Krerët fetarë përkrahin anëtarësimin në UNESCO
Këtë javë u dërgua kërkesa për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO nga Zv/Kryeministri i Kosovës dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi. Gjithashtu, populli i Kosovës i është mirënjohës përkrahjes së mrekullueshme nga krerët e bashkësive fetare në Kosovë të cilët u bënë bashkë për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën e Kulturën.
Letrën e kanë nënshkruar Myftiu Naim Tërnava, kryetar i Bashkësisë Islame të Kosovës, Dr. Don Lush Gjergji, Vikar i Përgjithshëm i Kishës katolike në Kosovë, Pastori Driton Krasniqi, kryetar i Kishës Protestante Ungjillore të Kosovës, Sheh Lulzim Shehu, Bashkësia e Sufi Tarikateve të Kosovës, Baba Mumin Lama, kryetar i Komunitetit Bektashian në Kosovë, dhe Votim Demiri, kryetar i Bashkësisë Hebraike në Kosovë.
Në vazhdim po ua përcjellim një pjesë të letrës së nënshkruar nga krerët e bashkësive fetare në Kosovë.
E nderuara znj. drejtoreshë e përgjithshme,
Ne po ju drejtohemi në emër të shumicës dërrmuese të të gjitha bashkësive fetare në Kosovë, që përfaqësojnë 96% të të gjithë popullsisë së Kosovës. Luteni ta konsideroni këtë letër si një argument shtesë për mbështetjen tuaj dhe anëtarësimit të Kosovës në UNESCO.
Kosova ka qenë gjithmonë në udhëkryq të qytetërimeve, perandorive dhe feve. Edhe sot, edhe pse pjesa më e madhe banorëve e konsiderojnë veten myslimanë sunitë, prania e fuqishme historike bashkësive krishtere ortodokse, katolike, myslimane bektashiane, sufi myslimane, protestante ungjillore dhe hebraike, dhe bashkësitë e tjera, pasurojnë vendin tonë të përbashkët që ne e quajmë Kosovë. Ne konsiderojmë se jemi vërtetë të bekuar me këtë thesar.
Ne e përqafojmë harmoninë dhe bashkëpunim historik ndërfetar, megjithëse një luftë e egër shkatërroi vendit tone vetëm 16 vite më parë. Kosova është vendi ku një vajzë e re me emrin Gonxhe Bojaxhiu u zotua për herë të pare për t’u bërë Nënë Tereza e të gjithë njerëzimit dhe ku familjet fisnike shqiptare myslimane i fshehën hebrenjtë për t’i shpëtuar nga Shoah apo Holokausti.
Ne shpresojmë se ju do të bëni çmos për të mbështetur anëtarësimin e Kosovës në UNESCO. Lënia e qytetarëve tonë të izoluar dhe pa qasje të drejtpërdrejtë në UNESCO nuk do të ndihmojë kauzën e mbrojtjes së trashëgimisë sonë të përbashkët, promovimin e dialogut ndërfetar dhe qasjen gjithëpërfshirëse ndaj të gjithë njerëzve që përqafojnë paqen anembanë botës. Ju gjithashtu duhet të keni parasysh se popullsia e Kosovës është shumë e re dhe ka nevojë për arsim të mirë, qasje në shkencë dhe e lidhje me kulturën botërore.