Deklarata e përbashkët e Zarif dhe Mogherini pas bisedimeve bërthamore Iran-Grupi 5+1
Vjenë, Austri
Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës Islamike të Iranit dhe shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian kanë lexuar deklaratën përfundimtare të bisedimeve bërthamore të Iranit dhe Grupit 5+1 në Vjenë.
Deklarata e përbashkët e shefes së diplomacisë së BE-së, Federika Mogherini dhe e Ministrit të Punëve të Jashtme të Iranit, z. Muhamed Xhevad Zarif është si vijon:
Sot është një ditë historike. Për ne është një nder i madh që me këtë rast të deklarojmë se kemi arritur një marrëveshje rreth çështjes së programit bërthamor të Iranit. Me guxim, vullnet politik, respekt reciprok dhe me administrim të lartë, ne kemi arritur ta përfundojmë atë që pritej nga bota: një zotim i përbashkët për paqe dhe përpjekje të përbashkëta për ta bërë më të sigurt botën tonë.
Sot, gjithashtu, është një ditë e madhe historike, për arsye se ne jemi duke krijuar kushtet e nevojshme për mirëbesim dhe për krijimin e një kapitulli të ri në marrëdhëniet tona. Ky rezultat është produkt i përpjekjeve të përbashkëta. Askush nuk mendonte se kjo do të jetë një punë e lehtë. Vendimet historike kurrë nuk janë të lehta. Mirëpo, pavarësisht të gjitha baticave dhe zbaticave të këtij procesi të bisedimeve dhe vazhdimit të afatit të bisedimeve disa herë, optimizmi dhe vullneti na mundësuan neve që të ngadhënjejmë mbi të gjitha çastet e vështira. Ne gjithnjë kemi qenë të vetëdijshëm se kemi përgjegjësi përballë gjeneratës aktuale dhe brezave të ardhshëm.
Me bashkëpunim konstruktiv të të gjitha palëve dhe me kapacitetet e ekipeve tona negociatore, ne përfunduam me sukses bisedimet dhe kemi zgjidhur mosmarrëveshjet të cilat kanë zgjatur mbi 10 vite. Gjatë dekadës së kaluar kanë luajtur rol shumë funksionarë në zhvillimin e këtyre bisedimeve dhe ne i falënderojmë të gjithë ata.
Me këtë rast, gjithashtu, vlerësojmë edhe kontributin dhe bashkëpunime e ANEA e cila ka luajtur një rol themelor në këtë drejtim, si dhe falënderojmë qeverinë e Austrisë për përkrahjes që ka dhënë në organizimin e këtyre bisedimeve.
Ne, përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për çështje të politikës së jashtme dhe sigurisë, si dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës Islamike të Iranit së bashku me ministrat e punëve të jashtëm të Republikës Popullore të Kinës, Francës, Gjermanisë, Federatës së Rusisë, Anglisë dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pas shumë muajsh veprimesh intensive në nivel dhe forma të ndryshme, jemi mbledhur në Vjenë për të biseduar rreth tekstit të Programit Gjithëpërfshirës për Hapa të Përbashkëta në bazë të kritereve themelorë për të cilat kemi rënë dakord gjatë këtij viti në Lozanë të Zvicrës.
Sot ne kemi rënë dakord për tekstin përfundimtar të Programit Gjithëpërfshirës për Hapa të Përbashkëta. Grupi 5+1 dhe Republika Islamike e Iranit mirëpresin këtë Program Gjithëpërfshirës për Hapa të Përbashkëta si një e arritur historike e cila garanton vetëm natyrën paqësore të programit atomik të Iranit dhe tregon ndryshimin themelor në qasjen e tyre ndaj kësaj çështje. Ata presin që zbatimi plotësisht i këtij programi të luaj një rol pozitiv në vendosjen e paqes dhe sigurisë rajonale dhe ndërkombëtare.
Irani përsëri thekson se në kurrfarë rrethanash nuk synon prodhimin e armëve bërthamore. Programi Gjithëpërfshirës për Hapa të Përbashkëta përfshinë një program afatgjatë të Iranit mbi kufizimet rreth të cilave është rënë dakord në lidhje me programin atomik të Iranit, si dhe heqjen e plotë të të gjitha sanksioneve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, si dhe të sanksioneve të shumë anshme dhe të një anshme në lidhje me programin atomik të Iranit. Ky program gjithashtu do të përfshijë hapat për qasje në fushat e tregtisë, teknologjisë, sigurimin financiar dhe energjetike. Programi Gjithëpërfshirës për Hapa të Përbashkëta është përfshirë në një tekst kryesor dhe në 5 shtojca teknike në lidhje me çështjet atomike, sanksionet, bashkëpunimet në fushën e energjisë atomike paqësore, formimin e komisionit të përbashkët dhe programin zbatues.
Ky dokument është hartuar duke përmendur detajet përkatëse dhe në mënyrë shumë të saktë dhe të komplikuar, prandaj nuk ka mundësi që këtu të paraqitet një përmbledhje e plotë e të gjitha këtyre çështjeve.
Teksti i plotë dhe shtojcat e tij sot do të publikohen dhe do të vendosen në dispozicion për të gjithë dhe gjatë ditëve të ardhshme ky tekst nga Grupi 5+1 do të dorëzohet pranë Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Ne e dimë se kjo marrëveshje do të analizohet dhe zbërthehet në detaje. Mirëpo ajo që ne sot e deklarojmë nuk është vetëm një marrëveshje, por një marrëveshje e mirë. Një marrëveshje e mirë për të gjitha palët.
Kjo marrëveshje do të hap raste të reja dhe është një hap drejt të ardhmes për t'i dhënë fund një krize e cila ka zgjatur më shumë se 10 vite. Ne jemi të zotuar që të sigurohemi se ky program të zbatohet në mënyrë të plotë dhe llogarisim në ndihmën e ANEA.
Ky është fund i bisedimeve tona, por nuk është fundi i punës tonë të përbashkët.