Lufta botërore për ndaljen e Isis
Një numër i madh njerëzish në mbarë botën mbështesin si drejtimin e ri të politikës amerikane të mbrojtjes ndaj Azisë, edhe fushatën ushtarake kundër grupit Shteti Islamik
Sipas një ankete të re, një numër i madh njerëzish në mbarë botën mbështesin si drejtimin e ri të politikës amerikane të mbrojtjes ndaj Azisë, edhe fushatën ushtarake nën drejtimin e Shteteve të Bashkuara kundër grupit Shteti Islamik. Të dyja këto çështje janë në qendër të politikës së jashtme amerikane.
Sipas anketës së zhvilluar nga Qendra Kërkimore Peë, e cila u bazua në 40 vende të botës, vlerësimi i përgjithshëm për Shtetet e Bashkuara është kryesisht pozitiv, me një mbështetje mesatare në shkallë botërore prej 69 për qind.
Këto shifra mund të interpretohen si një sukses nga administrata Obama, e cila erdhi në pushtet në vitin 2008, me premtimin për të përmirësuar imazhin global të Shteteve të Bashkuara, pjesërisht për faktin që i dha fund ndërhyrjeve ushtarke në Afganistan dhe në Irak.
Por për shkak të përparimit të shpejtë të ekstremistëve islamikë në Irak dhe në Siri, Shtëpia e Bardhë është përfshirë përsëri në rajon, ku Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë një fushatë sulmesh ajrore dhe po përpiqen të stërvisin forcat që i shohin si aleate.
Reagimi botëror për fushatën ajrore duket kryesisht pozitiv. Sipas anketës së organizatës Peë, mesatarisht 62 për qind e njerëzve në shkallë botërore mbështesin veprimet ushtarake të Shteteve të Bashkuara kundër Shtetit Islamik, ndërsa vetëm 24 për qind e njerëzve i kundërshtojnë ato.
Po sipas anketës, vendimi i Shteteve të Bashkuara për t’i dhënë një përparësi ushtarake më të madhe rajonit të Paqësorit, ku shumë vende thonë se përballen me fuqizimin në rritje ushtarak dhe ekonomik të Kinës, mbështetet nga shumica e njerëzve.
51 për qind e të anketuarve në shkallë globale e mbështesin shtimin e burimeve ushtarake për Azinë dhe vetëm 34 për qind janë kundër. Mbështetja për këtë kthim të vëmendjes amerikane ndaj Azisë, sipas anketës, ishte më e madhe në Filipine, Vietnam dhe Japoni, vende të cilat kanë mosmarrëveshje territoriale me Kinën.
Si pasojë e kësaj, shteti Islamik ka filluar një ofensivë të re ndaj qytetit kufitar sirian të Kobanit që është nën kontrollin e kurdëve, një nga tre sulmet madhore në vend sot.
Herët në mëngjes në pikëkalimin kufitar të Kobanit me Turqinë, u krye një sulm vetëvrasës me bombë, sipas Vëzhguesit Sirian për të Drejtat e Njeriut që thotë se dhjetra vetë humbën jetën ose u plagosën në luftime.
Organizata me qendër në Britani tha më pas se luftëtarët e Shtetit Islamik ekzekutuan të paktën 20 civilë kurdë, përfshirë gra dhe fëmijë në qytetin e Barkh Butanit, në jug të Kobanit.
Luftëtarët kurdë të mbështetur nga goditjet ajrore amerikane morën nën kontroll Kobanin në janar, pas muajsh luftimesh me forcat e Shtetit Islamik. Kjo u konsiderua si një fitore e rëndësishme, simbolike në luftën kundër Shtetit Islamik.
Po sot, Vëzhguesi Sirian njoftoi se forcat e Shtetit Islamik morën nën kontroll dy lagje nga forcat qeveritare në qytetin verilindor të Hasakas. Burime ushtarake siriane e kanë mohuar këtë njoftim dhe thonë se forcat qeveritare e zmbrapsën sulmin xhihadist, sipas agjencisë Reuters.
Kontrolli i Hasakas është i ndarë mes forcave kurde dhe atyre qeveritare siriane. Qyteti është sulmuar vazhdimisht nga Shteti Islamik.
Ndërkohë, një koalicion kryengritësish i njohur si Aleanca e Frontit të Jugut sulmoi pozicionet e qeverisë sot në qytetin jugor të Daraas, në një ofensivë që duket se do të zgjasë.
Vëzhguesi siriane njoftoi për përleshje të ashpra dhe zjarr artilerie në Daraa, ku filloi kryengritja kundër Presidentit Bashar al-Assad në vitin 2011. Agjencia zyrtare Siriane Arabe e lajmeve konfirmoi luftimet duke thënë se gjashtë vetë humbën jetën dhe 13 u plagosën.
Nuk pati njoftime të tjera të menjëherëshme për suksesin e ofensivës së Frontit Jugor që përbëhet nga 54 grupe kryengritëse dhe ka thënë prej muajsh se di të ndërmerrte një sulm të ashtuquajtur “Stuhia Jugore” në atë zonë.
Aleanca përfshin luftëtarë nga Ushtria e Lirë Sirianë që tani thuajse nuk ekziston. Ata janë stërvitur dhe armatosur nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj. Por koalicioni që përfshin edhe grupe islamike, nuk ka arritur të sigurojë mbështetje të plotë nga Perëndimi.
Luftimet në Siri kanë shkaktuar vdekjen e mbi 220 mijë vetëve që kur filloi konflikti në mars 2011.