Vetëvendosja LVV – nuk duhet shkelur vota e lirë e deputetëve
Media e lirë - Pothuajse një muaj të plotë që nga paraqitja e nevojës së themelimit të Gjykatës Speciale për gjykimin e krimeve të luftës në Kosovë, në parlamentin e Kosovës edhe pse me shumicë votash u vendos për mos themelimin e kësaj gjykate, prapë se prapë insistimet e njëpasnjëshme nga jashtë Kuvendi i Kosovës, luftojnë pakthyeshmërisht integritetin institucional të vendit dhe fuqinë e vendimeve të organit më të lartë legjislativ në vend, Kuvendit. Njëkohësisht paraqet shkelje të votës së lirë të deputetëve.
Vetëvendosje thotë se Kuvendi i Republikës së Kosovës ka refuzuar miratimin e Amendamentit kushtetues për themelimin e Dhomave të specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar (Nenin 162) dhe ky vendim sipas tyre është legjitim, fuqiplotë dhe i pandryshueshëm.
Vetëvendosje në komunikatën e saj thotë se cilado tendencë e Ekzekutivit për ta riproceduar dhe rivotuar këtë Amendament është shkelje e papranueshme e parimit bazë të demokracisë dhe ndarjes së pushteteve.
Kjo, siç thotë Vetëvendosje e rrezikon “Kundërshtimi i themelimit të Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar përmes këtij Amendamenti kushtetues është i drejtë, legjitim dhe në mbrojtje të drejtësisë universale dhe sovranitetit të Republikës e integritetit institucional të saj. Një mbrojtje e tillë e integritetit institucional dhe parimeve universale karshi drejtësisë selektive është detyrë e secilit deputet pavarësisht subjektit që i përket a qëndrimit të tyre politik karshi çështjes. Aq më tepër bëhet e rëndësishme në këtë kohë të shpërfilljes flagrante që Ekzekutivi po ia bën autonomisë së Legjislativit dhe vendimeve të tij”, thuhet në komunikatën e Vetëvendosjes.
Deputetët e Kuvendit të Republikës që e kanë kundërshtuar Amendamentin kushtetues sipas Vetëvendosjes kanë vendosur drejt sepse kanë vendosur për Republikën e Kosovës si shtet sovran, për drejtësi universale dhe për barazi para ligjit.
“Ky vendim është në përputhje me vullnetin politik të popullit të Kosovës dhe në përputhje me interesat e tij. Ky vendim është një hap jashtëzakonisht i rëndësishëm drejt kthimit të institucioneve të Republikës kah interesat publike e shtetërore kundër nëpërkëmbjes e imponimit. Republika e Kosovës dhe populli i Kosovës kanë nevojë për deputetë që e mbrojnë atë dhe ia mbrojnë interesat atij, për deputetë që punojnë për qytetarët dhe në të mirë të tyre. Kuvendi i Republikës do të ketë nevojë përherë për deputetë të tillë”, thuhet në këtë komunikatë të VV-së.