Gjermani

Fondacionit gjerman «Friedrich Ebert» anketon azilantët shqiptarë

Çfarë i brengos të rinjtë kosovarë? Papunësia (95 për qind) dhe «varfëria në rritje» (93 për qind). Ata nuk i besojnë as Misionit të OKB-së, as atij të BE-së. Imazhi i misioneve ndërkombëtare në Kosovë është në fund të pusit.

Qindra-mijëra të rinj nga Ballkani duan të largohen nga vendet e tyre dhe të gjejnë strehë në botën perëndimore. Në krye të listës që duan t’ia kthejnë shpinën atdheut janë shqiptarët nga Kosova dhe Shqipëria, shkruan gazeta gjermane «Frankfurter Allgemeine Zeitung». Një studim i Fondacionit gjerman «Friedrich Ebert» jep shpjegime të rëndësishme për arsyet e ikjes.

Vetëm gjatë korrikut në Gjermani kanë kërkuar azil shtatë mijë persona nga Shqipëria. Nga viti 2011 deri më sot  janë anketuar gati 10 mijë të rinj në tetë shtete të rajonit mbi planet e tyre për të ardhmen dhe mbi vlerat në të cilat besojnë.

-       Jeta nga Gjakova, 26-vjeçare, thotë se arsyeja e vetme për t’u anëtarësuar në një parti në Kosovë është gjetja e një vendi të punës. Shumica e të rinjve në Kosovë është e bindur se nëse nuk je anëtar i një partie që është në pushtet, nuk ke shans të gjesh një vend pune. thotë Jeta.

Sipas studimit në krye të listës dëshpëruese është Shqipëria. Dy të tretat e të rinjve dhe të të rriturve të moshës së re në Shqipëri thonë se «sipas të gjitha gjasave» do ta braktisin vendin ose «ka gjasa të mëdha» se do të largohen nga vendi i tyre.

Edhe në Kosovë dhe Maqedoni më shumë se gjysma e qytetarëve të rinj duan të ikin. Në Bosnjë çdo i dyti mendon të largohet. Në Bullgari 42,5 për qind dhe në Rumani 39,9 për qind. Të dy këto vende janë anëtare të Bashkimit Europian.

-       Të rinjtë serbë në Kosovë, ndërkaq, nuk kanë problem nëse fqinji i tyre është rom, por ata s’duan të jetojnë afër një fqinji amerikan apo homoseksual.

-       Ndonëse nuk janë aspak tolerantë, 94 për qind e të rinjve kosovarë duan që Kosova të bëhet pjesë e Bashkimit Europian. E kundërta është konstatuar te serbët e Kosovës: vetëm një për qind e tyre e sheh pozitivisht BE-në.

-       Gati 70 për qind e nxënësve dhe studentëve kosovarë janë të bindur se në shkollën apo universitetin e tyre diplomat blihen «shpesh» apo së paku «nganjëherë».

-       Çfarë i brengos të rinjtë kosovarë? Papunësia (95 për qind) dhe «varfëria në rritje» (93 për qind). Ata nuk i besojnë as Misionit të OKB-së, as atij të BE-së. Imazhi i misioneve ndërkombëtare në Kosovë është në fund të pusit.

Më tutje «Frankfurter Allgemeine Zeitung» duke iu referuar studimit të Fondacionit «Friedrich Ebert» shkruan: Kosova është një shoqëri fuqishëm e orientuar nga familja dhe patriarkale, dhe kjo është kështu edhe te gjeneratat e reja.

-       “Shumica dërmuese e tyre e shohin martesën dhe krijimin e familjeve si plane të tyre për të ardhmen”, ka treguar studimi.

-       Gati 98 për qind e të rinjve e shohin familjen si synimin më të rëndësishëm në jetë, pothuaj të gjithë të rinjtë kosovarë duan të kenë fëmijë, gati dy të tretat duan të kenë së paku tre fëmijë. Por vetëm me një partner nga populli i tyre.

-       “Pajtimi i familjes për martesë është shumë i rëndësishëm”, thotë Vjollca, një 18-vjeçare nga Prishtina.

-       “Prindërit e mi kurrë nuk do ta pranonin nëse unë do të martohesha me një burrë të një nacionaliteti apo feje tjetër”.

Të pyetur përse duan të emigrojnë, 88 për qind e të rinjve si arsye përmendin nivelin më të lartë të jetesës, arsimimin më të mirë dhe në përgjithësi mundësitë më atraktive ekonomike në botën e jashtme.

-       Në mesin e kosovarëve nuk është Gjermania caku kryesor i emigrimit, por Zvicra.

-       Caku i dytë më i preferuar i shqiptarëve të Kosovës për të emigruar janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës (18 për qind), tek në vendin e tretë pason Gjermania (16 për qind).

Shumica e të rinjve nuk duan të jenë lypës apo azilantë në botën e jashtme, por shpresojnë që përmes familjarëve të shpërngulur atje të krijojnë një ekzistencë të re».