Kulturë

Botim i ri në fushën e jurispudencës islame

Doli nga shtypi botimi i gjashtë i Librarisë Dielli, libri Namazi sipas mësimeve të Ehl-i Bejtit nga autori Abdullah Turan.

Kjo vepër është një libër i plotë dhe i hollësishëm mbi namazin, duke u mbështetur në mësimin e trashëguar nga Ehl-i Bejti i të Dërguarit të Zotit (s.a.a). Në të, përveç rregullave dhe hollësive të namazit, autori i jep një hapësirë të konsiderueshme edhe rëndësisë, kuptimit dhe ndikimit të tij, në kontekstin e akteve të adhurimit, mes të cilëve namazi zë një pozitë qendrore.

E pajisur me qindra thënie nga i Dërguari i Zotit (s.a.a) dhe nga Imamët e Ehl-i Bejtit, kjo vepër është njëherit edhe një pasqyrë e thellësisë shpirtërore të mësimit të mirëfilltë islam, në të cilin namazi, përtej të qenit një veprim i jashtëm fizik, është simboli më sipëror i dorëzimit karshi vullnetit hyjnor dhe elementi më jetik i rrugëtimit të njeriut drejt përsosurisë.

Botuese e veprës është Libraria Dielli (
www.dielli.net), biblioteka e parë digjitale në gjuhën shqipe (themeluar në vitin 2002) dhe një shoqatë jofitimprurëse, e përqëndruar në përkthimin dhe botimin në shqip të materialeve nga lëmej të ndryshëm të trashëgimisë islame (teologji, histori, filozofi, gnosë, jurispudencë, shkencë, art etj.) me qëllim të krijimit të një biblioteke të pasur që do t’i shërbente zhvillimit intelektual e shpirtëror të publikut shqipfolës.

 

Si të gjithë projektet e deritanishme të Librarisë Dielli, edhe ky libër është një shërbim jofitimprurëse dhe mund të porositet falas në faqen http://dielli.net/order.php.