Në ISIS nuk ka asgjë islame dhe as shqiptare, por janë vetëm antiislamist të përbetuar
Pjesë
nga opinioni i Kryetarit të Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonis ztr. Sulejman Rexhepit.
Në atë “shtet islamik” të ISIS-it nuk ka asgjë islame, as shqiptare, as boshnjake e as turke. Në atë “shtet” ka vetëm akte terroriste, ka amoralitet, ka manipulime, ka mercenarizëm, ka turp e tmerr për çdo fe e për çdo komb.
Së fundmi, për fatin e keq të muslimanëve të mirë që janë me miliarda të tillë, kjo tendencë ka marrë hov dhe, në emër të islamit po kryhen veprime dhe po zhvillohet një propagandë nga më të egrat dhe më të ndyrat kundër kësaj feje. Një grup rrebelësh, kriminelësh dhe antiislamistë të përbetuar, u ka vajtur mendja që të krijojnë “shtet islamik” duke operuar e vepruar mizorisht në disa vendbanime irakiane dhe të Sirisë. Ata në atë pjesë të shteteve arabe kanë instaluar “sheriatin” e tyre duke thirrur dhe duke pranuar në radhët e tyre mbrojtës të këtij “sheriati” kriminelë nga e tërë bota, njerëz të pistë që nëpër shtetet e tyre kanë probleme me ligjin por, ka edhe nga ata që, të manipuluar deri në palcë kalojnë vullnetarisht në taborrin e mercenarëve.
Tërë bota demokratike është ngritur kundër ISIS-it, tërë bota arabe e lufton këtë organizatë terroriste, nuk ka njeri normal që shpreh simpatinë ndaj veprimeve të pjesëtarëve të kësaj organizate të cilët, dita ditës po shpërfytyrohen në xhelatë të regjur. Në bazë të të dhënave nga shërbimet inteligjente me relevancë botërore flitet se, në radhët e ISIS-it që po na u angazhuaka për një shtet të mirëfilltë islam (!), ka rusë e pjesëtarë të tjerë të ish-Bashkimit Sovjetik, ka serbë anglezë, ka holandezë, francezë, italianë, gjermanë pra, ka edhe shqiptarë, të cilët e kanë kënaqur me islamin në vendet e tyre dhe tani ka ngelur që të flijohen për “shtetin islamik”.
Asnjë nga produksionet propagandistike më të zhvilluara në botë nuk do të mund ta lakuriqësonin qëllimin e këtyre terroristëve se sa vetë klipet e tyre që i bëjnë për të dëshmuar se çfarë xhelatësh dhe çfarë kriminelësh që janë. Me plotë gojën “Allahu ekber”, pra, në emër të Allahut. ia heqin kokën krijesës së Allahut, mëkëmbësit të Tij në këtë botë! Madhështia e islamit, veç tjerash, reflektohej edhe nga sjelljet jashtëzakonisht humane dhe të papara deri atëherë në historinë e njerëzimit të Muhamedit a.s. në raport me robërit e zënë gjatë luftimeve me armiqtë e atëhershëm të islamit. Veprimet kriminele, amorale, imorale, jonjerëzore, shtazarake e të paimagjinueshme nga truri i shëndoshë, flasin se pjesëtarët e ISIS-it nuk janë asgjë tjetër përveç armiqtë më ogurzi dhe më të pashpirtë të islamit.
Dhuna nuk pranohet, lufta nuk pranohet, me përjashtim nëse zhvillohet për t’u çliruar nga robërimi. Sot, pas çlirimit të Kosovës, nuk ka shtet në botë që është i robëruar. Dikush mbase ka menduar se, përmes “shpalljes së shtetit islamik”, përmes luftimit shumë të arsyeshëm të kësaj ideje. do të arrihet ajo “luftë e qytetërimeve”, lufta e të gjithëve kundër islamit. Këtyre planifikusve naivë nuk u doli hesapi i shtëpisë në pazar! Mbarë bota, të gjithë popujt, pavarësisht ngjyrave dhe përkatësive fetare, u rreshtuan në luftë kundër kësaj “murtaje” që po u kanoset, sidomos muslimanëve në emër të “islamit
Vetë Presidenti amerikan, Barak Obama, i është drejtuar mbarë botës duke i lutur që në asnjë mënyrë mos ta përceptojnë islamin si fe radikale, në asnjë mënyrë nuk guxojnë ta identifikojnë fenë islame me organizatën terroriste ISIS. Edhe vetë Ati i Shenjtë pat deklaruar se do ta mërzis pamasë çdo kush që do ta identifikojnë islamin me këtë organizatë monstër.
Në atë “shtet islamik” të ISIS-it nuk ka asgjë islame, as shqiptare, as boshnjake e as turke. Në atë “shtet” ka vetëm akte terroriste, ka amoralitet, ka manipulime, ka mercenarizëm, ka turp e tmerr për çdo fe e për çdo komb.