni. Do të thotë, parimet themelore për asociacionin, kodin telefonik që është kryer, në qoftë se ndërkohë nuk është penduar dikush, pastaj do ta kemi çështjen e energjisë dhe çështjen e urës mbi Ibër”, thotë kryeministri Mustafa. Sipas tij, Prishtina zyrtare tashmë i ka dhënë qëndrimet veta rreth këtyre çështjeve dhe ato i ka dërguar në Bruksel.
“Ne ia kemi dhënë qëndrimet tona edhe zyrës së zonjës Mogherini, se ne dëshirojmë që vetëm si pako ta arrijmë këtë. Do të nënshkruhet veç e veç secila nga marrëveshjet, por jo që njëra prej marrëveshjeve të mbetet më vonë, sepse pastaj dyshohet, që nëse mbetet diçka më vonë, ajo do të stërzgjatet dhe është vështirë të trajtohet”, thotë kryeministri Isa Mustafa.
“Zakonisht metodologjia e BE-së në këtë dialog mund të përkufizohet si një rol lehtësues, deri tash nuk kanë imponuar ndonjë zgjidhje arbitrazhi, por BE-ja angazhohet që të gjendet zgjidhje që në të vërtetë të dyja palët do të jenë të kënaqura. Besoj se edhe kësaj radhe do të jetë një proces negociatash ndërmjet BE-së dhe të dyja palëve Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që të shihet se cila do të ishte ajo zgjidhje e pranueshme”, thotë Edita Tahiri.