Bankat komerciale rrjepin qytetarët pasurohen nga të varfëritë
Media e lirë - Në Kosovë veprojnë një numër i madh i bankave komerciale të cilat pasurohen me normat e larta të kredive për të cilat thuhet se janë më të larta në Evropë si dhe aplikojnë standarde të dyfishta gjatë procesit të dhënies së kredive për qytetarë dhe bizneset në vend. Qytetarët thonë: përderisa Eurozona ka një nivel inflacioni prej 1.85% dhe niveli i kamatave nuk e kalon 5%, atëherë pse bankat në Kosovë nuk aplikojnë të njëjtën metodologji të uljes së kamatave por shkojnë me kamate mbi 10% e me gjoba të papërballueshme që i fusin qytetarët në mjerime dhe sëmundje psikike.
Bazuar në të dhënat e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), gjatë tremujorit të parë 2015, neto profiti i realizuar deri në mars shënoi vlerën 19.9 milionë euro, krahasuar me vlerën prej 9.8 milionë euro të regjistruar deri në mars 2014.
Emanuel Bajra, njohës i sistemit bankar-financiar, analist i derivateve, bonove dhe fondeve “Hedge”, me punë në “City of London”, në Londër, thotë se përderisa Eurozona ka një nivel inflacioni prej 1.85% dhe niveli i kamatave nuk e kalon 5%, atëherë pse bankat në Kosovë nuk aplikojnë të njëjtën metodologji të uljes së kamatave.
Ndërkaq, drejtori i Shoqatës së Bankave të Kosovës, Petrit Balija, thotë se bankat duhet t’i respektojnë të gjitha këto ligje sa i përket shpalosjes së normës efektive të interesit dhe informatave të tjera që parashihen me ligj. Ai po ashtu tregon se ka raste kur BQK-ja i ka gjobitur bankat varësisht nga shkeljet që ato kanë bërë.
Në anën tjetër , Besnik Kada, zyrtar për informim në BQK, tha përmes përgjigjeve elektronike se çdo herë kur BQK konstaton se bankat nuk janë në pajtueshmëri me legjislacionin në fuqi, vepron konform kompetencave që dalin nga Ligji i BQK-së dhe Ligji për banka, institucione mikro financiare dhe institucioneve financiare jobankare.
Ndryshe, të dhënat e BQK-së, tregojnë se kreditë e bankave për periudhën tre mujore të këtij viti kanë arritur vlerën prej gjithsej 1.90 miliardë euro, që paraqet rritje vjetore prej 4.3 për qind. Duke arritur vlerën prej 216.3 milionë euro, gjithsej kreditë e reja të lëshuara gjatë tremujorit të parë 2015 u karakterizuan me rritje vjetore prej 8.4 për qind. Ndërsa Norma mesatare e interesit në kreditë ndaj ndërmarrjeve dhe ekonomive familjare në mars 2015 u zvogëlua në 8.9 për qind nga 11.3 për qind sa ishte në mars 2014.